Si e shpërbleu Berisha me post drejtori Haki Hoxhën, i kallëzuar për vrasjen e 4 vëllezërve Haklaj! Pjesë e grupit edhe Myftar Lumneshi, transaksione me Shkëlzen Berishën

Si e shpërbleu Berisha me post drejtori Haki Hoxhën, i kallëzuar për vrasjen e 4 vëllezërve Haklaj! Pjesë e grupit edhe Myftar Lumneshi, transaksione me Shkëlzen Berishën

Me rreth të kuq, Myftar Lumneshi dhe Haki Hoxha

Motra e madhe e vëllezërve Haklaj, Aishe Haklaj, dëshmoi dje për më shumë se sa 12 orë SPAK mbi një sagë krimesh nga Tirana deri në Tropojë, përfshirë edhe vrasjen e katër vëllezërve të saj, Shkëlqim, Halil, Fatmir dhe Ylli Haklajt, disa atentate me mina, djegie dhe hedhje në erë me tritol të kullës së Haklajve, dhunim varresh etj. Në kallëzim penal që Muharrem dhe Zylfije Haklaj kanë referuar në SPAK në 7 shtator 2020, Sali Berisha akuzohet si nxitësi, orkestruesi dhe financuesi i vrasjes së katër vëllezërve Haklaj dhe njerëzve të tyre. Në kallëzim, por edhe në investigime mediatike si dhe në një raport sekret të Shërbimit Informativ Shtetëror, Haki Hoxha akuzohet si kreu i grupit që goditi Haklajt, sipas kallëzimit, për llogari të Berishës.

Lista e të kallëzuarave kryesohet nga Sali Berisha, duke vijuar me Përparim Hyka, Myftar Lumneshi, Hajredin Haluci, Haki Hoxha, Tahir Hoxha, Iljaz Hoxha, Ilir Hoxha, Selim Hoxha, Agim Hoxha, Çut Neza, Sadri Neza, Xhaferr Hoxha, Medi Hoxha dhe Guxim Byberi. Për sagën e krimeve të rënda nuk ka asnjë të ndëshkuar deri më sot nga drejtësia. Ka vetëm regjistrime penale dhe mbyllje dosjesh.

I konsideruari nga një raport sekret i SHISH si kreut i grupit, Haki Hoxha, është shpërblyer nga Sali Berisha pasi erdhi në pushtet në vitin 2005, duke e emëruar drejtor i Zjarrfikëses në Tiranë. Hoxha e ka mbajtur këtë detyrë deri në vitin 2013, kur Berisha u larguar nga pushteti. Sigurisht që Haki Hoxha prezumohet i pafajshëm në mungesë të një vendimi gjykate. Por është një praktikë e zakonshme e Sali Berishës shpërblimi me poste publike të personazheve të akuzuar për krime të rënda, si vrasje dhe zhdukje të kundërshtarëve të tij politikë.

Berisha shpërbleu Arben Sefgjinin, i arrestuar në 2003 si i implikuar në zhdukjen e shqiptaro-maqedonasit Remzi Hoxha nga SHIK-u famëkeq. Fillimisht Berisha e emëroi Sefgjinin drejtor të Përgjithshëm të Përmbarimit dhe më pas drejtor të Përgjithshëm i Tatimeve. Berisha nuk e largoi as kur Sefgjini ishte në arrest shtëpie, fakt i cili u bë objekt i kabllogrameve që Ambasada Amerikane në Tiranë i dërgonte Departamentit Amerikan të Shtetit. Përfaqësitë e huaja diplomatike në Tiranë u skandalizuan nga fakti se si drejtuesi i një prej degëve më të rëndësishme të qeverisjes ushtronte detyrën nga arresti shtëpiak dhe Berisha nuk e zëvendësonte. Berisha shpërbleu me post edhe vetë ish kreun e SHIK-ut famëkeq, Bashkim Gazideden. Pas vdekjes, Xhelal Mziu i vendosi një rruge në Bathore emrin e Gazidedes.

Duke u ndaluar tek hetimet e SPAK-ut për vrasjet në Tropojë, i kallëzuar rezulton edhe Myftar Lumneshi, një biznesmen pranë Sali Berishës. Myftar Lumneshi është vëllai i Rasim Lumneshit, ish mik personal i Sali Berishës, mbështetës i zjarrtë dhe sponsor i PD-së. Lumneshi u vra në mes të Tropojës më 2 prill 2002.

Haklajt kishin dyshime se Rasim Lumneshi kishte gisht në disa atentate ndaj tyre, përfshirë edhe ndaj vëllait të vogël, Yllit. Ata dyshonin se Lumneshi, pasi ishte bashkuar me kundërshtarët e tyre dhe me Berishën, kishte sponsorizuar atentatet ndaj tyre. Për vrasjen e Rasim Lumneshit është dënuar Zylfije Haklaj, e njohur si ‘Shota e Haklajve’. Zylfije Haklaj, e cila ka marrë azil në Suedi, në disa intervista, as nuk e ka mohuar dhe as nuk e ka pohuar krimin e rëndë.

Më herët, Lumneshi kishte qenë mik me Haklajt, por ndërhyrja e politikës dhe Sali Berishës, besohet se solli grindjen. Myftar Lumneshi, vëllai i Rasim Lumneshit, u akuzua nga Lulzim Basha si personazh me të shkuar të errët, i rreshtuar në krah të Berishës, madje edhe të tentativave të Berishës, për të marrë me forcë selinë e PD-së.

Myftar Lumneshi rezulton se i ka blerë Shkëlzen Berishës një apartament dhe garazh tek ETC-ja në Tiranë për 600 mijë euro. Këtë pasuri, Shkëlzen Berisha e kishte blerë në vitin 2013 për 346 mijë euro. Ky transaksion tregon për lidhjet e afërta të Familjes Berisha për grupin që akuzohet nga Familja Haklaj për vrasjen e 4 vëllezërve si dhe për krime të tjera. Në janar të vitit 2022, deputeti demokrat Gazmend Bardhi tha se Myftar Lumneshi ishte një trafikant droge që po shoqëronte Berishën për të marrë me dhunë selinë e PD-së.

SI.E./B.V/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rama njoftoi se do e mbyllë, personazhet shqiptarë të TikTok-ut gjejnë zgjidhjen tek një tjetër aplikacion

Rama njoftoi se do e mbyllë, personazhet shqiptarë të TikTok-ut gjejnë zgjidhjen tek një tjetër aplikacion