Një dron rus goditi mëngjesin e së hënës sheshin Maidan në Kiev, për herë të parë që nga fillimi i pushtimit rus në vitin 2022 që ky vend simbolik i kryeqytetit ukrainas preket nga sulmet.
Shpërthime u dëgjuan mbi qendrën e qytetit teksa kundërajrorja ukrainase u aktivizua për të rrëzuar dronët. Më pas, në shesh u gjetën mbetjet e një droni pranë kolonës së monumentit të Pavarësisë.
Autoritetet ukrainase konfirmuan se bëhej fjalë për një dron rus të tipit Lancet-3, një dron kamikazë i projektuar për të patrulluar mbi një zonë dhe më pas për të goditur objektivin me saktësi. Sipas kryebashkiakut Vitali Klitschko, mbetjet ranë në qendër të qytetit pa shkaktuar viktima, ndërsa qytetarëve iu kërkua të qëndronin në strehimore pasi alarmi ajror vazhdonte.
Sulmi ndodhi në një moment kur lufta në Ukrainë ka hyrë në ditën e 1.482-të. Presidenti Volodymyr Zelensky deklaroi se forcat ukrainase kanë arritur të pengojnë një ofensivë të madhe ruse që pritej të vazhdonte gjatë pranverës, duke theksuar se përdorimi i dronëve nga Ukraina ka shkaktuar humbje të mëdha në radhët e ushtrisë ruse.
Në planin diplomatik, Moska deklaroi se presidenti amerikan Donald Trump nuk ka humbur interesin për negociatat e paqes dhe se sipas Kremlinit është Ukraina ajo që po e pengon arritjen e një marrëveshjeje. Zëdhënësi Dmitry Peskov tha se Rusia mbetet e hapur për raundin e ardhshëm të bisedimeve, edhe pse ende nuk është caktuar vendi dhe data.
Ndërkohë në Londër, kryeministri britanik Keir Starmer paralajmëroi se kriza në Lindjen e Mesme nuk duhet të kthehet në një “mundësi të artë” për presidentin rus Vladimir Putin, duke theksuar nevojën që mbështetja për Ukrainën të vazhdojë.
Në të njëjtën ditë, aktori amerikan Sean Penn ndodhet në Kiev për një vizitë personale në shenjë mbështetjeje për Ukrainën dhe pritet të takohet me presidentin Zelensky.
Edhe në frontin europian ka zhvillime. Zëvendëskryeministri për integrimin europian Taras Kachka deklaroi se Ukraina mund të firmosë traktatin e anëtarësimit në Bashkimin Europian në vitin 2027, nëse arrin të përmbushë kushtet kryesore deri në vitin 2026.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm i Italisë Antonio Tajani theksoi se Italia do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën dhe do të respektojë angazhimet e saj brenda NATO-s, edhe pse me një prani të reduktuar të trupave në bazat e aleancës.
Komente









