Komunitetet fetare e Rama 1 minutë heshtje për Kryepeshkopin Anastas! Begaj: Drejtoi kishën me mençuri e përkushtim! Meta: Trashëgimia e tij mbetet e gjallë

TIRANË- Të gjitha komunitetet fetare dhe kryeministri Edi Rama mbajtën 1 minutë heshtje për të nderuar kryepeshkopin Anastas Janullatos, i cili u nda nga jeta në moshën 95-vjeçare. Në një aktivitet të organizuar për të kremtuar 95-vjetorin e vendosjes së Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Shqipëri, kryeministri Rama shprehu ngushëllimet për të gjithë besimtarët ortodoksë për ndarjen nga jeta të kryepeshkopit.

"Të nderuar miq, më lejoni në fillimisht që t’i bashkohem dhe unë shprehjes së keqardhjes për ndarjen nga jeta të kryepeshkopit Janullatos dhe duke uruar që të prehet në paqe u përcjell ngushëllimet e mia të gjithë bashkëpunëtorëve të tij dhe anëtarëve të komunitetit të besimtarëve ortodoksë", tha Rama.

Krerët më të lartë të shtetit dhe politikës shprehën ngushëllimet. I pari ishte presidenti Bajram Begaj, i cili vlerësoi kontributin e kryepeshkopit, duke thënë se ka udhëhequr kishën me mençuri e përkushtim. 

"Shqipëria humbi sot Fortlumturinë e tij, Kryepiskopin e Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Prof. Dr. Anastasin, udhëheqësin shpirtëror dhe figurën e shquar të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Gjatë udhëheqjes së tij, Fortlumturia e tij ka udhëhequr Kishën me mençuri, përkushtim dhe dashuri për njerëzit, duke kontribuar në forcimin e saj dhe në krijimin e një rruge të re për besimin ortodoks shqiptar, veçanërisht pas periudhës së vështirë të kaluar", shkruan Begaj. 

Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali nënvizoi punën 30 vjeçare të Janullatus, i cili ringriti dhe konsolidoi  Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

"Kryepeshkopi Anastas, në kushte të mungesave e vështirësive shumë të mëdha, për më shumë se tre dekada, ringriti dhe konsolidoi  Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë", shkruan ajo. 

Nga qelia, kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta shkruan se kontributi i kryepeshkopit Anastas i ka shërbyer gjithë Shqipërisë, ndërsa thekson se trashëgimia e tij do të mbetet e gjallë. Lulzim Basha shkruan se "Kryepeshkopi Anastas Janullatos do të mbetet një simbol i përkushtimit shpirtëror, i urtësisë dhe i forcës së karakterit."

Të gjitha selitë fetare në vend, ndanë telegrame ngushëllimi, duke i njohur arqipeshvit Anastas merita të çmuara për vëllazërinë jo vetëm në unitetin e të krishterëve por dhe dialogun ndër fetar. Edhe Patriarku i Moskës dhe i të Gjithë Rusisë, Kirilli, shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit Anastas.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:27
Shuhet Kryepeshkopi Janullatos, Erion Braçe: Pati kontribut të çmuar në vëllazërinë fetare në Shqipëri

1736539948_anastasjanullatos.jpg

Anastas Janullatus

Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar lidhur me ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit Anastas Janullatus. Përmes rrjeteve sociale, ai thekson kontributin e pamohueshëm që 95-vjeçari pati për ortodoksinë shqiptare, si dhe vëllazërine fetare në tërësi, në vendin tonë.

"ARQIPESHKVI MITEOPOLIT, HIRESIA E TIJ ANASTAS,
U SHUA SOT, NE ATDHEUN E TIJ!

DUA SHUME TE GJEJ PAQE, ME ZOTIN PRANE!
NGUSHELLIME BASHKEPUNETOREVE TE TIJ NE KISHEN AUTOQEFALE SHQIPTARE, BESIMTAREVE SHQIPTARE TE KRISHTERE RRETH KESAJ KISHE, KUDO QE JANE!

Dua gjithashtu tij njoh meriten qe bashke me klerike shqiptare, ringjallen besimin e krishtere ortodoks fill pas renies se diktatures, ne kishat tona historike;
Dua po aq ta vecoj ne kontributin e cmuar per vallazerine fetare, me te cilen Shqiperia shkelqen",- shkruan Braçe. 

Ora 12:13
Shuhet Kryepeshkopi Janullatos, Rama: Ngushëllime për gjithë komunitetin ortodoks

 

Kryeministri Edi Rama ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të kryepeshkopit të Shqipërisë, Anastas Janullatos.

“I bashkohem shprehjes së keqardhjes për ndarjen nga jeta të kryepeshkopit Janullatos dhe duke uruar që të prehet në paqe i përcjell ngushëllimet e mia të gjithë bashkëpunëtorëve të tij dhe anëtarëve të komuniteti të besimtarëve ortodoksë”, tha Rama në një aktivitet për 95-vjetorin e vendosjes së Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Shqipëri.

Ora 11:43
'Punoi për rindërtimin e Kishës Ortodokse dhe bashkëjetesën fetare', Ambasada Gjermane në Tiranë: Vepra e tij, burim frymëzimi

1737801969_aamama.JPG

Ambasada Gjermane në Shqipëri ka shprehur ngushëllimet e saj për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit Anastas Janullatos.

Në një reagim zyrtar, ambasada thekson se besimi i tij i thellë dhe përkushtimi i palodhur për rindërtimin e Kishës Ortodokse dhe për promovimin e bashkëjetesës paqësore fetare në Shqipëri do të mbeten përherë në kujtesën e saj.

Ambasada e cilëson veprën e Kryepeshkopit Anastas si një burim frymëzimi të vazhdueshëm për brezat që do të vijnë.

‘Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastas. Besimi i tij i thellë dhe përkushtimi i palodhur për rindërtimin e Kishës Ortodokse, si dhe për bashkëjetesën paqësore fetare në Shqipëri, do të mbeten gjithmonë në kujtesën tonë. Qoftë vepra e tij një burim i vazhdueshëm frymëzimi për brezat e ardhshëm’, thuhet në postim.

Ora 10:22
Ndarja nga jeta e kryepeshkopit Anastas, Spiropali: Ringriti Kishën Orthodhokse Autoqefale, kontribuoi në harmoninë e bashkëjetesën fetare

1737797074_spiropli.JPG

Kryeparlamentaja Elisa Spiropali, ka shprehur një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta ditën e sotme të kryepeshkopit Anastas Janullatos.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Spiropali vlerësoi kontributin e tij për ringritjen e Kishën Orthodhokse Autoqefale. 

“Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë dhe besimtarët orthodhoksë humbën sot Kryebariun e tyre, Fortlumturinë e Tij, Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos. Me vizionin hyjnor, dashurinë e pashterrshme, dijet e gjera, erudicionin e pafund, respektin për besimet dhe komunitetet e tjera fetare, shpirtin e tolerancës, përdëllimin e pashoq, komunikimin e ëmbël fetar e njerëzor, Fortlumturia e Tij, Kryepeshkopi Anastas, në kushte të mungesave e vështirësive shumë të mëdha, për më shumë se tre dekada, ringriti dhe konsolidoi  Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, projektoi, mbështeti e promovoi institucionet arsimore, humanitare, shëndetësore e kulturore dhe kontribuoi në harmoninë e bashkëjetesën fetare në Shqipëri e në botë. Ngushëllimet më të ndjera për këtë humbje të madhe! Nderim e mirënjohje për trashëgiminë e Kryepeshkopit Anastas’, shkruan ajo.

Ora 09:15
Shuhet kryepeshkopi Anastas, Meta: Udhëheqës i veçantë shpirtëror, trashëgimia e tij do mbetet gjithmonë e gjallë 

1737792526_META.JPG

Kreu i PL Ilir Meta, nga burgu ka shprehur një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të kryepeshkopit Anastas Janullatos.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai u shpreh se, ai do të mbetet një udhëheqës i veçantë shpirtëror dhe trashëgimia e tij do mbetet gjithmonë e gjallë.

‘Me trishtim të thellë dhe shumë dhembje mora lajmin për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos. Udhëheqës i veçantë shpirtëror dhe shembull frymëzues i dashurisë ndaj njerëzve, me vizion hyjnor e mençuri të rrallë, do t'i mbetemi përherë mirënjohës për gjithçka ka bërë në këto vite për Lavdinë e Zotit, për të mirën e Kishës, që në rrethana të vështira e ringriti nga gërmadhat dhe e zhvilloi më tej, për të mirën e besimtarëve ortodoksë shqiptarë, për forcimin e harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës ndër-fetare, kësaj pasurie kombëtare të popullit tonë. Ngushëllimet më të ndjera për këtë humbje të madhe e të pazëvendësueshme për drejtuesit e lartë të Kishës dhe mbarë komunitetin ortodoks të Shqipërisë! Trashëgimia e Kryepeshkopit Anastas do të mbetet gjithmonë e gjallë dhe kujtimi i Tij do të jetë i paharruar’, shkruan Meta.

Ora 09:00
Ndarja nga jeta e kryepeshkopit Anastas Janullatos, Basha: Do të mbetet një simbol i përkushtimit shpirtëror

1737791944_bashajanullatos.jpg

Kryetari i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit Anastas Janullatos.

Në një postim në Facebok, Basha shkruan se ky është një moment trishtimi për Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe për të gjithë ata që e njihnin dhe vlerësonin veprën e tij.

Ai më tej shpreh ngushëllimet e tij për besimtarët ortodoksë, klerikët dhe të gjithë ata që e kujtojnë me respekt dhe mirënjohje.

‘Me trishtim mora lajmin e kalimit në amshim të Fortlumturisë së Tij, Kryepeshkopit Anastas Janullatos. Ky është një moment pikëllimi jo vetëm për Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, por për të gjithë ata që patën fatin të njihnin dhe të vlerësonin kontributin e tij për paqen, dialogun fetar dhe veprat bamirëse në shërbim të njerëzve në nevojë.

Kryepeshkopi Anastas Janullatos do të mbetet një simbol i përkushtimit shpirtëror, i urtësisë dhe i forcës së karakterit, duke na kujtuar rëndësinë e bashkëjetesës fetare, të tolerancës dhe të dashurisë për çdo njeri. Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta besimtarëve ortodoksë, klerit dhe të gjithë atyre që do ta kujtojnë gjithmonë me mirënjohje e respekt. U prehtë në paqe!’, shkruan ai.

S.B/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 25 Janar, 13:37

    A duhet të votojnë emigrantët që kanë vetëm dokumente identifikimi të huaja?



×

Lajmi i fundit

Homazhet për Kryepiskopin Anastas, në Tiranë pritet delegacion i lartë nga Vatikani, Kishat botërore dhe politikanë të lartë

Homazhet për Kryepiskopin Anastas, në Tiranë pritet delegacion i lartë nga Vatikani, Kishat botërore dhe politikanë të lartë