Shtytësit kryesorë ekonomikë dhe financiarë që duhen ndjekur në vitin 2023

Shtytësit kryesorë ekonomikë dhe financiarë që duhen ndjekur në vitin 2023

Foto ilustruese

Një shaka e vjetër thotë se roli i parashikuesve ekonomikë është që t’i bëjnë astrologët të duken të besueshëm. Parashikimi i PBB-së ose inflacionit për vitin e ardhshëm me një shkallë saktësie, është praktikisht i pamundur, pasi ka shumë elemente të rastësishme (luftë, epidemi, zi buke, etj.). Sipas mendimit tim, është shumë më e rëndësishme të kuptohen shtytësit ekonomikë. Ky artikull do të trajtojë një sërë faktorësh nxitës ekonomikë dhe financiarë për vitin 2023.

Parashikoj se do të vazhdojnë disa prej nxitësve që kam diskutuar në artikuj të ndryshëm gjatë dy viteve të fundit, domethënë

(a) inflacioni i vazhdueshëm i lartë,

(b) ndaj të cilit Bankat Qendrore përgjigjen duke i mbajtur normat e interesit të larta ose duke i rritur ato edhe më shumë; gjë që nga ana tjetër

(c) e shtyn pjesën më të madhe të botës në një recesion (ose më keq, në një depresion);

(d) normat e larta të interesit dhe ngadalësimi i rritjes së PBB-së shtrëngojnë tregjet financiare.

Më lejoni të trajtoj secilën nga këto më në hollësi. Një kthesë e luftës (në Ukrainë, etj.), ndryshimet klimatike (uragane, etj.) dhe sëmundjet epidemike (Covid-19, etj.) mund të ndikojnë në një paqëndrueshmëri të lartë.

Inflacioni i lartë

Eurostat sapo ka publikuar disa shifra jashtëzakonisht të frikshme për inflacionin:

Pavarësisht se çmimet e energjisë janë ulur në muajt e fundit, inflacioni po del jashtë kontrollit në Europë. Tendencat negative të popullsisë, duke përfshirë “dorëheqjen e madhe” (njerëz që largohen nga fuqia punëtore shumë më shpejt se normalisht), çojnë në presione pagash jashtëzakonisht të larta, gjë që ushqen inflacionin në sektorin e shërbimeve. Po i afrohemi me shpejtësi pikës ku pritshmëritë për inflacionin bëhen të ngulitura, gjë që mund ta rrisë edhe më tepër inflacionin, dhe me siguri do ta bëjë shumë më të vështirë eliminimin e tij.

Megjithëse ngrohtësia ekstreme sezonale në pjesën më të madhe të Europës ka ndihmuar në uljen e çmimeve të energjisë gjatë muajve të fundit, një ftohje ekstreme mund t’i zhvendoste lehtësisht çmimet e energjisë në drejtimin e kundërt, duke përshpejtuar më tej IÇK-në e përgjithshme.

Europa ndodhet në një pozicion veçanërisht të vështirë në luftimin e inflacionit, për shkak të niveleve jashtëzakonisht të larta të borxhit në vendet periferike (Itali, etj.) dhe ekspozimit të lartë të bankave të saj kryesore (të cilat mbajnë borxhin e rrezikshëm të qeverisë si asete “të sigurta”). Në SHBA, një shtysë e madhe për inflacionin është gjendja e tregut të punës. Shumica e njerëzve mendojnë se numri i lartë i shkarkimeve të fundit nga puna, duhet të ulë inflacionin.

Por ka pasur edhe një numër të lartë të daljeve të parakohshme në pension, kështu që, numri i vendeve të paplotësuara të punës, mbetet i lartë. Në fund të fundit, ajo që nxit inflacionin e pagave nuk është numri i pushimeve nga puna, por mungesa e aftësisë për të plotësuar vendet e lira të punës.

Shtetet e Bashkuara përjetuan një inflacion të lartë në vitin 2022, pavarësisht rritjes së madhe të Dollarit Amerikan, zakonisht një ndikim i fortë zbutës i inflacionit. Rënia e fundit e Dollarit Amerikan, tani mund të nxisë edhe më shumë inflacionin, veçanërisht nëse zhvlerësimi i Dollarit vazhdon në vitin 2023.

Normat e interesit ka të ngjarë të mbeten të larta ose të rriten edhe më tepër

BQE-ja ka bërë shumë pak dhe është vonuar në rritjen e normave të interesit në dy vitet e fundit dhe grafiku i mësipërm tregon rezultatin; prandaj, në të ardhmen e parashikueshme, normat europiane të interesit do të ndjekin nga mbrapa inflacionin dhe nuk do të kenë zgjidhje tjetër veçse të rriten. Në SHBA, Rezerva Federale vazhdon përpjekjet për eliminimin e inflacionit, duke shtrydhur ekonominë, një strategji që ekonomisti Robert Solow e quan “të djegësh shtëpinë, për të pjekur derrin”.

Ose siç thotë Luke Groman, “Volcker arriti të bënte atë që bëri, sepse ishte në gjendje të thyente inflacionin, përpara se të thyente pozicionin fiskal të qeverisë federale. Powell nuk mund ta bëjë këtë”. Borxhi kombëtar është disa herë më i lartë sot (afro 130% e PBB-së), se sa ishte në kohën e Volcker-it (afërsisht rreth 30%).

Lëkundja drejt recesionit – ose më keq

Pra, Rezerva Federale e SHBA-së ka të ngjarë të vazhdojë me politikën e shtrënguar monetare, derisa “diçka të thyhet” (p.sh. dështimi i tregjeve të bonove, ose fondeve të pensioneve, etj.) Kur kjo të ndodhë, do t’i rikthehemi lehtësimit sasior dhe deficiteve fiskale edhe më të mëdha.

Mund të jetë e nevojshme që shkalla e tyre të jetë aq e lartë, sa që duke pasur parasysh nivelet tashmë të larta të borxhit, besimi i shoqërisë në monedhat fiat mund të tronditet. Edhe para se “diçka të thyhet”, ekonomia botërore tashmë po e humbet vrullin. FMN-ja paralajmëroi kohët e fundit se një e treta e botës mund të jetë në recesion deri në vitin 2023. Shifra mund të jetë edhe më e lartë.

Tendosja në tregjet financiare

Në vitin 2022, ndodhi një skenar shumë i rrallë: si tregjet e aksioneve, ashtu edhe ato të bonove amerikane, ranë në masën 20%, një annus horribilis për investitorët, fondet e pensioneve, etj., pavarësisht se tregjet financiare amerikane kanë ende shpresa për një ulje të butë.

Nëse bëhet e qartë se kjo ulje e butë nuk është e mundur dhe nëse raportet e të ardhurave të korporatave nuk arrijnë vazhdimisht parashikimet, atëherë tregjet e kapitalit mund të përjetojnë një tjetër kolaps. Tani që nivelet globale të borxhit janë më të larta, brishtësia ekonomike është më e madhe. Dhe sigurisht që Covid-19 dhe lufta në Ukrainë, së bashku me shumë pika të tjera presioni në botë, nga Tajvani, në Lindjen e Mesme, e rrisin paqëndrueshmërinë.

Duke pasur parasysh faktorë të tillë, një skenar optimist do të ishte që tregjet e aksioneve të lëvizin horizontalisht në vitin 2023. Cilido qoftë drejtimi i lëvizjes së tregut, nuk ka gjasa që ai të jetë një progresion linear./Monitor

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja