Si do të funksionojë Policia Vullnetare? Flet në ‘Rreze Dielli’ Albert Dervishaj: Nuk do të jenë spiunë! (VIDEO)
Drejtori i Drejtorisë së Rendit Publik në Departamentin Për Sigurinë Publike, Albert Dervishaj shpjegon në “Rreze Dielli” se ideja për të ndërtuar këtë lloj shërbimi ka lindur që në 2016 ndërsa siguroi se policët vullnetarë do të jenë në shërbim të qytetarëve dhe jo ‘spiunë’.
Redaksia 4 Tetor 2019, 12:25 | Përditesimi: 4 Tetor 2019, 12:48
Për të garantuar sigurinë publike në organizimet me karakter masiv, si tubime, koncerte, festivale, aktivitete sportive dhe organizime fetare tashmë nuk të angazhohet vetëm Policia e Shtetit apo ajo private, por edhe Policia Vullnetare.
Kur kanë kaluar vetëm dy ditë nga dhënia e ‘dritës jeshile’ nga ana e qeverisë për të vijuar punën për ngritjen e këtij shërbimi, duket se njerëzit janë të interesuar për të kuptuar sesi do të funksionojë Policia Vullnetare dhe a do të rritet siguria publike me formimin e këtij shërbimi?
Drejtori i Drejtorisë së Rendit Publik në Departamentin Për Sigurinë Publike, Albert Dervishaj shpjegon në “Rreze Dielli” se ideja për të ndërtuar këtë lloj shërbimi ka lindur që në 2016 dhe prej asaj kohe po punohet për këtë ide.
Dervishaj shprehet se polici vullnetar do të asistojë në punën e policit të Shtetit, ndërsa siguroi se do të jenë në shërbim të qytetarëve dhe jo ‘spiunë’.
“Policia Vullnetare që po krijohet nuk ka të bëjë me strukturën e ‘Policisë Vullnetare’ para vitit 1990. Kemi kaluar nga Policia Ushtarake në institucion të administratës publike dhe policia është bërë më e hapur me publikun. Reformat me asistencën e misioneve ndërkombëtare kanë sjellë rireformim të policisë. Ne kemi një numër të kufizuar policësh, nuk mund të mbulojmë çdo kryqëzim rrugësh apo shkollat e vendit me punonjës policie, këtu kërkohen angazhimi i policit vullnetar. Ligji për vullnetarizmin e tregon se vullnetari nuk do punojë më shumë se 25 orë në javë, nuk do ketë uniformë policie. Policët vullnetarë do të kenë disa pajisje, një kapele, një dokument identifikimi, nuk do jetë i armatosur dhe ky është një një dallim rrënjësor nga ‘policët vullnetarë’ para viteve ’90. Ata do të jenë aktivë në çështjet e sigurisë publike. Procedura për ndërtimin e këtij shërbimi fillon me trajtimin e tyre", shprehet Dervishaj.