Shumica s'arrin 84 vota, Braho
lë votimin, Balla llogari Vasilit
Te gjitha lajmet per seancen plenare

Shumica s'arrin 84 vota, Braho<br />lë votimin, Balla llogari Vasilit<br />Te gjitha lajmet per seancen plenare
TIRANE- Mazhoranca nuk arrin sërish 84 vota në Kuvend, për miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar. Pamundësimi i kuorumit për të bërë 3/5 në Kuvend, e detyroi kryetarin e grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi që të kërkonte shtyrjen për seancën e ardhshme të ndryshimeve në ligjin për “Nëpunësin Civil” dhe atë për “Pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura Kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura të krijuara me ligj”. Ligjet e tjera u votuan me jo më shumë se 72 vota, ndërsa nga deputetët e opozitës në seancë ishin vetëm Genc Pollo dhe Edmond Spaho.

“Ligji për Nëpunësin Civil” iu bashkua kështu Kodit Rrugor në Republikën e Shqipërisë, ndryshimet e të cilit janë miratuar në të gjitha komisionet parlamentare që prej sesionit të kaluar të Kuvendit, por që nuk hidhet në votim për shkak të mungesës së 84 votave.
 
Përplasja PS-LSI
Seanca e djeshme prodhoi një tjetër debat mes grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, lidhur me pjesëmarrjen e ulët të deputetëve në seancë. Kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi i kërkoi drejtueses së seancës, Valentina Leskaj shtyrjen e votimit për ligjin e “Nëpunësit Civil”, duke e argumentuar kërkesën e tij me reflektimin e rekomandimeve të komisionit të ligjeve. “Të merret parasysh rekomandimi i Komisionit të Ligjeve.

Byroja e parlamentit të ngrejë një komision Ad Hoc me përfaqësimin e të gjithë komisioneve të Kuvendit”, u shpreh Ruçi, duke kërkuar votimin e ligjit seancën e ardhshme. Shtyrjen e ligji e kërkoi edhe deputeti i LSI, Spartak Braho, por për mungesë kuorumi të votave. “Zonja drejtuese duhet të kuptoni këtë fakt që jemi para dy kërkesave krejtësisht të kundrat me njëra-tjetrën. Komisioni i Ligjeve nuk suporton përmbajtjen e ligjit dhe propozon shtyrjen e ligjit. Ky ligj nuk mund të votohet po nuk pati kuorum. Mos u ngatërroni me këto gjëra”, tha Braho teksa është larguar nga salla. Debati mes mazhorancës shkoi edhe më tej kur nënkryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla i kërkoi shpjegime kreut të grupit të deputetëve të LSI, Petrit Vasili për mungesat e deputetëve.

“Z.Vasili, ku janë deputetët? Ku është Spartaku? Z.Braho s’mund të largohet pa mbaruar votimin”, iu drejtua Balla, Vasilit. Por reagimi i këtij të fundit ishte i menjëhershëm kur u shpreh se kuorumin për prezencën e deputetëve në seancë e bën kryetari i Kuvendit. Debati mes dy përfaqësuesve të grupit parlamentar të PS dhe LSI, lindi pas votimit me vetëm 69 vota të projektvendimit “Për miratimin e strukturës, organikës dhe kategorizimit të pozicioneve të punës të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare”. Rënia në 69 vota shqetësoi ndjeshëm deputetët e mazhorancës, duke bërë që deputeti socialist, Taulant Balla t’i kërkojë nënkryetares së Kuvendit, Leskaj rivotim. Në votimin e dytë, projektvendimi u miratua me 75 vota.    

Debatet

Ruçi: Të merret parasysh rekomandimi i Komisionit të Ligjev. Byroja e parlamentit të ngrejë komision Ad Hok. Nuk shtyhet ligji se nuk ka kuorum.
Leskaj: Hidhet për votim propozimi i Komisionit të ligjeve.
Shalsi: Të shprehen me vullnetin e tyre të lirë, por kjo iniciativë është nisur mbi bazën e një precedenti.
Leskaj: Jemi një proces votimi nuk mund të hyjmë në diskutime tani.
Ruçi: Komisioni nuk ka miratuar nismë. Do hidhni në votim rekomandimin e e Komisionit të Ligjeve?
Vasili: zgjidhja e vetme është ta shtyjmë. Nuk është një nismë spontane, nuk kemi pse hyjnë në interpretime në sallë. Seancë ne ardhshme veprojmë me qetësi dhe pjekurit.
Spaho: Propozimet e tjera nuk mund t’i votojnë se nuk janë në rend dite.
Leskaj: Në bazë të rregullores mund të hedhim në votim propozimin e Komisionit të Ligjeve.
Pollo: Ka një rregull që është mirë që respektohet pavarësisht tensionit mes propozuesve dhe deputetëve. Propozimi i komisionit të ligjit nuk mund të hidhet në votim se është diçka tjetër.
Braho: Zonja drejtuese duhet të kuptoni këtë fakt që jemi para dy kërkesave krejtësisht të kundrat me njëra-tjetrën. Komisioni i Ligjeve nuk suporton përmbajtjen e ligjit dhe propozon shtyrjen e ligjit. Ky ligj nuk mund të votohet po nuk pati kuorum. Mos u ngatërroni me këto gjera.
Leskaj: Kur hapa mikrofonin doja të bëja të qartë që duhet të bëhet kuorumi.
Ruçi: Secili ka emrin e tij por unë mendoj që këtu ka kolegë të kahun e majtë timin që nuk e kanë lexuar fare relacionin e Komisionit të Ligjeve, relacioni ka argumentuar dhe ka kundërshtuar ligjin dhe ka bërë një propozim. Këtu insistohet me të madhe, sigurisht që unë bëra një dalje sa procedurale.
Leskaj: Do të shtyhen të dy projektligjet.

Ligjet e tjera

Sa u takon ligjeve të tjera, ai “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10.139, datë 15.5.2009 “Për pensionet shtetërore suplementare të punonjësve të universiteteve të shkollave të larta, qendrës së studimeve albanologjike, akademisë së shkencave dhe të gjitha institucioneve të tjera kërkimore publike në Republikën e Shqipërisë të cilët kanë tituj shkencorë” u miratua me 71 vota dhe 8 kundër. Ligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 105/2014 “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik” kaloi me 72 vota pro dhe 9 kundër.  Por me 72 vota pro dhe vetëm 2 kundër kaloi dhe ligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10.296, datë 8.7.2010 “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”. Ligji “Për Shërbimin Gjeologjik Shqiptar” kaloi me 72 vota pri dhe gjithashtu po me kaq vota kaloi dhe ligji “Për inspektimin financiar publik”.

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Dilni nga shtëpia  ju presin emocione të reja... Çfarë thonë yjet për ju sot

Dilni nga shtëpia ju presin emocione të reja... Çfarë thonë yjet për ju sot