Si e përkufizojnë esencën e
Erosit Lasgushi dhe Migjeni

Si e përkufizojnë esencën e<br />Erosit Lasgushi dhe Migjeni
Migjeni ka lënë rruginat e mjera të Lagjes së tij të Varfun dhe është ngjitur në mes të maleve. Pse, çfarë kërkon aq larg? Do të mësojë në dukje të vërtetën e plleshmërisë së Natyrës, dëshirën e saj të panginjur dhe të pafund për t’u ripërtërirë. Dhe nga gjithë pasuria e paanë e mëmës Natyrë Migjeni, “si pa kuptuar”, zgjedh një dru të vetëm, sa i natyrës aq dhe i njeriut, pra që i hap udhë një lidhje të dyanshme. Dhe atëherë merret vesh që Migjeni shkon aq larg vetëm për t’iu gjetur më pranë Njeriut. Si i thonë këtij druri? Është Qershia, por sa e flet Migjeni bëhet qershia e tij legjendare. Në raport me Natyrën, çfarë na sjell në dritë qershia? Mbase asgjëkund gjetkë Natyra “me shtatzanë”, sikundër thotë Migjeni, nuk duket më bukur se te qershia ngarkuar me kokrra “bamë kuq si gjaku”.

Po kur e sheh njeriu këtë qershi të nusëruar, çfarë mund të vijë në dritë? Shumë gjëra bëjnë ballë, thotë Migjeni. Por mbi të gjitha shkrep në dritë Bukuria e Erosit si ripërtëritje e jetës njerëzore. Të kuqtë e qershisë është tjetër gjë. Poetë të tjerë, p.sh. Burns, parapëlqejnë të kuqtë e trëndafilit për të sjellë në dritë të vërtetën e rëndë të Erosit të tyre. Migjeni ynë parapëlqen të kuqtë e qershisë. Misteri i së kuqes të qershisë ngjan më parë të jetë larguar nga Vajza dhe vajzëria e dehur qe mezi ç’pret të bëhet nënë, dhe për t’u mbrojtur më mirë strehohet në trupin e qershisë. Pastaj kur dita vjen dhe qershia zë nusërimin e saj, ky mister të mund t’i shfaqet njeriut më mirë. Këtë sensualitet me dritë Migjeni rreket ta mbledhë në fjalën e tij. Për çfarë? Për të sjellë në dritë të vërtetën e vështirë të Erosit. Po cilën bukuri-perri ka me vete Migjeni për t’i dalë përtej kësaj pune?
           
Çudia në poetikën e Migjenit
Dhe këtu shfaqet çudia e poetikës së Migjenit pa të dytë në letrat shqip dhe aq e rrallë në letërsinë e madhe evropiane. Këtë barrë të rëndë Migjeni ia beson një Malësoreje të paemër, e harruar mes maleve ç’prej kohësh që s’mbahen mend, mbase që në zanafillë të mjerimit njerëzor. Dhe megjithatë asnjë shtojzavalle nuk bën dot atë që kjo malësore gjytyryme mund të bëjë. Pse? Sepse ajo është Nusja me shtatzanë e mjerimit shqiptar, Nusja me shtatzanë e mjerimit njerëzor.

Thotë Migjeni:
“Kur shtrohet nata, dhe ajo shtrohet në shtresat   pranë burrit dhe u lëshohet përkëdheljeve të tij mashkullore.
Dhe harrohet vuajtja e ditës, uja, në gëzimin e mahnitshëm të një çasti. Këto gëzime të natës i dhanë barrën e randë, por barrën e kandshme, të dashtun, me zemër ngushtë  të lidhun…
“ Ah, nett, nett! T’errta e të dashtuna! (Migjeni. Qershiat. Veprat. Tiranë: Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, 1983, f 249.)

Nëpër këtë hon me muzg ndryshe ngjitet me të vështirë fjala e Migjenit dhe mbledh pikë-pikë të vërtetën e rëndë të Erosit gjersa çasti vjen dhe kjo e vërtetë shkrep në dritë. Ja se ç’është në esencë Erosi, thotë Migjeni. “Jeta në vetvete përmban një gëzim, gëzimin e të qenunit “(theksimi im).[Migjeni. Qershiat, po aty, f 242]. Pra, Erosi në esencë është vetëm aq dhe asgjë më shumë: gëzim i të qenunit. Nuk është tërbimi i bishës që s’di nga qenia. Por është gëzimi i njeriut, gëzimi i të qenunit, me një fjalë: gëzimi që të nxjerr jashtë vetes. Për ku? Kah Qenies. Me këtë shkreptimë me dritë ndryshe Migjeni ngjitet në ballkonin e vizionit madhor evropian mbi Erosin.

migjeni

            Tani është vendi të risjellim pyetjen kryesore të kësaj sprove ngaqë mund t’i përgjigjemi. Erosi, ç’është në esencën e tij? Eshtë shteg – bashkimi, thotë Lasgushi. Eshtë gëzimi i të qenunit, thotë Migjeni. Çfarë shikojmë të ngrihet shkoqur para syve tanë? Që në punë të Erosit mençuria që vjen si nga fjala e Lasgushit edhe nga fjala e Migjenit është në thelb një: është energjia dhe drita që të nxjerr jashtë vetes. Kjo ngaqë vizioni i tyre erotik ngrihet mbi vizionin madhor evropian. Ky është shtrati solid që mban bashkë  Erotikën e tyre. Por ndërkaq kjo është dhe arsyeja e parë që u jep dorë atyre ta zhvillojnë aq ndryshe Erotikën e tyre të shquar.

            Tani mund të hedhim hapin tjetër e të paraqesim në dy-tri fjalë esencën e kësaj ndryshe me vlerë të Erotikës së tyre që është pa fjalë pasuri e paçmuar e Erotikës në letrat shqip.
           
Erotika e Lasgushit është ndryshe
Erotika e Lasgushit është ndryshe ngaqë Lasgushi mundi të realizojë atë që Platoni thotë për të Bukurën në përgjithësi me dy fjalë që mund vetëm të perifrazohen por jo të përkthehen. E Bukura, thotë Platoni, është εκφανεστατον και ερασμιοτατον.( Platoni. Phaedrus, po aty.) Εκφανεστατον, me fjalë të tjera, ndriçimi që vjen nga e Bukura është verbimtar, mbase si shkreptimi i rrufesë. Ερασμιοτατον, thënë ndryshe, magjepsja që vjen nga e Bukura është e përkryer tjetërlloj. Lasgushi këto dy çudi bën bashkë në fjalën e tij erotike. Kjo nuk ndodh dot dy herë në letërsinë e një vendi. Por shumë mire që është kështu pasi kjo është provë e pjekurisë së një letërsie. Ndaj Lasgushi zor të arrihet një ditë atje ku është ngjitur.

lasgush poradeci
            Këtë ndryshe të shquar të Erotikës së Lasgushit e gjejmë aty ku edhe shfaqet, në dy fjalët që janë burimet e saj parësore. Në fillim te Syri dhe pastaj te Dora. Pse syri? Sepse syri është: pamje, vizion, thea ku shkëndijon rrufeshëm drita e Qenies. Po pse dora? Për të kuptuar më mirë dritën e epërme të fjalës së Lasgushit ia vlen të risjellim këtu si përgjigje dy-tri radhët ku ai bën zbulimin e tij madhor dhe që ndërkohë i  kemi cituar:
Dhe hapa shteg-bashkimi nëpër trup: Atë të gojës, plot margaritar,    
  Atë të dorës, ndritur si zëmbak…
                    (Përjetësia)

Shteg-bashkimi tani i famshëm i Lasgushit kalon në fillim përmes “gojës”, pra përmes Fjalës, dhe pastaj fill përmes “dorës”. Si për të pohuar me hirin e fjalës së Poetit zbulimin seminal të filozofit. Fjala në fillim, thotë Heidegger, dhe pastaj dora janë streha që mbledh Qenien e njeriut. Ka dorë vetëm qenia që ka fjalën. Njeriu ka fjalën, ndaj ka dorë. Bisha nuk e ka fjalën, ndaj nuk ka dorë. Bisha ka vetëm putër. (  Shih: Martin Heidegger. Parmenides. Bloomington: Indiana University Press, 1992, f 80.)

            Çfarë thotë Lasgushi për Syrin?
Një herë: sytë e tu vetëtimtarët,
Syt’ e tu - enigm’ e kohës; syt’ e tu-çudi pa çmim;
Syt’ e tu - shkëlqim gazmuar i skëterrës dhemshurishte…
        (Sytë e tu vetëtimtarët: Lasgushi,po aty, f 130)

Pastaj, sytë e varfëruar:
Të bij përmi kraha cip’ e nusërisë…
Brenda mun në zemër bubu! cip e zisë;            
Mjer! As un’ i mjeri, ç’pata dashuruar:  
Mall i zemrës sime: këngë-e-vaj-bashkuar…
       (Sytë e Varfëruar: po aty, f 116)

Pastaj, syr’ i fshehur:
Ku m’u ndez si zjarr rrufeje  Dëshirim’ i parë,
Dhemshurisht thërret pas teje Zemërz’ e vrarë
      (Syr’ i Fshehur, po aty, 167)

Dhe pastaj, pastaj Syri është lot:
Brenda lotëve të mia të të shoh të pasqyruar   
E pastaj le të venitem, le të hesht, e le të vdes.
      (Ti Po Vjen Që Prej Së Largu, po aty, f 181)

Po për dorën, ç’thotë Lasgushi?
Dora jote ledhatarja, ësht’ e zbehtë si qiri. 
Dora jote ledhatarja lëshon dritën e dëborës…
Dor’ e bryllt’ e vashës sime, dor’ e paqme, dor’ e zbetë,
Vetëtiu me prush magjie e më bëri mendimtar.
Dora jote: zemra jote që t’u nda më pesë fasha…
            (Dora Jote Ledhatarja, po aty, f 182)

Sikundër shihet, edhe te Syri edhe te Dora digjet po një dritë e vetme. Eshtë drita e Qenies së njeriut. Porse po thamë vetëm aq, edhe pse nuk është pak, në fund të fundit nuk themi veçse gjysmën e së vërtetës të Lasgushit. Sepse pikërisht këtu ngrihet gjer në kup të qiellit një pyetje me domethënie vendimtare. Kjo dritë e pashoqe e një bukurie po të pashoqe, ku ngrihet? Ç’e mban më këmbë? Kjo pyetje ka mbetur gjermë sot pa përgjigje, jetime. Ndaj dhe ka qëlluar shumë herë që Lasgushi është lexuar gabim, është plagosur, është abuzuar ligsht. Gjithë kjo mrekulli lasgushiane është quajtur “arratisje” nga Shqipëria e tij me halle, “lektisje” nëpër Evropën e dëgjuar, një, sikundër thuhej me padituri ulëritëse “formalizëm”, edhe pse kjo fjalë nuk thotë gjekafshë. Po, Lasgushi ishte jashtë, në një mërgim sui generis - pasi ishte në thelb mërgimi i njeriut që le barkun bosh për të mësuar, dhe larg vendit të tij ai edhe krijoi pjesën më të mirë të vjershës së tij të dëgjuar. Por askush nuk merr mundimin të pyes: dëgjojmë gjëkundi në vjershën e Lasgushit të thuhet: Manastir, Athinë, Bukuresht, Vjenë, Graz? Poetë të tjerë, madje dhe me emër, joshen nga një vanitet i tillë. Në hapësirën e pamatë të Erotikës së tij të hatashme nuk ka vend për gjë tjetër por vetëm për: Liqerin, junapin, Malin e Thatë, Vijën e Ujit, shtergun e tij legjendar që mbush qiellin e pamat… Me këto shenja të përkora Lasgushi bëri të padëgjuarën: rroku edhe Qiellin edhe Tokën për të ndriçuar qenien e njeriut shqiptar.

            Edhe në këto pak radhë që cituam na vjen pa mëdyshje e  na gjen edhe tjetra, prania zotëruese e së cilës na jep tërë të Vërtetën e Lasgushit. Ç’është kjo? Është ajo që Lasgushi i thotë edhe këtu: “skëterrë dhemshurishte”, “cip’ e zisë”, “zemërzë e vrarë”, “këngë-e-vaj-bashkuar”. Është mundimi i paanë njerëzor, vuajtja e njeriut që ngrihet pareshtur kah qenies së tij. Ky mjerim njerëzor ndryshe përben venën e parë sensuale që ushqen e mban më këmbë gjithë Erotikën e mahnitshme të Lasgushit. Kjo rrënjë shqisore është e fshehur te Lasgushi pasi doemos shkon thellë që të mund të mbledhë gjithë dhembjen aty ku edhe zë fill, në të errëtit e njeriut. Por drita e Erotikës së tij digjet mbi këtë trup prej mishi e gjaku të vuajtjes njerëzore dhe ndaj digjet që të panjohurat pus të thella të kësaj vuajtje të vijnë në dritë dhe t’i hapet udha njeriut shqiptar në ngjitjen e  tij të mundimshme ndaj së Vërtetës që veç i largohet. Lasgushi krijoi dhe mediumin e tij unikal për t’i dhënë zë kësaj marrëdhënie të vështirë të Erotikës së tij me mundin e paanë njerëzor. Është Bilbili i tij i dëgjuar. Por ky bilbil nuk është zogu magjistar që dëgjojmë në zabel dhe që nuk le njeri pa trazuar. Bilbil-finoshi është shpendi biblik i fjalës së Lasgushit që “aq fshehur e thëthijnë lartësirat qiellore” por vetëm ngaqë më parë pi gjer në fund kupën e hidhur plot me “breng e përgjëratë” që i fal “gjir’ i dherit ku rreh jeta.” (Zog’ i Qiejve, po aty, f 48). Atëherë ç’është ky shpend biblik dhe ç’bën ai te Erotika e Lasgushit? Mrekullisht vetëm aq: është zemra e fjalës që rreh në zemrën e njeriut.

            Po te Migjeni ç’rrugë bën kjo ndryshe  e Erotikës që ata ndajnë? Me ato që sjell në dritë, kjo ndryshe e Migjenit është në të tëra po ajo që pamë te Lasgushi. Po me një ndryshim thelbësor. Radha e punës e Erotikës së Migjenit nuk është ajo e Erotikës së Lasgushit. Rendi që mban më këmbë Erotikën e Migjenit është përmbysja e atij që pamë te Lasgushi. Kjo është forca që i shtyn ata pashmangshëm në krah të sho-shoqit. Sepse në se Lasgushi u ngjit më lart nga të tjerët, Migjeni shkoi më larg nga të tjerët. Më tej nga Migjeni edhe të duash nuk shkon dot. Pasi më tutje fillon Asgjëja e madhe, akujt e përjetshëm të Luciferit të Dantes. Migjeni e tha dhe e bëri: i ra Ferrit “pash me pash”. Këtë llahtarë të mjerimit njerëzor e mblodhi më larg dhe më mirë nga të tjerët dhe e sjell të ndriçojë në skenën tashmë të famshme të tij:

Mjerimi tërbohet në dashuri epshore.          
Nëpër skaje t’errta, bashkë me qej, mij, mica, mbi pecat e mykta,
të qelbta, të ndyta, të lagta lakuriqen mishnat, si zhangë; të verdhë e pisa;
kapërthehen ndjenjat me fuqi shtazore,        
kafshojnë,përpijnë,thithen, puthen buzët e ndragta edhe shuhet uja, dhe fashitet etja           
n’epshin kapërthyes, kur mbytet vetvetja.
              (Poema e Mjerimit, po aty, f 98)

            Është një sensualitet ndryshe në të tëra, i padëgjuar më parë në letrat shqip dhe mbase më gjerë në letrat evropiane. Është po ai sensualitet i egër, shkatërrimtar, si i vëllezërve Karamazov të mjeshtrit Dostojevski, dhe mbase diçka më shumë pasi hapësira është shumë më e vogël dhe ndriçimi prandaj më i dendur. Dhe përsëri duke pohuar këtë ne nuk themi veçse gjysmën e së Vërtetës të Migjenit. Pasi - le ta përsërisim - te Migjeni zotëron ky sensualitet llahtarë, në të tëra ndryshe. Po ku është drita? Këtu zë fill keqkuptimi i madh me Migjenin. Migjeni as e kërkon dhe as e mbledh këtë sensualitet llahtarë ngaqë thjesht i dhemb njeriu i Mjerimit. Ai edhe e kërkon si rrallë kush edhe e mbledh këtë sensualitet të nëmur ngaqë kërkon të gjejë dritën shpresëdhënëse që digjet zbehtë, aq zbehtë përfund tij. Kjo është gjenia e Migjenit. Çfarë sjell Migjeni me ndriçimin përvëlues në skenën zanafillore të Erotikës së tij ndryshe? Filthin erotik në paskajshmërinë e tij vrastare. Kapërcehet kufiri kritik dhe njeriu rrezikon të rroposet pa kthim.

Erotika, nga e njeriut, bëhet e tëra kundër njeriut. Pasi tashmë ajo nuk është liria që njohim por dy herë robëri. Pse? Sepse shfaqet si “ilaç” kur në thelb është helm e shkuar helmit. Ka më poshtë se aq? Gjer këtu zbriti Migjeni por ai zbriti aq thellë vetëm që të ngrihet bashkë me Njeriun e tij të Mjerimit. Fjala  që mbyll skenën që cituam është: vetvetja. Kjo është e  tëra. Ajo që humb, ajo që “mbytet” është ne thelb vetvetja. Ky është ylli që tani udhëheq Migjenin në kërkimin e tij heroik. Gjithë puna është të rifitohet vetja, të kapërcehet ajo. Ngjitja dhe shpëtimi këtej fillon. Ky është zbulimi udhërrëfyes i Migjenit që ai e mbledh dhe e le të ndriçojë në aforizmën e tij aq të mençur: gëzimi i të qenunit.

Ja se qysh, fshehur në fundin e zi të Mjerimit të paemër shqiptar, Migjeni mundi të pikas atë pikël të përrallshme drite, shkëndijën e tij biblike në metamorfozën e saj të pandalshme, që u bëhet motër yjve të qiellit dhe luan me ta,  që rritet dhe bëhet më tej aq shumë: ndërgjegje pa dyshime në bisedën e dëgjuar me Niçen, gjersa vjen dita dhe kjo shkëndi zotëron qiellin e paanë, bëhet e tëra e Migjenit dhe flet ngadhnjyeshëm ta dëgjojë gjithë Evropa: Ngadhnim ndërgjegje dhe mendimi të lirë. Pastaj Migjeni ngriti më këmbë dhe mjetin e tij për t’i dhënë zë kësaj lirie të pashoqe të Erotikës së tij  mbathur me Baltën llahtarë të Mjerimit. Eshtë përsëri një shpend biblik por tani ndryshe në të tëra. E kish kërkuar mjerimi njerëzor atë një jetë të tërë por për ta gjetur e gjeti Poeti shqiptar i Mjerimit.  Si e quan Migjeni atë? Shqiponjë me krah të thyem. Eshtë pa fjalë një ndër strukturat më të ndritura të ngritura ndonjëherë në letërsinë e madhe evropiane të Ekzistencës.

            Tani pyetja a takohen Lasgushi me Migjenin ngjan e tepërt. Mbetet të pyesim si takohen dhe ku takohen. Ata takohen në rrugëtim, sikush hipur mbi shpendin e tij biblik, të zënë me projektin e tyre të pambaruar. Kështu takohet koha në Momentin e saj që është streha e qenies së njeriut. Po ata ku takohen? Këtë e di Lasgushi dhe na e thotë në vjershën që mbledh gjithë dritën e mahnitshme të Erotikës së tij. Thotë Lasgushi:
Ju lule q’u leu parëvera,     Dh’u çika me gaz një mëngjes! Së largu prej jush më ra era, E desha prej mallit të vdes!
  (Erë Trëndelinë, po aty, f 176)

            Unë nuk di në ka lindur ndërkohë apo në do të lind një ditë zëri njerëzor që mund të mbajë këtë shpërthim të pazakontë drite apo këtë energji buisëse që është e tëra e njeriut dhe për njeriun. Është Njeriu dhe Natyra, me më të mirën e tyre, që këmbejnë vend pareshtur, hyjnë  e dalin lirshëm në njeri tjetrin. Për çfarë? Për të shfaqur e sjellë në dritë jo gjë tjetër por përkryerjen erotike  të Njeriut. Ndodh ajo që na arrin e na gjen tepër rrallë dhe me të vështirë: njeriu më në fund ka gjetur shteg-bashkimin që e nxjerr mrekullisht përtej vetes dhe i gëzohet këtij “gazi” njerëzor të të qenunit përtej vetes, kjo transcendencë e vështirë nuk është veçse erë që njeriu e mëson kur ndërkohë kufiri arrihet duke u kapërcyer, kur, me fjalë të tjera, njeriu s’është më, që rrugëtimi i tij i njohjes të mund të vazhdojë pa u ndalur. Pasi vetëm vdekja mund të mbledhë Qenien. Sepse në esencë qenja e njeriut e tillë është: gjithçka dhe asgjë.

            Atëherë çfarë mbledh kjo strehë dhe çfarë mban ajo në vlim ndriçues përherë? Është çasti i lumtur kur dy strukturat e ndritura të Erotikës sonë: shteg-bashkimi i Lasgushit dhe gëzimi i të qenunit të Migjenit përkiten  për një grimë në rrugëtimin e tyre të pambaruar dhe nga kjo përkitje e beftë lind drita që na çon drejt e në thelbin e Erotikës në letrat shqip. Është vërtetë shumë. Ndaj kjo strehë s’mund të jetë ndryshe veçse, ashtu sikundër do të thoshte Faik Konitza, e  mbaruar së gjithash.

Pjesa e parë e këtij studimi u botua në Rilindasin e datës 22 shtator 2013

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024