Shtyhet sërish marrja në pyetje e ish-Inspektores së BSH, Elivar Golemi, e akuzuar për shpërdorim detyre, në skandalin e vjedhjes së 713 milionë lekëve të thesarit të shtetit.
 
Mësohet se shkak për shtyrjen e marrjes në pyetje të Golemit, këtë radhë është bërë ungesa e avokatit mbrojtës, ku ky i fundit kishte një seancë tjetër gjyqësore në Lezhë.
 
Kjo është hera e dytë që marrja në pyetje e ish-inspektores së BSH shtyhet, pas asaj të javës së kaluar ku organi i akuzës, nisur nga dëshmitë e dhëna nga Këshilli Mbikqyrës, vendosi të shtyjë marrjen në pyetje të Golemit, duke u shprehur se dëshmitë e bordit drejtues kanë dhënë prova të reja.
 
Ish-inspektorja e BSH, vijon të mbetet në qelinë e 313, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës, pasi të hënën, Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e Gjykatës së Tiranës
për arrest me burg.
 
Po për të njëjtën akuzë, Apeli vendosi masën arrest shtëpie për për ish-Guvernatorin Ardian Fullani

Golemi sot përballë hetuesve do pyetet për audited në BSH
Ish-kryeinspektorja e Bankës së Shqipërisë Elivar Golemi, pritet të merret ditën e sotme në pyetje nga prokuroria e Tiranës. Golemi është e vetmja nga të 19 të arrestuarit për skandalin e Bankës së Shqipërisë, që nuk është pyetur lidhur me skandalin e vjedhjes së 713 milion lekëve nga Thesari i Shtetit. Dy oficerë të policisë, pritet që sot ta pyesin Golemin në ambientet e burgut 313 ku mbahet e izoluar.

Pyetja e Golemit do kryhet në shumë drejtime, lidhur me mos kryerjen e auditeve vjetore, dhe mos raportimet që ajo duhet të kryente në Këshillin Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë. Golemi dy ditë më parë u la në arrest në burg. Ndërkohë gjatë ditës së djeshme në Gjykatën e Lartë, janë regjistruar për tu gjykuar tre rekurset e të arrestuarve Kleves Bejtaj,nipi i Ardian Bitraj, Petrit Ramohitaj dhe Myzejen Belba.

Këta tre personat aktualisht vijojnë të qëndrojë me masën e sigurisë të arrestit në burg. Kërkesat për ndryshimin e masave të sigurisë do të shqyrtohen në Kolegjin Penal të përbërë nga pesë gjyqtarët: Shkëlzen Selimi, Aleksandër Muskaj, Tom Ndrecaj, Artan Zeneli dhe Edmond Islami.

Anëtare e Gjykatës së Lartë është edhe Arjana Fullani, bashkëshortja e Guvernatorit Fullani, i cili një ditë më parë nga Gjykata e Apelit u la me arrest shtëpie, ku pyetjes nëse znj.Fullani përbën apo jo konflikt në shqyrtimin e masave, burimet pranë gjykatës u përgjigjen se gjyqtarja Fullani është anëtare e Kolegjit Adminsitrativ dhe për këtë shkak s’ka lidhje me rekurset penale të të arrestuarve të skandalit të Bankës së Shqipërisë.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)