Si funksionuan Sindikatat në
Shqipërinë e 45 - 46/Tuk Jakova

Si funksionuan Sindikatat në<br />Shqipërinë e 45 - 46/Tuk Jakova
Pas çlirimit të vendit, që në ditët e para u punua për rivënien në punë të ndërmarrjeve dhe për hapjen e vendeve të reja të punës. Por shtimi i puntorëve dhe rritja e rolit të tyre në zhvillimin e vendit shtroi detyrën për organizimin sindikal. Detyrën për themelimin e Sindikatave e mori përsipër Tuk Jakova, njëri nga drejtuesit kryesorë politikë në vend, ish punëtor.

Ai ishte marrë personalisht me punën organizative deri në Kongresin e Parë Sindikal që krijoi institucionet e përherëshme të organizatës. Tuk Jakova kishte marr pjesë në lëvizjen sindikaliste në Shkodër, kishte qenë një nga drejtuesit e  Grupit Komunist të Shkodrës dhe e kishte ndjekur nga afër rritjen e lëvizjes sindikale në këtë qytet që ishte nismëtar i zhvillimeve sindikale në vend. Menjëherë pas çlirimit, me nismën e Tuk Jakovës, në Shkodër ishte krijuar Sindikata e Përbashkët e Puntorëve dhe Pronarëve të Vegjël. Megjithëse vendi po hynte në rrugën e sistemit njëpartiak, në Rezolucionin dhe Statutin që miratoi Kongresi i Parë i Sindikatave, theksohej se “sindikatat duhej të njiheshin si një forcë ligjore, përfaqësuese e pavarur e punëtorëve dhe nëpunësve të Shqipërisë. Gjithashtu theksohej se duhet t’u garantohej me ligj punëtorëve e drejta e shpalljes së kerkesave ekonomike si dhe e drejta e organizimit të grevës së pjesëshme e të përgjithshme”. Bashkimi i Sindikatave në atë kohë kishte pavarësi relative, se dhe partia komuniste nuk kishte dale akoma nga ilegaliteti dhe nuk ishte deklaruar “forcë udhëheqëse e shtetit dhe e shoqërisë ”. Këto të drejta u hoqën më vonë, kur Bashkimet Profesionale dhe të gjithë organizatat e tjera të masave u quajtën leva të partisë.

Në numrin e djeshëm prezantuam një grup dokumentesh që dëshmonin aktivitetin e Tuk Jakovës në krijimin dhe drejtimin e Bashkimit të Sindikatave në Shqipërinë komuniste. Sot sjellim pjesën e dytë dhe të fundit të këtij grupi dokumentesh, ku flitet për organizmin e Kongresit Themelues të Bashkimit të Sindikatave të Shqipërisë, disa arritje  të Bashkimit të Sindikatave në vitet 1945-1946 dhe rolin e Bashkimit të Sindikatave si përfaqësuese e Shqipërisë në tribunat ndërkombëtare…
  
Pjesa e dytë e dokumenteve
 
Organizimi i Kongresit themelues të Bashkimit të Sindikatave të Shqipërisë

 
Përpara Kongresit, u organizuan këshillat e degëve, ku u mbajtën konferenca të rregullta dhe u zgjodhën delegatët për në Kongres. Data e Kongresit u caktua me 14 tetor 1945. U vendos që të mbaheshin dy referate: ai politik nga Presidenti Tuk Jakova dhe referati organizativ nga Sekretari i Përgjithshëm Kristo Themelko. Por dita e Kongresit qe shtyrë për datën 28 tetor, sepse nuk ishin dërguar listat e pjestarëve të sindikatave nga Shkodra, Durrësi, Kavaja dhe Berati.

Me datën 26 shtator 1945, Sekretari i Përgjithshëm i Sindikatave lajmëroi këshillat sindikale të vendit për këtë ndryshim.

Në punimet e Kongresit u ftuan përfaqësues sindikalistë nga Sindikatat Puntore Ndërkombëtare: Këshilli i Përgjithshëm i Sindikatave të Amerikës; Këshilli Qëndror i Sindikatave Sovjetike; Këshilli i Përgjithshëm i Sindikatave të Britanisë së Madhe. Po kështu, Këshilli i Përgjithshëm Sindikal i Shqipërisë u dërgoi ftesën e nënshkruar nga Presidenti Tuk Jakova, organizatave homologe në Jugosllavi, Bullgari, Rumani, Hungari, Çekosllovaki, Itali. Në përgjigje të ftesës së marrë, Konfederata Italiane e Punës i dërgon një letër përshëndetëse Bashkimit të Përgjithshëm të Sindikatave të Shqipërisë. Kongresi i Parë i Bashkimit të Sindikatave të Shqipërisë i filloi punimet me 28 tetor 1945 në orën 15.00, në kinemanë “Kosova” në Tiranë. Ishin ftuar përfaqësues të Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, Qeverisë, Frontit Nacionalçlirimtar, Bashkimit të Gruas Antifashiste dhe Bashkimit të Rinisë Antifashiste. Në Kongres përshëndeti Enver Hoxha në emër të Qeverisë Demokratike të Shqipërisë si dhe nga përfaqësues të Frontit, Gruas, Rinisë dhe Ushtrisë. Përshëndetën dhe delegacioent e huaja që merrnin pjesë në Kongres nga Jugosllavia, Bullgaria dhe Rumania.

Presidenti i Këshillit Qendror të Sindikatave të Shqipërisë Tuk Jakova mbajti referatin politik, ndërsa referatin rreth problemeve organizative e mbajti Kristo Themelko. Nga Kongresi doli Këshilli Qendror i përhershëm i Sindikatave që zgjodhi Kryesinë, të përbërë prej 10 antarësh, ku bënin pjesë Presidenti, një Zëvendëspresident, një Sekretar i Përgjithshëm, si dhe anëtarë të ngarkuar me ekonominë, politikën sociale, agjitacionin, kulturën, financën dhe dy antarë të tjerë.
 
Disa arritje të Bashkimit të Sindikatave në vitet 1945-1946
Nën drejtimin e Tuk jakovës, lëvizja sindikale arriti suksese. Me 25 prill 1945, Tuk Jakova në emër të Këshillit të Përgjithshëm të Sindikatave të Shqiërisë i kërkoi qeverisë që 1 Maji të shpallet festë zyrtare. Me 26 prill, një ditë më vonë, Këshilli i Ministrave, me vendimin Nr. 9 vendosi që dita 1 maji të jetë festë zyrtare. Para Kongresit pati përfunduar edhe ngritja e sindikatave sipas profesioneve, që u kurorëzua me themelimin e Bashkimeve Sindikale Profesionale: të Punëtorve dhe Nëpunësve të Minierave; Puntorve dhe Nëpunësve të Industrisë; Nëpunësve Shtetërorë, Puntorve dhe Nëpunësve të Nozullimit; Puntorve dhe Nëpunësve të Transportit; Puntorve dhe Nëpunsve të Ndërtimit. Në përbërje të administratës së Bashkimit të Përgjithshëm të Sindikatave, në vitin 1946 u krijua Seksioni i Kuadrit dhe Zyra e Statistikave, që krijoi mundësinë e ndjekjes më mirë të punës.

Arritje pati dhe në masat për mbrojtjen e të drejtave të puntorëve. Me 24 korrik të vitit 1945, me një qarkore të nënshkruar nga Tuk Jakova, njoftohen Këshillat Sindikale për shpalljen e ligjit për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, që i jepte Sindikatës kompetenca për të rregulluar kohën e punës, pagën, kushtet e punës, punësimin dhe largimin e punonjësve nga puna.

Në periudhën e rindërtimit dhe të aksioneve të para, klasa puntore sakrifikoi shumë. Punohej me orë të zgjatura dhe në kushte të vështira. Sindikata e mbështeti këtë lëvizje, por kërkoi që të evidentonte kontributet e çdo puntori. Për këtë qëllim, me 18 gusht 1945, Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm të Sindikatave të vendit u dërgojë një shkresë këshillave sindikale nëpër qarqe dhe rrethe për evidentimin e puntorëve që punojnë për llogari të pushtetit jashtë orarit të punës.
 
Bashkimi i Sindikatave si përfaqësuese e Shqipërisë në tribunat ndërkombëtare
Gjatë kësaj periudhe Komiteti i Përgjithshëm hodhi hapa të rëndësishëm përpara për pjesëmarrjen në organizatat sindikale ndërkombëtare dhe për të vendosur marrëdhënie dypalëshe me sindikatat e vendeve të tjera. Duhet thënë se ende pa u njohur Shqipëria nga shtetet e ndryshme, (në vitin 1945 njihej vetëm nga Jugosllavia), u vendosën lidhje me sindikata të vendeve të ndryshme që kishin rol të rëndësishëm në jetën e atyre vendeve. Me 8 shtator 1945, Kristo Themelko, Sekretar i Përgjithshëm i Sindikatave të Shqipërisë i dërgoi një kërkesë Federatës Botërore të Sindikatave, ku i kërkoi që Bashkimi Sindikal i Shqipërisë të pranohej në rradhët e asaj Federate. Bashkimi i Sindikatave të Shqipërisë iu bashkua Bashkimit të Sindikatave Botërore në shtator të vitit 1945.  Tuk Jakova ishte në krye të delegacionit të Bashkimit të Sindikatave në Konferencën e Sindikatave Botërore në Paris, ku përveç paraqitjes së punës së sindikatave në Shqipëri, ai kishte shfrytëzuar rastin që nga ajo tribunë e lartë të shprehë qëndrimin e Qeverisë së Shqipërisë për problemet më të rëndësishme që e shqetësonin vendin tonë: Marrëdhëniet me Greqinë, problemin e njohjeve ndërkombëtare dhe të dorëzimit të kriminelëve të luftës, të cilët për shkak të fillimit të mosmarrëveshjeve sovjeto-amerikane, pothuajse ishin amnistuar dhe nuk po i dorëzoheshin Shqipërisë, siç parashikonin marrëveshjet ndërkombëtare që ishin hartuar për këtë qëllim. Fjala e Tuk Jakovës në Kongresin e Konfederatës Botërore të Sindikatave në Paris Fillimisht Tuk Jakova kishte shprehur falënderimet në adresë të Konfederatës së Sindikatave Botërore që e kishin pranuar Shqipërinë në rradhët e tyre. Në vazhdim kishte paraqitur historikun e lëvizjes sindikale në Shqipëri. Pastaj, kishte shfrytëzuar rastin që të artikulonte disa shqetësime të Shqipërisë, që për shkak të mungesës së njohjeve, Qeveria Shqiptare nuk kishte mundur t’i paraqiste në forumet ndërkombëtare. Tuk Jakova kishte kërkuar të ndërmjetsohet për të parandaluar një konflikt në kufirin shqiptaro-grek i cili do të shkaktonte trazira dhe të prishte paqen në Ballkan. Më poshte kishte vazhduar: Ne kemi qenë dhe jemi miq me popullin grek; kemi luftuar kundër fashizmit, por mjerisht rezistenca e popullit grek ka pësuar një fat të keq, atje sot sundojnë antidemokratët, reaksionnarët dhe terroristët. Ky regjim mundohet të krijojë intriga në Ballkan dhe veçanërishtpretendon mbi tokat që ai i quan “Vorio Epir” dhe, nga ana tjetër, ndjek dhe masakron minoritetin shqiptar në Greqi. Kufijtë e Shqipërisë nuk janë ata që thotë reaksioni grek. Këto kufij që kemi sot dhe që i çliruam me gjak, jemi gati t’i mbrojmë me gjak. Ne dëshirojmë të rrojmë në paqe, në marrëdhënie me popullin grek, me popujt e Ballkanit dhe të gjithë botës.

Në Shqipëri është vendosur një qeveri demokratike e zgjedhur lirisht dhe me dëshirë nga populli shqiptar, nga punëtorët, fshatarët, intelektualët e të gjithë shtresat e popullsisë. Në këtë qeveri përfaqësohen të gjithë tendencat politike antifashiste. Deri më sot kjo qeveri nuk është njohur nga aleatët e mëdhënjë, por vetëm nga Jugosllavia.

Në Itali ndodhen shumë kolaboracionistë shqiptarë, kriminelë lufte, të cilët patën ikur me gjermanët, kur u çlirua Shqipëria dhe më vonë kur kapitulloi Gjermania ata u dorëzuan tek aleatët anglezë. Tani ndodhen në kampe duke jetuar në luks… populli shqiptar kërkon që këta kriminelë të paraqiten para gjyqit të popullit për krimet anti njerëzore që kanë bërë. Kjo kërkesë e popullit shqiptar është konformë me konferencën e Krimesë dhe të Potsdamit.
 
Bashkimi i Sindikatave të Shqipërisë u ftua dhe në kongreset e sindikatave të vendeve të ndryshme. Me 13 maj të vitit 1946, një delegacion i Këshillit të Përgjithshëm të Sindikatave të Shqipërisë mori pjesë dhe përshendeti në Kongresin e Sindikatave të Çekosllovakisë.

Bashkimi i Këshillit të Përgjithshëm Sindikal të Shqipërisë mori pjesë dhe në Kongresin e Sindikatave të Bashkuara të Hollandës që u mbajt në Amsterdam nga datat 3 deri me 8 shkurt të vitit 1947. Ftesa ishte dërguar me 21 nëntor të vitit 1946.

Jakova e mbajti funksionin e rëndësishëm të Presidentit të Bashkimit të Sindikatave të Shqipërisë deri me 3 mars 1947, kur u emërua Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Beograd. Gjatë kohës që ishte President i Sindikatave, ai kreu dhe funksione të larta partiake dhe shtetërore: antari i Byrosë Politike të PKSH-së, Kryetar i Asamblesë Kushtetuese, Ministër i Shtetit dhe Kryetar i Delegacionit të Shqipërisë pranë Këshillit të Sigurimit, kur Qeveria Shqiptare po bënte përpjekje për normalizimin e marrëdhënieve me SHBA dhe kishte bërë kërkesën  për t’u pranuar në OKB. Si politikan i kalibrit të lartë, Tuk Jakova ndihmoi shumë që lëvizja sindikale në Shqipëri të zhvillohej më tej. Prej atëherë e në vijimësi, Bashkimin e Sindikatave që më vonë ndryshoi emrin në Bashkimet Profesionale të Shqipërisë e drejtuan personalitete të profilit të lartë të politikës shqiptare.
 
Marr nga libri “Tuk Jakova – Jeta dhe vepra, botime “Grand Prind”, Tiranë 2017
 
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com 

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Pas 10 muajsh sharjesh dhe shantazhesh gjyqtarja liroi nga frika Sali Berishën

Spahiu: Pas 10 muajsh sharjesh dhe shantazhesh gjyqtarja liroi nga frika Sali Berishën