Si arriti Katari të bëhet ndërmjetësuesi në luftën në Lindjen e Mesme

Si arriti Katari të bëhet ndërmjetësuesi në luftën në Lindjen e Mesme

Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al Thani

Marrëveshja për armëpushimin e përkohshëm u duk se ishte pranë dështimit. Hamasi kishte akuzuar Izraelin se nuk kishte mbajtur angazhimet e marra dhe Izraeli kërcënoi se do të rifillonte sulmin ushtarak në Rripin e Gazës.

Në këto momente, një avion i Katarit u ul në Aeroportin Ndërkombëtar “Ben-Gurion” të shtunën. Negociatorët filluan punën për të shpëtuar marrëveshjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit, përpara se marrëveshja të dështonte dhe bashkë me të edhe javë të tëra përpjekjesh diplomatike.

Vizita e parë publike e një zyrtari nga Katari në Izrael shënoi një moment të jashtëzakonshëm për këto dy vende, që nuk kanë zyrtarisht marrëdhënie diplomatike. Kjo nxori gjithashtu në pah rolin kryesor të këtij vendi të vogël për të tejkaluar ndasitë mes dy armiqve.

“Kjo është diçka që nuk e kemi parë më parë”, tha për ndalesën në Izrael të zyrtarëve nga Katari, Yoel Guzansky, studiues në Institutin për Studimet e Sigurisë Kombëtare në Tel Aviv. “Është i vetmi faktor i jashtëm në botë që ka kaq shumë ndikim tek Hamasi, për shkak të viteve të shumta të mbështetjes që i ka dhënë”.

Misioni i fundjavës doli me sukses dhe pjesa më e madhe e ekipit të zyrtarëve nga Katari u kthyen në vendin e tyre. Megjithatë, disa ndërmjetësues nga Katari qëndruan për të vazhduar punën me zyrtarët izraelitë të zbulimit për një zgjatje të armëpushimit katërditor, që pritej të përfundonte mëngjesin e së martës, tha një diplomat i informuar për këtë vizitë, por i cili kërkoi t’i ruhet anonimiteti.

Këto përpjekje duket se patën rezultat, ndërsa Ministria e Jashtme e Katarit njoftoi se Izraeli dhe Hamasi patën rënë dakort për zgjatjen e armëpushimit me dy ditë të tjera përtej të hënës, duke rritur kështu edhe shanset për një pauzë më të gjatë të luftës.

Katari mban lidhje të ngushta me Shtetet e Bashkuara. Në këtë vend gjendet baza më e madhe ushtarake amerikane në këtë pjesë të globit, mes Evropës dhe Japonisë. Katari gjithashtu mbajti një komunikim me Izraelin që nga viti 1995 dhe ka mbështetur Gazën me ndihma të vlerësuara deri në 1 miliard dollarë, që nga viti 2014. Pra, Katari gjendet në një pozitë unikale për të ndërmjetësuar gjatë bisedimeve për armëpushim, ku janë të përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara dhe Egjipti.

Zoti Guzansky thotë se Izraeli ka nevojë për Katarin, duke vënë në dukje se vendet e tjera arabe kanë interesa gjithnjë e më shumë në Izrael dhe po normalizojnë marrëdhëniet. “Katari shihet si i vetmi lojtar në botën arabe që është besnik ndaj kauzës palestineze”, thotë ai.

Në emiratin e Katarit ka patur një zyrë politike të Hamasit që nga viti 2012, duke i mundësuar Katarit që të ushtrojë një lloj influence tek vendimmarrësit e këtij grupi militant. Zyrtarët më të lartë të Hamasit jetojnë në Katar, ndër ta edhe udhëheqësi suprem i këtij grupi, Ismail Haniyeh.

Katari thotë se zyra politike e Hamasit në kryeqytetin Doha, u pranua me kërkesë të zyrtarëve amerikanë që dëshironin të krijonin një kanal komunikimi, ashtu siç u veprua kur Doha pranoi çeljen e zyrave të talebanëve, gjatë luftës 20-vjeçare të Amerikës në Afganistan.

Zyrtarët e Katarit thanë se udhëhiqen nga dëshira për të ulur konfliktin, nëpërmjet lidhjeve të tyre me disa grupe islamiste, përfshirë Hamasin, Vëllazërinë Myslimane në Egjipt dhe talebanët. Kjo është kritikuar në Izrael, si dhe nga disa ligjvënës amerikanë dhe qeveri të vendeve fqinje arabe.

“Ky është pushtet i butë, i mobilizuar në interes të Amerikës”, tha Patrick Theros, ish-ambasador i Shteteve të Bashkuara në Katar. “Mbajtja në vend e organizatave me të cilat Shtetet e Bashkuara nuk mund të shfaqen se kanë komunikim, është pjesë e kësaj politike”.

Ky vend i pasur arab me vetëm 300 mijë banorë ka shfrytëzuar vendndodhjen strategjike dhe pasuritë e jashtëzakonshme të gazit natyror për të ushtruar ndikim politik dhe për të ushtruar fuqinë e tij të butë në mbarë botën, përfshirë edhe si vendi organizator i Kupës së Botës 2022.

Gjatë negociatave Izrael-Hamas, ndërmjetësit nga Katari, së bashku me ata nga Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara, u përballën me detyrën e vështirë për t’i bërë palët ndërluftuese që t’i besonin diplomacisë, ndërkohë që besimi ishte joekzistent.

Gjatë fundjavës, Hamasi u ankua se Izraeli pati shkelur kushtet e armëpushimit dhe tha se marrëveshja ishte në rrezik. Vetëm 137 kamionë me ndihma humanitare kishin hyrë të premten, ditën e parë të armëpushimit, si dhe 187 në ditën e dytë, tha agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë. Izraeli kishte premtuar të lejonte 200 kamionë në ditë.

Zyrtarët nga Katari bënë takime në person me zyrtarët izraelitë për të shpëtuar marrëveshjen, thotë diplomati. Takimi disaorësh të shtunën me zyrtarët e Mossadit në Tel Aviv rezultoi me rëndësi jetike. Papritmas, marrëveshja u rikthye në fuqi. Hamasi dorëzoi pjesën e dytë të pengjeve izraelite, familjet në Bregun Perëndimor pritën me gëzim 39 gra dhe adoleshentë të tjerë të liruar nga burgu dhe palestinezët dolën nga vendstrehimet e tyre në Gazë për të gjetur karburant dhe të afërmit që mungonin.

Ministrja e shtetit e Katarit për bashkëpunimin ndërkombëtar, Lolwah Al-Khater, u bë zyrtarja e parë e huaj që vizitoi Rripin e Gazës të shtunën. Ajo shfrytëzoi pauzën në luftime për të parë nga afër situatën me furnizimin me ndihma, u takua me të plagosurit palestinezë dhe bisedoi me Wael al-Dahdouhin, drejtues i degës në Gazë të kanalit televiziv të financuar nga Katari, Al Jazeera, i cili humbi bashkëshorten, djalin dhe nipin, që u vranë gjatë sulmeve ajrore izraelite. Ky rrjet transmetimi në mbarë botën arabe ka kamera më shumë se çdo televizion tjetër në Gazë dhe ka dominuar mbulimin e lajmeve për luftën.

Pavarësisht dallimeve mes tyre, Izraeli dhe Hamasi kanë interes për ta zgjatur situatën e qetë. Edhe pse shtohen pikëpyetjet se çfarë mund të ndodhë pas luftës, një zyrtar i Katarit, i cili foli në kushte anonimiteti, thotë se vendi i tij qëndron i përqëndruar tek gjërat që janë të mundshme për momentin, siç është ruajtja e armëpushimit dhe parandalimi i një lufte rajonale, që mund të tërheqë në luftime Iranin, apo militantët e Hezbollahut në Liban.

Zyrtarë të shumtë kanë kaluar nëpërmjet Dohas për këtë qëllim, përfshirë ministrin e jashtëm të Iranit, kryeministrin e përkohshëm të Libanit dhe drejtorin e CIA-s.

“Nuk ka asnjë konflikt që filloi dhe përfundoi në fushën e betejës”, tha të hënën Majed al-Ansari, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Katarit, për agjencinë e lajmeve Associated Press. "Tani, pasi pengjet po lirohen dhe ka pauza në luftime, mund të arrijmë të gjejmë një zgjidhje”.

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Baza ajrore e NATO-s në Kuçovë, a forcohet pozita e Shqipërisë në rajon?



×

Lajmi i fundit

FOTOT/ Terrenet e reja sportive në gjimnazin ‘Asim Zeneli’ në Gjirokastër

FOTOT/ Terrenet e reja sportive në gjimnazin ‘Asim Zeneli’ në Gjirokastër