Po aq sensacional është edhe lajmi i pazbuluar deri më sot se gjithçka qenkësh organizuar në mënyrë të fshehtë nga shteti hebre, siç na zbulon pasazhi i mëposhtëm, nga po e njejta gazetë: Izraeli tha të martën se ka përfunduar me sukses evakuimin sekret të të gjithë hebrenjve në Shqipëri me mbërritjen e grupit të fundit prej 11 emigrantësh që zbarkuan në aeroportin “Ben Gurion” të Tel Avivit. Këto fakte na zbulohen edhe nga një gazetë tjetër amerikane, “Chicago Tribune”, e datës 14.04.1991, por edhe një gjermane ( shih: Die Heimkehr der albanischen Juden nach Israel / shqip: Rikthimi i hebrenjve shqiptarë në Izrael / Nga Jörg Bremer, Gazeta Frankurter Allgemeine, 8.5.1991), çka vërtetë të bëjnë të besosh se planet për evakuimin e tyre kanë qenë sekrete, pasi edhe raportimi mbi to nuk ka qenë shumë masiv.
Artikulli i gjatë i “Chicago Tribune”, me autor Tom Hundley dhe me titull: Hebrenjtë shqiptarë përmbushin një eksod të heshtur ( origj: Albanian Jews Complete A Silent Exodus) është ai që në fakt jep një raport të plotë se si ka ndodhur e gjitha kjo histori, duke na dhënë edhe shifra e prononcime konkrete të njerëzve që ishin objekt ose subjekt i kësaj ndodhie. Sidoqoftë, vetë ky artikull është disi kundërthënës edhe me artikullin e “Deseret News”, por edhe me disa pohime që hedhin më shumë dritë jo vetëm mbi fatin e komunitetit hebre shqiptar në vitet e fundit të diktaturës komuniste, por edhe me disa pohime të nxituara e pasaktësi që autori i shkrimit ka bërë në këtë shkrim.
Kështu për shembull, nga fundi i artikullit, Hundley thotë se: “…pasi gjermanët morën kontrollin në vitin 1944, popullsia hebreje thuajse u zhduk. Katërqind hebrenj nga Shqipëria u deportuan në Bergen Belsen”. Të gjitha gjasat janë që kjo të mos jetë e vërtetë, pasi tashmë si një “aksiomë që nuk ka nevojë për vërtetim”, dihet se asnjë shqiptar nuk i dorëzoi hebrenjtë në duar të gjermanëve dhe se numri i tyre vetëm sa u shtua në Shqipëri, ose u mbajt të paktën ai që kishte qenë gjatë pushtimit italian, ndryshe nga ç’ndodhi në shumicën e vendeve të tjera të rajonit. Gjithsesi, ia vlen të përmendim këtu edhe se autori, mund t’i jetë referuar rastit të Kosovës, duke e marrë atë asokohe të mirëqenë si pjesë të Shqipërisë, porse edhe në këtë rast, numri i të deportuarve hebrenj ( të cilët mund të ishin viktimë e “aksioneve” të Divizionit “Skanderbeg”, ku kishte dhe shqiptarë komunistë, partizanë jugosllavë, etj.) nuk përputhet fare me realitetin – siç na sugjeron një studiues i historikut të hebrenjve shqiptarë, që jeton e punon në Kanada, Ing. Saimir Lolja.
Kështu për shembull, Harvey Sarner në vitin 1997, botoi në Kaliforni një libër shumë të rëndësishëm me titull "Rescue in Albania” ( Shpëtimi i hebrenjve në Shqipëri), ku dëshmon me fakte se 100% e hebrenjve të strehuar në Shqipëri, arritën me sukses t’i shpëtonin holokaustit, na thotë Lolja. Gazeta e madhe gjermane “Die welt”, në një artikull të shkruar nga Stefanie Bolzen më 27.01.2011, me titull: “BESA SHPËTOI HEBRENJTË NGA VDEKJA E SIGURT” (origj: "Besa" rettete die Juden vor dem sicheren Tod ), në dy nëntitujt e saj:
“Gjatë pushtimit gjerman myslimanët shqiptarë fshehën gati 2000 hebrenj, kodi i nderit i detyronte ata të ndërmerrnin një hap të tillë” dhe “Shqiptarët nuk i dorëzuan hebrenj as ndihmës- xhelatëve të Musolinit, e as nazistëve dhe kështu rrezikuan jetën e tyre”, shpreh më së miri pretendimin e pabazë të autorit amerikan që ka shkruar artikullin në atë kohë. Sidoqoftë, pikërisht ekzistenca e dy artikujve të mësipërm, të cilët shfaqen për herë të parë të plotë për publikun shqiptar, përbëjnë edhe arsyen bazë për ta trajtuar këtë ccështje e ftuar në numrat në vazhdim edhe persona e ekspertë të interesuar. Sidomos të intrigojnë planet e hershme sekrete të shtetit izraelit për të evakuuar të gjithë hebrenjtë shqiptarë, çka sipas gazetave në fjalë, më në fund ia kishin dalë me sukses në fillimvitin 1991, pasi kishin fjetur për 40 vjet në sirtare. Më poshtë artikulli i plotë i “Chicago Tribune”, i datës 14.04.1991, me autor Tom Hundley:
* * *
JERUZALEM — Kur fluturimi me numër 386 nga Roma preku tokën e aeroportit “Ben Gurion” të Tel Avivit të martën e shkuar, i dha fund kapitullit të fundit të një operacioni sekret për të evakuuar mbetjet e fundit të hebrenjve në Shqipëri. Gjatë gjashtë muajve të fundit, ndërsa regjimi stalinist shqiptar këmbëngulte për t’i rezistuar ndryshimeve që përfshinë Europën Lindore, autoritetet izraelite aktivizuan një plan që ishte mbajtur në sirtar për rreth 40 vjet.
Disa detaje të operacionit megjithatë mbesin subjekt i censurës shtetërore izraelite, por sipas lajmeve të publikuara dhe intervistave me zyrtarë izraelitë, plani u vu në lëvizje pas një serie takimesh klandestine në Europë, mes zyrtarëve izraelitë dhe udhëheqësve të komunitetit të vogël hebre në Shqipëri, i cili mezi arrin shifrën e pak më shumë se 300 vetëve. Autoritetet shqiptare kishin nisur të shfuqizonin disa nga kufizimet në udhëtime për shtetasit e vet që e kishin mbajtur shtetin e vogël ballkanik të izoluar dhe e kishin kthyer në vendin më emblematik të botës komuniste. Duke përfituar nga kjo hapje, organizatat hebreje në SHBA nisën kontaktet e para me hebrenjtë në Shqipëri. Një numër shqiptarësh shprehën interes për të emigruar drejt Izraelit, sipas burimeve izraelite. Në shtator, qeveria shqiptare lejoi disa biznesmenë të udhëtonin jashtë vendit. Ndër ta ishte dhe David Kantochi, i biri i një udhëheqësi të komunitetit hebre, biznesmenit Memi Kantochi. I riu Kantochi, me profesion ekonomist, kontaktoi zyrtarët izraelitë në Zvicër dhe foli mbi mundësinë e një eksodi masiv drejt Izraelit.
Me ndihmën e Izraelit, një grup hebrenjsh shqiptarë nisën të ndërmerrnin udhëtimin e tyre drejt Izraelit – duke mbërritur më datë 6 nëntor 1990, 6 të tjerë në dhjetor, e 11 të tjerë në shkurt të 1991. Por kur situata në Shqipëri u përkeqësua, komuniteti hebre kishte frikë se dyert do të mbylleshin sërish. Në Jeruzalem, zyrtarët në Agjensinë Hebreje, një organizatë gjysëmqeveritare që kujdeset për riatdhesimin e hebrenjve në Izrael, vendosi se ishte emergjente të ndërmerrej një lëvizje e shpejtë në këtë rast. Në fund të shkurtit, Arnon Mantber, kreu i Departamentit të Agjensisë së Emigracionit, u nis drejt Romës për një takim sekret me Memi Kantochin. “Ndjesia në komunitetin hebre ishte se ishte tejet e rëndësishme të niseshin para zgjedhjeve ( të 31 marsit 1991) në Shqipëri”, tha Mantber. ”Ata kishin frikë për skenare serioze, të cilat mund të ndodhnin e se ndoshta kësisoj ata nuk do të mund të lejoheshin më të niseshin”. Planet për evakuimin, të cilat kërkonin aprovim të nënkuptuar formal të qeverive të vendeve fqinje, Greqisë e Italisë, u konkluduan në një takim mes Kantochit dhe stafit të ambasadës izraelite në një restorant në Romë.
Në mars, 280 hebrenj shqiptarë nisën të braktisnin vendin e tyre dhe praktikisht thuajse të gjitha pronat e tyre, ndërsa merrnin drejtimin drejt Irzaelit. Detaje nga nisja e tyre nuk janë bërë të ditura. Vetëm pak syresh, ndoshta një dyzinë, sipas Mantber-vendosën të qëndronin prapa në Shqipëri për arsye personale. Faza finale e përmbushjes së planit u la të kryhej dy ditë para zgjedhjeve në Shqipëri, por në momentin e fundit, vizat e tyre u anuluan pa dhënë shpjegim. Fluturimi u riplanifikua për t’u bërë një javë më vonë, por sërish vizat dalëse u shtynë. Zyrtarët izraelitë ishin nervozë deri javën që shkoi, kur ata morën fjalën se vizat më në fund ishin aprovuar. Zyrtarët izraelitë e kanë mbajtur të gjithë operacionin sekret, derisa grupi i fundit i 13 emigrantëve u imbarkua i sigurtë në bordin e “El Al” nga Roma drejt Tel Avivit. Në vitin 1985, një fluturim me hebrenj në bordin e një avioni etiopian, u anulua për shkak të problemeve me median. “Kjo është ëndrra ime e bërë realitet”, thotë Yaakov Vatula, 72 vjeç, ndërsa po zbriste nga avioni javën që shkoi. “Gjatë gjithë jetës sime, kam dashur të vij në Izrael, dhe tashmë papritur e gjej veten këtu”.
Ëndrra e Izraelit për të sjellë në atdhe mbetjet e fundit të hebrenjve shqiptarë daton qysh në vitin 1952, kur një zyrtar i Ministrisë së Jashtme, Reuven Nel, zbuloi se një komunitet i vogël, por i gjallë hebrenjsh, i kishte mbijetuar pushtimit nazist. Shumë nga të mbijetuarit donin të emigronin drejt Izraelit, dhe Nel ia doli të siguronte vizat nëpërmjet kanaleve diplomatike izraelite në Moskë. Por kur “perdja e hekurt” u ngrit sërish në Shqipëri, nuk u lejuan më dalje të tjera për hebrenjtë që kishin mbetur atje. Mantber tha se disa shqiptarë që kishin mbërritur në Izrael akoma madje posedonin vizat e tyre të lëshuara e më pas të anuluara, qysh në vitin 1952. Komuniteti hebre në Shqipëri nuk ka qenë kurrë i madh, dhe ndërsa religjioni mbizotërues në Shqipëri është Islami, hebrenjtë nuk u keqtrajtuan. Kur Italia fashiste mori kontrollin mbi atë vend në Luftën e Dytë Botërore, Shqipëria u bë parajsa për refugjatët hebrenj që vinin nga Serbia dhe Kroacia, por pasi gjermanët morën kontrollin në vitin 1944, popullsia hebreje thuajse u zhduk. Katërqind hebrenj nga Shqipëria u deportuan në Bergen Belsen.
Komunistët erdhën në pushtet pas lufte dhe ndaluan më pas të gjitha religjionet në vend. Islami, Krishtërimi dhe Judaizmi u shtypën me të njejtën forcë. “Është i habitshëm fakti që në një shoqëri që ka qenë tejet e izoluar nga pjesa tjetër e botës, ku praktikimi i fesë ishte i ndaluar, ky komunitet i vogël hebrenjsh mbeti akoma i ndërgjegjshëm rreth identitetit të vet”, tha Yossef Govrin, zëvendësdrejtor i Departamentit të Europës Lindore në Ministrinë e Jashtme izraelite. Rreth 30 hebrenj të cilët lanë Shqipërinë, kanë vendosur të ribashkohen me të afërmit e tyre në SHBA, sipas zyrtarëve të Agjensisë Hebreje. Për Izraelin, që tashmë po përballet me presionin nga dyndja e kontigjenteve të mëdha të emigrantëve nga Bashkimi Sovjetik, pritja e shqiptarëve do të shfaqë gjithashtu probleme: asnjëri prej tyre nuk flet hebraisht, dhe zyrtarët izraelitë kanë gjetur vetëm një person në Izrael që mund të flasë shqip.
* *
“Deseret News”, 11 prill 1991 “Nuk ka më hebrenj në Shqipëri!
Izraeli tha të martën se ka përfunduar me sukses evakuimin e të gjithë hebrenjve në Shqiëpri me mbërritjen e grupit të fundit prej 11 emigrantësh që zbarkuan në aeroportin Ben Gurion të Tel Avivit. “Nuk ka më hebrenj në Shqipëri! - Me sa dimë ne, i fundit prej tyre do të mbërrijë sot”, tha Iris Ben Shahal, një zëdhënëse e Agjensisë Hebreje. 30 nga 341 emigrantët shqiptaro-hebrenj kanë zgjedhur të shkojnë në SHBA, pjesa tjetër në Izrael. Ben Shahal tha se komuniteti hebre në Shqipëri ka nisur të evakuohet në muajin dhjetor, pak pas rënies së regjimit stalinist në Shqipëri. Ajo tha se: “nuk janë planifikuar fluturime të tjera, sepse tashmë nuk ka më hebrenj të mbetur në Shqipëri”.
Studiuesi Lolja: Largimi i hebrenjve nga Shqipëria, i hapur!
Në bisedë me ing. Saimir Lolja, një studiues shqiptar që jeton e punon në Kanada, autor i shumë artikujve, botimeve e konsulent i dokumentarëve që lidhen me fatin e hebrenjve në Shqipëri, ai konteston fuqishëm pretendimin se në Shqipëri janë deportuar në kohën e nazizmit 400 hebrenj dhe se numri i tyre të jetë reduktuar apo zhdukur fare, siç pretendon në fund të artikullit në vitin 1991, gazetari i “Chicago Tribune”. Ai sugjeron në këtë rast referenca tek faqet 184-188 të librit të Apostol Kotanit, "Shqiptarët dhe hebrenjtë në shekuj", 2007: apo librin e Harvey Sarner "Rescue in Albania", 1997, faqe 86-92, për të mos përmendur edhe studiues të tjerë shqiptarë e të huaj, ndër ta edhe ish-kreun e Arkivave, Shaban Sinani. Përtej tyre, z. Lolja thekson se: Arkivat shqiptare për këtë temë, të huajt s'i kanë parë; pas vitit 2000 u shtua gërmimi në arkiva dhe akoma ka shumë (shumë!!) pa u parë e analizuar. “Jam marrë me listat e hollësishme të shpëtimit të hebrenjve”, thotë z. Lolja.
Janë të paktën 3200 të shpëtuar, emër për emër me referenca arkivore. Ndërkohë, i gatshëm për t’u shprehur edhe më gjatë për këtë tematikë, ai shton nga ana tjetër se lidhur me planin sekret të shtetit izraelit në fillimvitin 1991, aksioni në fjalë nuk ka qenë plotësisht i fshehtë: në fillim Felcita Jakioel doli për vizitë në Greqi dhe për herë të parë shkoi në ambasaden hebraike në Athinë ku u tregoi atyre listën e hebrenjve të Shqipërisë.
Pastaj largimi i tyre qe i hapur, nga aeroporti i Rinasit.
Gjithashtu ai pohon se një qytet tjetër ku janë grumbulluar shqiptaro-hebrenjtë është edhe Karmi’el-i në veri të Izraelit. Studiuesi Lolja rrëfen edhe një detaj domethënës kur vite më parë, një gazetar me origjinë hebreje që punonte për “Canadian Jeëish News”, ndërsa mblidhte material për një shkrim për shpëtimin e tyre në Shqipëri, iu kishte drejtuar me pyetjen: Pse u larguan hebrenjë nga Shqipëria me ardhjen e demokracisë?. Unë- thotë Lolja - e sqarova atë për shumëçka e midis të tjerave i ktheva edhe përgjigjen për pyetjen që shtroi: "Pas 1991, nga Shqipëria u larguan për arsye ekonomike të paktën 1 milion vetë, përfshirë këtu edhe shpëtuesit e hebrejve, edhe vetë hebrenjtë". Pas kësaj, ai nuk e preku më fare këtë çështje në shkrimin, të cilin e shkroi me nota realiste e pozitive për rolin e shqiptarëve në shpëtimin e hebrenjve.
Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 7shkurt 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)