Si e raportuan bashkëvuajtësit
poetin Havzi Nela

Si e raportuan bashkëvuajtësit<br />poetin Havzi Nela<br>
Procedurat hetimore fillojnë me 30 maj 1975 dhe përfundojnë me 15 korrik të po atij viti. Më parë se të niste çeshtja në ngarkim të tij ishte parapërgatitë terreni. N’atë lojë tinëzare të nisur më heret, punëtori operativ Fejzi Liçi, në përgjim dhe përndjekje të Havzi Nelës, mu aty brenda zgafellës gjen dhe ve në lëvizje bashkëvuajtës me H. Nelën, raportues me dëshirë ose jo, ndoshta të nxitur me premtimin për ulje dënimi a diçka tjetër që tash njëfarësoj edhe mund ta marrim me mend. Por edhe njerëz të lëkundshëm, të thyeshëm natyrisht.

Para se të niste procedimi hetimor asgjë nuk dimë më tepër për lojën që u përdor, rrethanat, etj, etj. Veçse mësojmë në fillimin e çeshtjes penale “Se i quajturi Havzi Shaban Nela, duke qenë i ridënuar në kampin e riedukimit 303, Spaç, ka agjituar e propaganduar ndër të dënuar për minimin e dobësimin e pushtetit tonë popullor, krim ky që parashikohet në bazë të nenit 73/I-rë i K. P.”

Me nisjen dhe gjatë procedurave hetimore mësojmë shumë e shumë gjëra, që nga marrja në pyetje e H. Nelës, rrëfimet e kallëzuesve, etj., etj.

Situata që shpalohet është e rëndë, krejt e padashur, gati - gati surreale që ia shton më tepër zymtinë qelisë ku luhej skena.

Duhej që i akuzuari H. Nela të kryqëzohej edhe aty brenda qelisë së Rrëshenit.

Para se ta sillnin aty i kish kryer do vjet burgim në kamp-burgun e Spaçit, pikërisht “Këtu në Spaç në vorr të ri” (siç do të thoshte në poemën “Fluturon shqiponjë e malit”), bashkëvuajtës edhe me ata, të cilët kishin regjistruar me vëmendje çdo fjalë të tij dhe tani, pa fije pezmi në fytyrë e shpirt duhet të vijnë te hetuesi pa kurrfarë pendese e të rirrëfejnë çka u kish thënë njeriu që gjendej i akuzuar, anipse kishin rrëfyer më parë hollësisht te operativi i kamp - burgut. Regjimi rrekej të baltoste çdokënd, madje edhe të hidhte të vuajturit nëpër kampe kundër njëri - tjetrit. E natyrisht, mes të vuajturish gjendeshin edhe njerëz të lëkundur, të paqendrueshëm, aqsa të raportonin edhe shokun e tyre të bashkëvuajtjes dhe ai të ridënohej. “U mboll vendi me spiunë”, do të thoshte më vonë H. Nela në poezinë “Luftë klasash, diktaturë”.

Tashmë skena ku do luhej drama e H. Nelës është e gatshme, e përgatitur me tepër kujdes.

Regjisori ka përgatitur lojësit (aktorët) dhe pritet vetëm shfaqja e dramës.

Të gjithë lojësit e dramës (përveç H. Nelës për të cilin luhej drama), do jenë të kënaqur me realizimin deri n’imti dhe pa kurrfarë mungese të pjesëve të saj.

Por gjatë vënies së dramës në skenë, shpesh prishet rrjedha. H. Nela pranon të merret në pyetje nga hetuesi Shaban Dani, shpreh prap mospajtimet dhe kundërshtitë e veta të hapta me regjimin, siç pranon gjithashtu ato gjëra ç’u kish thënë kallëzuesve, por, teksa ka pranuar megjithatë t’i lexohen kallëzimet e tyre kundërshton shtesat në dëshmitë e tyre.

Në anën tjetër, dinjitari H. Nela i le kallëzuesit në ngrohtësinë e tyre të rreme, krejt të shplueshme dhe nuk pranon ballafaqimin me katër prej tyre:

“Unë përveç atyre që kam shpjeguar më parë, kam për të thënë se me dëshmitarët: Zenel B., Nazmi B., Naim U., Agustin P., nuk pranoj në asnjë mënyrë të ballafaqohem me ta dhe në rast se do të më detyrojnë me më ballafaque në hetuesi me këto persona, unë do të bëj skandal dhe nuk u përgjigjem fare thënkave të tyre, se ata janë njerëz pa dinjitet për mua”. (Dosja 9912/3-A, f. 25, Viti 1975)

Megjithatë, sipas një dëshmie, në dhjetor të 1986-s H. Nela thoshte:

“Unë i rrëzova edhe me sy ato që më raportuen në Spaç. Edhe hetuesin. Kur jepja shpjegime hetuesi s’më kqyrte në sy. Mora vesh ma vonë se njani prej tyne, Naim U., mbasi më ridënuen kishte përtypë zhivën e shkrepses dhe e kishin çue në spital. Ndoshta ishte pendue pse më raportoi. E kam falë. Edhe ato pesë të tjerët që më raportuen. Burgu i Spaçit ishte ferr. E aty kishte edhe njerëz që ligështoheshin e dorëzoheshin”. (Dëshmi e vëllezërve Asllan dhe Shukri Nela, dhënë autorit të këtyre radhëve, Kollovoz, 18 qershor 1996)

Në anën tjetër, afërmendsh se në vitin 1975 u gjendën do vetë jo sojtarë prej bashkëvuajtësve me H. Nelën, ta përndiqnin dhe ta raportonin se ç’fliste ai, tek u shfaqte drejtadrejt mendimet kundër regjimit, qindra e qindra bashkëvuajtës të tjerë u munduan ta ruanin atë, t’i përkrahin mendimet e tij, siç ua përkrahte ai mendimet e tyre n’atë kohë të veshur me vrantësi e terr.

Krejt natyrshëm, bisedat ndërmjet tyre fisnikëroheshin, merrnin rreze dielli edhe në skutinat më t’errta të kamp - burgjeve. Kësisoj, në rrëfimet e shumë ish - bashkëvuajtësve, si P. Arbnori, U. Kalakula, K. Trebeshina, V. Zhiti, I. Dida, F. Kupi, B. Çoku, A. Musta, P. Doçi, etj., shpalohet dhe zbërthehet më së miri kodi i komunikimit të H. Nelës. Një kod që vinte prej vizionit të dritës së arsyeshme.

TË DHËNA PËR RAPORTUESIT (KALLËZUESIT)

Të dhënat për kallëzuesit e H. Nelës janë të zakonshme.

Vetëm për tre prej tyre në dosjen hetimore shënohet arsyeja e dënimit (Petro D., për agjitacion e propagandë kundër shtetit; Agustin P. dhe Nazmi B., për krime kundër shtetit), ndërsa për tre të tjerët nuk shënohet arsyeja e dënimit.

Ata rrëfehen para hetuesit në datën 9 korrik, ndërsa me 12 korrik i lexohen H. Nelës kallëzimet e tyre.

Me 15 korrik H. Nela merret në pyetje prej hetuesit në prani të prokurorit Hulusi Topollaj dhe thotë: “Me dëshmitarët Zenel B., Nazmi B., Naim U. dhe Agustin P. nuk pranoj në asnjë mënyrë të ballafaqohem me ta dhe në rast se do të më detyrojnë me më ballafaque në hetuesi me këto persona, unë do të bëj skandal dhe nuk u përgjigjem fare thënkave të tyre, se ata janë njerëz pa dinjitet për mua”. I vetmi ballafaqim është po me 15 korrik ndërmjet H. Nelës dhe Sotir D.

***

Sotir D., i biri i T. dhe i V., i datëlindjes 1925, lindur në katundin Bodar të Përmetit e banues familjarisht në qytetin e Durrësit, me arsim një klasë të mesme, me profesion marinar, i dënuar me 15 vjet heqje të lirisë.

Petro D., i biri i L. dhe M., i datëlindjes 1930, lindur në Përmet e banues në Tiranë familjarisht, me arsim të mesëm, me profesion teknik i mesëm, i dënuar me 4 vjet heqje të lirisë për agjitacion e propagandë kundër shtetit.

Agustin P., i biri i M. dhe i M., i datëlindjes 1939, lindur e banues në fshatin Gurëz të Krujës, me arsim të mesëm, i dënuar për krime kundër shtetit, me profesion kuzhinier.

Naim U., i biri i M. dhe S., i datëlindjes 1947, lindur dhe banues në fshatin Borje të rrethit Kukës, me arsim të mesëm, me profesion marangoz, i dënuar me 20 vjet heqje të lirisë.

Zenel B., i biri i H. dhe i R., i datëlindjes 1929, lindur dhe banues familjarisht në katundin Pjeç të rrethit Dibër, me arsim fillor, me profesion bujk, i dënuar me 20 vjet heqje të lirisë.

Nazmi B., i biri i H. dhe H., i datëlindjes 1947, lindur e banues familjarisht në Tiranë, me arsim të mesëm, i dënuar për krime kundër shtetit.

PJESË NGA KALLËZIMET…

Kallëzuesi SOTIR D.:

“… Unë, këtu në Kampin 303 Spaç jam që nga fillimi e tani në vazhdim. Të dënuarin Havzi Nela e kam njohur qe tash dy vjet, kohë në të cilën ai ka ardhun në Kampin e Spaçit. Këtë e kam pasur në punë shumë herë në turnin tim. Kemi ndejur e fjetur edhe në një dhomë e kështu jam njohur me të. Marrëdhëniet me këtë i kam pasur të mira, ashtu si me shumë të tjerë dhe nuk kam pasur ndonjë rast të jem grindur apo të kem bërë fjalë me të.

… Mbaj mend mirë se ka qenë muaji shtator 1974, një ditë mbasdreke kur ishim turni II-të te pjacalja duke biseduar me Havzi Nelën. Ky më tha se Beqir Balluku nuk po duket më fare, se edhe fotografitë ia kanë hequr, se kam marrë vesh se ai është arratisur për në Bullgari bashkë me oficera të tjerë madhorë, si Rrahman Parllakun, Hamdi Matin e shumë të tjerë, se një pjesë i kanë arrestuar e kanë bërë një pastrim të fortë në ushtri. Ai thonte se Beqir Balluku kishte shtruar përpara Byrosë politike të Komitetit Qendror të Partisë që Shqipëria nuk duhet të rrijë e veçuar, por ajo duhet të kthejë sytë nga vendet e tjera të botës perëndimore e lindore e llafe të tjera e për këtë atë duhet ta kenë hequr. Ai thoshte se të gjithë ato kuadro që kanë studjuar në B. S., nuk mundet të pajtohen me politikën e këtyre, prandaj ato do t’i heqin e të nxjerrin të rinj që t’u përshtaten politikës këtyre, se vetë koha e kërkon, se populli po vuan nga ana ekonomike dhe pushteti këtu i ka ditët e numërueme dhe se këto do t’i hanë kryet njëri - tjetrit, etj.

Më kujtohet se në një bisedë tjetër, Havzi Nela më ka thënë se Konferenca e Sigurimit Europian është pozitive për të gjithë popujt e Europës, edhe për popullin tonë, pamvarësisht se këta nuk marrin pjesë në këtë konferencë. Se kjo konferencë do t’i sigurojë të gjithë popujt e Europës nga luftërat, do të bëjë që ekonomija të zhvillohet me shpejtësi, kultura e shkenca do të rritet në nivel të lartë, se kohërat kanë ndryshuar e bota është në zhvillim e tjera llafe. Po kështu tha se Shqipërija, pamvarësisht se nuk merr pjesë në këtë konferencë, përfundimisht është e detyruar të zbatojë vendimet e saja se nuk mund të rrijë e veçuar se nuk e lënë shtetet e mëdha dhe si përfundim njerëzit këtu do të gëzojnë liri të plotë me shkue atje ku të duan e kur të duan. Ai thonte se në Perëndim njerëzit janë të lirë të bëjnë greva, të shkruajnë e të flasin për kundër sistemit në fuqi e kësaj i thonë liri, ndërsa këtu thonte ai po të flasësh edhe një fjalë kundër sistemit të fusin në burg e të marrin jetën e shumë llafe të tjera. Me një fjalë, Havziu fliste hapur kundër sistemit socialist, bile kur ia kundërshtoje thonte unë kam mendimet e pikëpamjet e mija për këtë çeshtje.

Më kujtohet në një rast, në vjeshtën e vitit kaluar, më kujtohet se kemi qenë te Galerija 19, në zonën e dytë te barakja dhe Havzi Nela hyri në debate me të dënuarin Petro B. për çeshtje politike. Këtu ndigjova se Havzi Nela i fliste Petros për lirinë e demokracinë amerikane duke e krahasuar me vendin tonë. Havziu thoshte se alamet president i Shteteve të Bashkueme të Amerikës, Gjerald Ford, kur hypi në fuqi bëri betimin para Gjykatës së lartë, se presidenti Nikson doli përpara gjyqit e tjera llafe, ndërsa këtu në Shqipëri ata të mëdhenjtë nuk bëjnë betime e nuk japin llogari. Ndërsa Petro D. i thonte nuk është ashtu, se edhe këtu të gjithë ato që kanë bërë faje i kanë dënuar, pamvarësisht se kanë qenë të mëdhenj dhe ia shpjegonte që me tradhëtinë e grupeve që kanë dalë në vendin tonë, mirëpo Havziut nuk i mbushej mendja se e konsideronte veten si njeri shumë i ngritur se kishte qenë arsimtar e studjonte libra. Bile i kam pasë thënë: Mos fol kështu se do të çojnë në izolim në Burrel! Ai më thoshte se këtë dua unë se atje është më mirë, se atje ka një bibliotekë të mirë e kam mundësi me studiue më shumë e nuk heqi dorë nga rruga e jeme dhe këtë që ta them ty ia them kujtdo, etj.” (Dosja 9912/3-A, f. 26-27 (Viti 1975)

Kallëzuesi PETRO D.:

“… Unë kam ardhur në Kampin e Spaçit në muajin shkurt 1974 dhe më vonë jam njohur këtu në kamp me të dënuarin Havzi Nela nga rrethi i Kukësit. Ai punonte në Planin e Pjerrtë, vagonist në transportim materiali, ndërsa unë punoja në mirëmbajtje dhe pregatitsha baltë për minat për në zonën e dytë dhe kështu jam njohur me këtë. Marrëdhëniet me këtë Havzinë i kam pasur të mira.

… Me sa mbaj mend ka qenë muaji tetor 1974, kur kemi qenë një ditë te Galeria 19, te barakja. Havziu ndërhyni në biseda politike duke thënë se në Amerikë ka liri e demokraci të vërtetë për njerëzit e nuk është ashtu si thuhet këtu se atje s’ka liri e demokraci. Këtë, tha Havziu e tregon edhe thirrja në gjyq e presidentit amerikan Nikson dhe se atë e hoqën nga posti dhe, megjithëse unë ia kundërshtova ai qëndronte në të tijën dhe mundohej që t’i shpjegonte e t’u mbushte mendjen të tjerëve. Po kështu tha se ja, këtu nuk ka liri sepse të dënojnë edhe për një llaf e pse të bëjmë kaq vjet burg e tjera, llafe të cilat i ka ndigjuar me sa di unë edhe Sotir D. që ishte atyafër dhe tha: Leni këto llafe e shkoni në punë”. (Po aty, f. 28)

Kallëzuesi AGUSTIN P.:

“… Unë, Havzi Nelën e kam njohur këtu, në Kampin e Spaçit, që nga viti 1971 e në vazhdim deri para dy muajsh. Unë për një kohë kam qenë brigadier i të dënuarve dhe kam punuar në Kampin e Pjerrtë dhe Havziun e kam pasur në brigadë gjatë vitit 1973 dhe me këtë s’kam pasur asgjë të keqe, vetëm se shpeshherë i kam folë për çeshtjen e punës se nuk punonte mirë; ai kundërshtonte të gjithë planet e punës që shtroja unë përpara brigadës. Thonte se puno për këtë punë ti e llafe të tjera.

… Thonte se këto gjëra do të sigurohen e do të rregullohen nga Konferenca e Sigurimit Europian, e cila është në dobi të gjithë popujve dhe për ne, se këtu ka diktaturë të fortë për popullin, por do të marrë fund shpejt se i kanë ditët e numërueme, etj.

Po kështu më kujtohet se në një rast i kishin ardhun në takim i vëllai i tij bashkë me kunatën dhe se kur kishte vajtun në takim tha Havziu, ata e kishin pyetur si po e kaloni këtu dhe se ky u ishte përgjigjur se sa për bukë e punë e hu kena boll dhe se ia kishin ndërprerë takimin. Tha se këto kështu bëjnë se janë këlyshët e Enver Hoxhës e maskarej e shante.” (Po aty, f. 30).

Kallëzuesi NAIM U.:

“… Në bisedat që kam pasur me Havzi Nelën, ai fliste me urrejtje për pushtetin popullor në Shqipëri. Më ka thënë se këtu nuk ka liri e demokraci, sepse ka diktaturë të fortë, se i dënojnë njerëzit kot sepse dalin jashtë shtetit, kurse në vendet e tjera arratisja nuk dënohet, se jeta ekonomike e vendit tonë në krahasim me vendet e tjera të botës është e dobët, se liritë e njerëzve këtu janë të kufizueme e llafe të tjera.

Kur ndodhën ngjarjet në Qipro, Havziu thonte se shtypi e radio e Shqipërisë nuk thonë të vërtetën për këtë ngjarje, se Bashkimi Sovjetik nuk është shtet revizionist siç propagandohet këtu, por këta e bëjnë këtë propagandë nga frika se mos Bashkimi Sovjetik do të hyjë në Qipro e të vijë e të sulmojë edhe Shqipërinë, se këto janë nga ato që u trembën nga 600 burra të revoltës në Kampin e Spaçit, të cilët ishin pa armë e jo më të mos kenë frikë nga ata të huajt. Por sido që të jetë puna, kur të marrë fund Konferenca e Sigurimit Europian dhe këto do të marrin fund, etj., që tani nuk i mbaj edhe mend.” (Po aty, f. 31)

Kallëzuesi ZENEL B.:

“... Me sa më kujtohet, ka qenë aty nga mesi i muajit nëntor 1974, mbas dreke, kur ishim në tarracën e banjave në kampin 303, Spaç, duke shëtitur me të dënuarin Havzi Nela nga rrethi i Kukësit, ramë në bisedë për festën e 30 - vjetorit të çlirimit të atdheut, duke pasur shpresë për ndonjë falje të dënimit tonë. Në këtë rast, Havzi Nela më tha: Lirim mos prit se nuk ka.

... Se udhëheqësve të tjerë këtu u ka ardhur fundi, se u ka ardhur litari në grykë dhe se fuqitë e mëdha, Shtetet e Bashkueme të Amerikës dhe Bashkimi Sovjetik do t’i detyrojnë me lëshue këtë vend.

 ... Kam parë se edhe kur ndodhi revolta e Spaçit nga të dënuarit në kampin e Spaçit ka qenë njeriu më aktiv në të duke hedhur parulla për kundër pushtetit e partisë; ka marrë pjesë në mbledhjen ndërkrahinore që u bë si përfaqësues i rrethit të Kukësit, etj”. (Po aty, f. 32)

 Kallëzuesi NAZMI B.:

“… Meqenëse unë jam me origjinë nga Kukësi, ky më është më afruar mua e kemi ndejtur e biseduar shpeshherë.

Ky paraqitesh si person i ngritur nga niveli kulturës. Nga bisedat që bënim, Havziu fliste me urrejtje për pushtetin popullor. Thoshte se këto i dënojnë njerëzit kot, se këto kanë ligje të tmerrshme, saqë nuk i ka asnjë shtet i botës, se për një arratisje të kalbin me 10 vjet burg, kurse në vende të tjera këto gjëra nuk dënohen fare se njerëzit janë të lirë ku të duan e të flasin e të shkruajnë ato që mendojnë edhe për kundër sistemit. Ky thonte se e turpëruan rininë e popullin duke bërë vepra ndërtimi në aksione sepse nuk kanë mjete financiare për të bërë investime; kësaj nuk i thonë jetë për njerëzit, por vuajtje e skamje dhe e kanë mbushur vendin me burgje e kampe më zi se Hitleri duke i shfarosur njerëzit e ky është sistemi i komunizmit thonte, etj.

Më thonte se në vendet e Perëndimit, muzika, arti, kultura, shkenca e niveli i jetesës popullit ka arritur kulmin e zhvillimit e nuk është si këtu që nuk ka asnjë zhvillim. Njerëzit këtu punojnë gjithë ditën e nuk shikojnë një ditë të bardhë. Ai i fliste hapur këto gjëra, jo vetëm me të tjerë, se e konsideronte sikur këtë e kishte të drejtë të fliste; thonte se për këto gjëra kam pikëpamjet e mija e i flas para kujtdo po ta lypë nevoja.

Kur ishim në frontin e punës propagandonte mos me punue shumë për realizimin e planit shtetit; thonte se këta të marrin jetën e nuk të falin kurrë sado që të punojsh, sepse ne armiqtë e këtyre jemi. Më ka thënë se ka qenë arratisur në Jugosllavi dhe mbasi kishte qëndruar tre javë e kishin kthyer në Shqipëri organet e UDB-së dhe e kishin dënuar.” (Po aty, f. 33 - 34)

                                    

***

 

Në krye të tetë vjetëve mbas dënimit të parë, erdhi ridënimi i poetit Havzi Nela.

Më 8 gusht të vitit 1975, Gjykata e rrethit Mirditë e dënoi me tetë vjet heqje lirie: “Për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”, ndërsa vendimi i formës së prerë iu dha me 13 gusht.

Edhe pse mori ridënimin, për katër muaj të tjerë vazhdojnë prap ta mbajnë në qeli.

Në fund të poemës “Fluturon shqiponj’ e malit” gjendet shënimi:

"Kjo poemë e ndame në kangë u hartue në birucat e Rrëshenit, kur unë isha në vuejtje dhe në nji mërzi të randë, për shkak se, megjithëse kisha mbarue punë me hetuesin dhe kisha dalë edhe në gjyq (me 8 gusht 1975), vazhdonin të më mbanin ashtu, në kondita shumë të vështira jete. Pra, isha në muejin e gjashtë të qendrimit tim në atë qeli, kur më lindi ideja për atë poemë. Nuk kisha as laps as fletore, por frymëzimi që më lindi dhe dëshira për të ba diçka edhe në ato kondita të vështira, më bani t'ia filloj punës dhe ia nisa hartimit vetëm në mendje dhe ato që nxirrja i përsëritsha po me mend, me qëllim që t'i ngulja në kujtesë për mos me i harrue. Në fillim i nxora pjesët të shkëputuna, por ma vonë më lindi mendimi me i bashkue, duke krijue edhe nji farë lidhje midis tyne. Duke e përsëritë herë pas here, për rreth 8 vjet, munda që ta ruej të pashlyeme nga kujtesa”.

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë