Shuhet ish-kryeparlamentari i Kosovës, Kolë Berisha! Osmani: Jetën ia kushtoi lirisë së vendit! Meta: I palodhur në shërbim të çështjes kombëtare

Shuhet ish-kryeparlamentari i Kosovës, Kolë Berisha! Osmani: Jetën ia kushtoi lirisë së vendit! Meta: I palodhur në shërbim të çështjes kombëtare

Kolë Berisha

KOSOVË- Shuhet në moshën 73-vjeçare ish-kryeparlamentari i Kosovës, Kolë Berisha. Lajmi është bërë me dije nga djali i tij, Visar Berisha përmes një postimi në ‘Facebook’, ndërsa bën me dije se ai ndërroi jetë si pasojë e një sëmundjeje të rëndë.

Kolë Berisha ishte Kryetar i Kuvendit të Kosovës nga marsi 2006 deri në 2007, gjithashtu edhe nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai ishte gjithashtu edhe i burgosur politik, e ish anëtar i ekipit negociator për zgjidhjen e statusit të Kosovës.

“Sot herët në mëngjes na la Kolë shoqi!

Mas një sëmundje të randë e kahemotshme, i mësuem mos m’u dorezu, sot baba pranoj burrnisht me iu dorezue Hyjit në jetën e pasosun. Ma shumë se dhimtë, kam një ndjenje çlirimi për trupin e tij, që ka vuajtur kaq shumë në heshtje e pervujtshem.

Për shkak të situatës së randë epidemiologjike dhe masave që prej sot janë në fuqi, nuk do te mund të organizojmë të pame për babën. Nesër, me 30.08.2021 në orën 11, ne Katedralen ‘Nënë Tereza’ ne Prishtinë do të celebrohet Mesha e Dritës për babën, kurse në orën 13 do të jetë vorrimi me rrethin e ngushte familjar në vorrezat e qytetit të Prishtinës.

E di, që shumë prej jush doni me qenë nga afër pjesë e dhimtës tonë, por shëndeti i juaj dhe të gjithë të tjerëve ka me shumë rëndësi. Kujtojeni babën në lutje, prej aty ku jeni. Ngushllimet i pranojmë nëpërmjet telefonit”, shkruan Visar Berisha.

Kush ishte Kolë Berisha?!

Kolë Berisha ishte politikan dhe kryetari i dytë i Parlamentit të Kosovës. U lind më 26 tetor 1947 në fshatin Dobërdol të Komunës së Klinës. Shkollën fillore e kreu në fshatin Ujmirë. Pas kryerjes së shkollës normale në Gjakovë, dy vjet punoi mësues në Ujmirë dhe Gllarevë të Klinës, kurse nga 8 marsi i vitit 1973 punoi si sekretar i gjimnazit “Luigj Gurakuqi” në Klinë. Ka të kryer edhe Fakultetin Juridik në Prishtinë.

Më 28 mars të vitit 1989, arrestohet dhe dërgohet në burgjet serbe në Leskovc, Beograd dhe në Pejë. Pas tre muajve lirohet, por përjashtohet nga puna.

Me themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Berisha u anëtarësua dhe për dy mandate me radhë ishte anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Klinë dhe kryetar i Komisionit për Pajtimin e Familjeve të Hasmëruara. Më pas ishte edhe nënkryetar në LDK, derisa dha dorëheqje në vitin 2010, për siç kishte thënë, për shkaqe personale dhe për t’u hapur rrugë forcave të reja. Në karrierën e tij politike veçohet edhe puna e tij me ish-presidentin Ibrahim Rugova. Berisha ishte këshilltar i Rugovës.

Pas luftës shërbeu edhe si anëtar i Këshillit Transitor të Kosovës dhe anëtar i Forumit Politik të Kosovës të formuar nga PSSP Søren Jessen-Petersen. Ishte anëtar i Grupit Politik Strategjik për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës.

Po ashtu ishte deputet i disa legjislaturave të Kuvendit të Kosovës. Kolë Berisha kishte shkruar edhe prozë e poezi.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:02
Gramoz Ruçi reagon pas ndarjes nga jeta të ish-kryeparlamentarit: I shërbeu Kosovës me vizion e integritet

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha. Përmes një mesazhi, Ruçi thotë se Berisha ishte simbol i urtësisë dhe tolerancës, ndërsa thekson se i shërbeu Kosovës me vizion dhe integritet.

“Me dëshpërim mora lajmin për ndarjen nga jeta të personalitetit të shquar, ish-Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha. Kolë Berisha ishte një personalitet poliedrik: mësues dhe edukator me influencë, shkrimtar i shquar, njeri i aksionit politik, luftëtar i lirisë, veprimtar i palodhur shoqëror dhe frymëzues i tolerancës e mirëkuptimit, deputet i respektuar dhe kryeparlamentar autoritar. Kolë Berisha i shërbeu Kosovës me vizionin, lidershipin dhe energjitë e tij, përndjekjen prej regjimit serb, librat dhe veprën letrare, kontributin në LDK dhe në jetën politike, mbjelljen dhe shpërndarjen e frymës së pajtimit politik e njerëzor, si deputet i palodhur dhe së fundi edhe si Kryetar i Kuvendit të Kosovës. Kolë Berisha ishte simbol i urtësisë, tolerancës, përkushtimit, veprimit politik e kombëtar dhe kryeparlamentarit mendjehapur, me integritet e të matur. Në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe në emrin tim i shpreh familjes, institucioneve dhe popullit të Kosovës ngushëllimet për këtë humbje të madhe”, shprehet Ruçi.

Ora 13:47
Ndarja nga jeta e ish-kryeparlamentarit Kolë Berisha, Meta: Kontribuoi në konsolidimin e institucioneve të shtetit të Kosovës

Presidenti Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet pas ndarjes nga jeta të ish-kryeparlamentarit të Kosovës, Kolë Berisha. Duke e konsideruar si një humbje të madhe për familjen e kolegët, Meta shkruan se Berisha tha një kontribut të madh në konsolidimin e shtetit të Kosovës.

“Me hidhërim mora lajmin për largimin nga jeta të z.Kolë Berisha, politikanit të urtë dhe vizionar të Kosovës, deputet në disa legjislatura dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Presidentit Rugova. Është një humbje e madhe për familjen, miqtë dhe kolegët, të cilëve ju shpreh ngushëllimet më të thella!

Aktivist i palodhur në shërbim të çështjes kombëtare, angazhimin jetësor të Kolë Berishës nuk e ndalën as persekutimet dhe burgosjet, për të spikatur si ish-Kryetar Kuvendi dhe ish-deputet, me kontributin e tij përherë të respektuar për konsolidimin e institucioneve të shtetit të Kosovës. Urtësia, veprimet e matura dhe të mençura politike të Bacës Kolë do të kujtohen gjithmonë me nderim! Të prehet në paqe”, shkruan Meta.

Ora 12:46
Ramush Haradinaj reagon pas vdekjes së ish-kryeparlamentarit të Kosovës: Berisha dha kontribut të çmuar për arsimin

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar për ndarjen nga jeta të ish-kryeparlamentarit Kolë Berisha. Në postimin e tij, Haradinaj shkruan se Berisha ka dhënë një kontribut të çmuar për zhvillimin e arsimit, ndërsa thekson se pas luftës ai ka ndikuar në shtetndërtimin e Kosovës.

“I pikëlluar nga lajmi për ndarjen nga jeta të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës z. Kolë Berisha. Ai dha kontribut të çmuar për arsimin ndër vite. Në kohën kur organizimi jonë për çlirim merrte formë, ai angazhohet në pajtimin e gjaqeve dhe hasmërive dhe në themelimin e institucioneve paralele në Kosovën e okupuar. Pas luftës, ai vazhdoi kontributin e tij në shtetndërtim, ku mes tjerash kryesoi Kuvendin e Kosovës. Ngushëlloj me këtë rast familjen Berisha, kolegët dhe të gjithë ata që e njohën”, shkruan Haradinaj.

Ora 11:30
Vdekja e ish-kryeparlamentarit të Kosovës, Osmani: Një ndër veprimtarët më të shquar të lëvizjes për pavarësinë e Kosovës

Presidentja Vjosa Osmani ka reaguar pas lajmit se ish-kryeparlamentari i Kosovës, Kolë Berisha ka ndërruar jetë. Përmes një postimi në ‘Facebook’, Osmani shkruan se Berisha ka qenë një ndër veprimtarët më të mëdhenj që gjithë jetën ia kushtoi lirisë së Kosovës.

“Me pikëllim të thellë e mora lajmin për ndarjen nga jeta të Kolë Berishës, njërit ndër veprimtarët më të shquar të lëvizjes për pavarësinë e Kosovës, bashkëpunëtorit e bashkëmendimtarit të presidentit historik, dr. Rugovës, njeriun e urtë e njeriun e paqes, i cili tërë jetën ia  kushtoi lirisë së vendit të tij.

Sot, ai u nda nga ne, duke na lënë të pikëlluar, por edhe krenarë për veprën e tij shumëdimensionale. Mësues  i hershëm dhe idealist i madh, autor tekstesh letrare e veprimtar i pashoq politik, pajtues gjaqesh e urë lidhëse mes njerëzish, kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës e politikan i urtë, bacë Kola dha shembullin e njeriut i cili beson në idealin e lirisë dhe ia kushton tërë jetën asaj. Ndarja nga jeta e tij do të lë zbrazëti të madhe në jetën tonë publike. I përjetshëm qoftë kujtimi për të”, shkruan Osmani.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Gege Kosova: 29/08/2021 11:29

    Ngushellime familjareve, farefisit,miqeve dhe bashkeveprimtareve dhe bashkevuajtesve te Koles.Kola gjithmone e ne gjitha rrethanat, ishte ne rreshtin e pare te veprimeve atdhetare.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Enver Hoxhaj nderohet me titullin ‘Doctor Honoris Causa’ në Tiranë, Veliaj: Urë lidhëse mes Shqipërisë dhe Kosovës

Enver Hoxhaj nderohet me titullin ‘Doctor Honoris Causa’ në Tiranë, Veliaj: Urë lidhëse mes Shqipërisë dhe Kosovës