Si i kontrollonte Mehmet Shehu
ekspozitat e skulptorëve në '70

Si i kontrollonte Mehmet Shehu<br />ekspozitat e skulptorëve në '70
Në vitet ’70-të në hollin e Pallatit të Madh të Kulturës në Tiranë u hap një ekspozitë në gjininë e humorit e satirës, e cila zgjoi një kërshëri të madhe dhe tërhoqi shumë shikues.

Shkaku ishin veprat e ekspozuara, dhjetëra e dhjetëra skulptura, të përmasave të vogla, por edhe ndonjë kompozim i madh me një sens të thellë karikatural.

Deri në atë kohë nuk ishte parë një formë e tillë interpretimi dhe ekzekutimi, një rast i rrallë në Historinë e Artit Shqiptar. Shikuesit hynin e dilnin, duke shfaqur çudi, uleshin e linin shënime me vlerësime të ndryshme. Kureshtja sa vinte e shtohej, shkoi deri në krerët më të lartë të Shtetit.  

Autori ishte skulptori Uran Hajdari. Deri atë botë ishte shfaqur me skulptura në kompozime. Fillimisht punët u panë me mosbesim. U mendua se ishin imitime kineze, por shpejt u kuptua, që një art i tillë (karikatura në skulpturë) nuk jetësohej në Kinë. Ato ishin vepra origjinale, që me art fshikullonin veset e sidomos burokracinë. Më pas punimet u futën në Galerinë Kombëtare.

Nga ajo kohë autori ka shumë mbresa e kujtime.

“Kam shumë blloqe, shprehet skulptori, dhe e kam mani mbajtjen e shënimeve, sepse kanë rëndësinë, vlerën e tyre, i shërbejnë punës. Në krye kam shënuar: “O krijues qëndro jashtë radhe, në radhë mos qofsh kurrë!” Është domethënia ime. Po të jesh në radhë, do të presësh të të vijë radha. Nxirre edhe ti sahanin të marrësh diçka. Jo nuk e dua. Hiç fare pa sahan! Jam më i lumtur. Pse ? Se duke qenë pa sahan, kam bazament më të fortë... Këtë ia them vetes, në të njëjtën kohë ia kam thënë edhe të tjerëve me veprën që kam bërë.

Një ditë më ftoi në studio. Donte të më tregonte punimin e fundit. Hodha vështrimin në studion e vogël, e mbushur plot me bocete figurina të madhësive të ndryshme. Shumica e të cilave ishin satira me humor. Studio e skulptorit ka gjithmonë një joshje e një frymë magjie. Janë me dhjetëra e dhjetëra bocete që presin te realizohen. Vjen një erë e lehtë lagështire. Artisti më thotë që e ka lyer me erëra dhe rregulluar me kujdes, që të ketë një pamje të pëlqyeshme.

Njërën prej veprave ia kishte kërkuar ambasadori gjerman. Në sfond një skulpturë e madhe e Nënë Terezës, me duart e mbledhura, lutjeje në përdëllim, ngrihej në formën e një qiriri mbi një bazament të bardhë mermeri. Kompozimi të ngjallte kureshtje.

- Ja kjo është skulptura që doja të të tregoja, foli. Dikush më tha, prandaj e ke bërë Nënë Terezën, se ke punuar në këto kushte. Dua ta derdh në bronc, në një të verdhë si flori. Kam venë edhe globin poshtë për t’i dhënë idenë, që i përket gjithë botës, që u shkri si qiriri për të gjithë njerëzimin. Skulptura do mendim. 

Pa të vdes, fiket shpejt. Kërkon edhe figuracion, është simboli, që sjell artisti për të pasqyruar një ide të caktuar. Kjo më ka shqetësuar gjithmonë. Por, simboli nuk është aq i lehtë. Ai duhet të mëshirohet në mënyrë të natyrshme dhe bëhet kuptimplotë për atë të gjithë.

Si heshti jo hop vijoi:

- Ja e bëre qiririn ? E ç’është ai ? Por kur mendon më thellë, kupton që qiriri me atë dritë të pakët, të vazhdueshme qëndroi gjatë gjithë jetën e saj, u shkri dhe ndriti për njerëzit deri sa u fik.

Më pas më tregoi bocete të ndryshme dhe fotografi të punimeve në kohë, deri sa do të mbërrinte tek Monumenti i “Dervish Luzës” në Tropojë, si një nga punët e fundit të tij. Por ajo që ka lënë gjurmë dhe është shprehje e domethënies artistike të skulptorit dhe që ka mbetur në memorien artistike të shikuesit është ekspozita “Skulptura në satirë”. Kureshtja për të mësuar diçka më shumë bëri që ta pyesja për fillesat e saj.

Artisti u hodh në kujtime të largëta. - Pasi mbarova Liceun, vazhdova me korrespondencë për Filologji, deri në vitin e fundit. Ndërkohë punoja shumë, merrja pjesë nëpër ekspozita, bëra tre vjet ushtri dhe në vitin 1961, në moshën 29 vjeçare, kur të tjerët martohen, vendosa: o bëhem skulptor, o vdes...! Kërkova dhe më doli bursa për të studiuar në Kinë.

Para se sa të hyja në Akademi, mësova gjuhën kineze dhe në pritje të fillimit të studimeve, bashkë me studentë të tjerë, kërkuan të na çonin për pushime në bregdet. U thashë, më leni këtu, që të punoj, se kam dëshirë të bëj ndonjë skulpturë. Kërkoja t’u tregoja pedagogëve se çfarë isha i aftë të bëja në skulpturë.

Atë botë më tërhiqnin shumë mbrëmjet e vallëzimit. Sapo isha njohur me Ivonin, një vajzë të bukur afrikane nga Somalia. Ishte jashtëzakonisht e ndershme, në kuptimin e bisedës. Binte shumë në sy kur nisnin vallëzimet. Mbante vendin e parë në kërcim dhe kur vallëzoja me të, bënte që të dukesha mirë. Isha partner i fortë...

Krijuesi duhet ta njohë të bukurën, sepse bukuria ka thjeshtësinë, ka hijeshinë, ka komunikimin e të tjera me radhë. I kërkova t’i bëja një portret. Pranoi.

Lidhja e një shqiptari me një afrikane! Do të thotë të njohësh mirë se çfarë është dielli i Afrikës. A e di se ç’është dielli i Afrikës ? Nuk ke si ta dish, po nuk njohe një afrikane!

Skulptori psherëtiu i përmalluar:

- Kujtime të largëta... Lasgush Poradeci thotë, “Në mos gaz e hidhërime, le pas vetëm kujtime...” Dhe kur ato kanë lidhje me vepra, atëherë marrin vlera të veçanta.

Ndërkohë bëra edhe një bujk me plug dhe duke modeluar baltën, si në film më shfaqen punimet e piktorit e skulptorit francez Honore Domie. Në kohën që punonte në Akademinë e Shkencave, rastësisht shfletoi një libër me ilustrime mbi piktorin gjenial.

Midis ilustrimeve tregohej një dhomë e Muzeut të Luvrit, ku ishin ekspozuar 36 deputetët më të dëgjuar të Parlamentit francez. Ato vepra për karikaturimin që u bënte personaliteteve të kohës i lanë shumë mbresë dhe e nxitën. “Çdo artisti, - i mbetet apo i ngurtësohet ndonjë mbresë në mendje dhe si krijues kërkon ta shprehësh si vepër arti.

Bëra një figurë me mbresat e thellë që kisha prej artistit të madh: një njeri që fluturon së qeshuri. Veprat i çova në Akademinë e Arteve të Bukura të Pekinit. Pedagogët i panë dhe vendosen që të filloja nga viti e dytë.
           
Me kthimin në Shqipëri skulptori merr pjesë në ekspozita të shumta me punime kompozicionale në grup e midis tyre tërhoqi vëmendjen kompozimi “Kufitarët”. Por papritur i ringjallet vegimi i hershëm. Portretet e deputeteve francezë, punuar mjeshtërisht nga Domie i risillen fuqishëm në kokë. Edhe pse kishin kaluar shumë vite dhe kishte bërë një sprovë në Pekin, kujtesa vizuale i risillte e risillte imazhet.

Balta në duar i lëvrin e kërkon të shprehet. Nuk ka përpara asnjë model. Edhe pse nuk ka ku t’i gjejë, ata janë aty, gëlojnë përreth nëpër zyra e administratë, nëpër rrugë e takime në salla, në mbledhje e në takime të ndryshme. Krijon portrete pas portretesh...
 
Ekspozita e parë
Kështu do të niste rrugëtimi në krijimin e ekspozitës së parë të satirës në karikaturë. Në Artin Shqiptar ishte hera e parë e gjetjeve karikaturale në skulpturë.

Artisti ishte ndeshur me opinione e mendime kundërthënëse, deri edhe mësuesi e miku i tij Odise Paskali, i cili si i pa me vëmendje të madhe, ia bëri “Është me rrezik kjo. Ç’paske në kokë... pu.. pu...! Këtë ekspozitë vetëm një Qeveri mund të ta aprovojë...!”

Urani e kupton se, satira në skulpturë ishte diçka e brendshme, e shënuar, ruajtur e shtresuar mirë me kohë, por ajo nuk e gjeti vendin dhe kohën lehtë. Risia duhej çarë dhe skulptori e çau me punë. I duhej të shpjegonte e të bindte.

Ata kanë skulpturë narrative satirike të tipit “Fshatari mblodhi grurin, ia çoi taksidarit, ky i mori përqindje, të cilën ia dërgoi beut etj. Për të skulptura nuk është tregimtare, as roman dhe tregim, por simbol, përgjithësim e sintezë dhe tregonte një kompozim që nuk është karikaturë, titulluar “Fundi në moçal”: - dy helmeta gjermane dhe italiane, të çara nga ku dalin dy bretkosa mbështjellë me fije bari që këndojnë.

Ndërkohë që nëpër ekspozita vërshonin vepra skulpturore të mbushura me heronj të Luftës e të Ndërtimit të vendit dhe kur paraqitja e tyre plot muskuj e qëndrime heroike e flamuj në duar, në përmasa që kritika e kohës guxoi dhe i quajti “gjigandomanira”, Uran Hajdari shkon në drejtim të kundërt.

Duke parë punimet groteske, vetvetiu lindte pyetja që mbante brenda edhe gjëmën: Vallë ky është njeriu ynë?! Kundërthëniet e shumta e ia arritën të krijonin një opinion që veprat e ekspozuara ishin të ndikuara nga arti kinez.

- Si e shmange këtë presion të kohës ?

- Ishte një atmosferë e nderë. I thonë para vitit 1973, po afrohej 1974. Plenumi famëkeq. Ishte çasti, kur po përgatitej të binte tërmet. Dënimet në art e kulturë. Ma mbajtën gati një vit pa hapur ekspozitën. “Ç’është kjo lloj skulpture...”?! – ia bënin me habi e frikë.  U çmenda fare.

Skulptori buzëqesh hidhur. Parulla kryesore “Kur flet klasa, nuk flet burokracia” si dhe absurdi “Rroftë diktatura e proletariatit” mbushnin sheshet dhe fasadat e ndërtesave. Por me vetëdije apo pa vetëdije, artisti e tejkalon kohën. Ai sjell në ekspozitë personazhet më “kundërshtarë” të Sistemit, burokratë, servilë, arrogantë, thashetheme... etj., etj., tipa që gëlonin dhe pjella të socializmit.

Libri i përshtypjeve u mbush me shënime dhe nuk mbeti organ i shtypit pa e pasqyruar e komentuar. Kishte edhe që thoshin, “Hë mo se karikaturë është. Nuk ka interes njeri!”

Një ditë, krejt papritur, në ekspozitë u duk silueta e frikshme e kryeministrit shqiptar, Mehmet Shehu i shquar për egërsinë dhe gjykimet e ashpra, që shfaqte për artet në përgjithësi

- Mbaj mend, vijon skulptori, gojën e hapur, dhëmbët e tij të florinjtë dhe buzëqeshjen gati në ilaritet. A qeshte ndonjëherë ai njeri ?! Duke parë punët qeshte me ilaritet në ekspozitë. Ishte bashkë me të shoqen. As Dritëronë nuk e kishte marrë, se ai e merrte ndonjëherë.

Shiko e shiko një orë e ca. Kur më erdhi pranë më shtiu datën. Sikur m’u shemb tavani në kokë. Mbaj mend gjyzlykët e errtë dhe si në ëndërr një kobër e madhe që po vjen të më hajë...! Një - dy minuta heshtje varri. Të gjithë rreth tij pa folur.

“Ku është ky Uran Hajdari ?”

I dola përpara.

“Si je, nga je ?” - më pyeti dhe si e mblodhi njëherë ekspozitën të gjithë me sy bubulloi, E ke parë tek kinezët ti këtë ?”

“Jo !”

“Si the ?!”

Bërtiste deri në tavan sikur kisha bërë ndonjë krim  !

“Si the more, nuk e kanë kinezët këtë ?!”

U mblodha një grusht dhe po e shikoja gjithë frikë. Ata që e shoqëronin u larguan. Si e mblodha veten mirë e thashë:

“Jo nuk e kanë...!”

“E ke marrë, pse nuk thua të vërtetën ?!”

“Si ta them..., kur nuk e kam marrë nga kinezët ata nuk e kanë këtë lloj arti... !” Shtova, që kjo është një shpifje cinike e atyre profesionistëve, që nuk i duan këto gjëra.

Përsëri çaste të rënda me heshtje varri. Ndjeja që ishte mëdyshas. I kishin thënë që këto punime i kanë kinezët. Më pa edhe një herë ngultas, pastaj papritur më zgjati dorën, duke ma shtrënguar fort .

“E di, më tha, që na ke sjellë një gjini të re, që nuk ma ka zënë syri ? Nuk dua të të bëj superlativa, por të lumtë ! Është një gjë e veçantë, përgjithësuese e emocionale dhe e pamundur, që të mos gjesh vetveten në këto punime...!”

U drodha përsëri.

“Mos ma merr për të keq, vijoi, por shoh që në tërë gamën e përgjithshme të skulpturave zotëron përqindja e portretit, dmth them që, nëse do të flasim në gjuhën matematike 75 për qind është portret e 25 për qind është kompozim. Kur ta bësh ekspozitën tjetër dua të kundërtën 75 për qind e dua kompozime dhe 25 për qind portrete...!”!

A mund t’i thoshte gjë skulptori, kur ish Kryeministri i vendit ia maste ekspozitën me përqindje sikur të ishte një mall dosido ?! Ishte mbrëmje vonë kur u ndanë dhe mori tre blloqe, sa një libër, me shënimet e vizitorëve. I kishte lexuar po atë natë. Të nesërmen në hollin e ekspozitës duket sekretari i ish-kryeministrit. “Urdhëro librin, Shoku Mehmet ka lënë shënimet e tij...”  Në to shprehte vlerësime të larta. Më pas skulptori dekorohet me Urdhërin Naim Frashëri.

Gazmendi dhe shpotitja i dha forma të larmishme, të cilat rritën forcën pasqyruese të karakterit të njeriut edhe pse në drejtimin negativ të tij. Plastika është e njëjtë në forcë dhe humori mban brenda gjithë seriozitetin e jetës. Pa këtë veshje serioze, humori do të binte në butafori dhe keqinterpretime qesharake, që nuk kanë lidhje fare me artin.

            Ndërmjet punimeve ishte edhe kompozimi mbresëlënës “Çoni kockat në vendit tuaj !” - frymëzuar nga romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të Ismail Kadaresë, vepër që skulptori e vlerësonte shumë.
- Duke u marrë me satirën në skulpturë, a nuk ndjeje vështirësi kur merreshe me skulpturën “serioze” ?

- Nuk më ngatërronte. Kisha përvojë dhe me kalimin e kohës tek çdo njeri vëzhgoja mirë format, analizoja, nxirrja përfundime, duke arritur në përgjithësime, aq sa  çdo portret arrija ta shihja si karikaturë... Ç’është arti ? Të grumbullosh. Të organizosh dhe të hedhësh poshtë ato, që nuk duhen dhe të organizosh ato që duhen. Të krijosh do të thotë të vrasësh vdekjen.

Si artist Urani dinte të thithte nga jeta dhe nga miqësitë me miq artistë. Një ndeshje në rrugë, një takim me një njeri dhe mbushej me emocion, për ta derdhur në një vepër arti. Ky çast i jetës nuk ishte gjithçka, sepse artisti ka jetuar gëzime, hidhërime, lindjen e fëmijëve, dashurinë e gruas etj, etj, ka kënduar e ka kërcyer, por këto ndoshta nuk i ngjisin në shpirt. Diçka tjetër ishte shpesh frymëzim, si një takim i rastësishëm me një tip dhe... vrap në studio.

Tipet që realizon Hajdari shkojnë deri në një sarkazëm therëse, në kulmin e fshikullimit, ku individualizohen me forcë tipe negative, në një shprehje tepër goditëse e tepër simbolizuese, si thashethemexhiu, arroganti, servili etj, etj. njerëz jetësorë, të gjallë, prej mishi e kocke, që nën dhunën dhe peshën e dhunës së kohës e kanë lëshuar veten, në një çast dobësie kanë shfaqur servilizmin apo vese të tjera ndaj një eprori, të ndërtuar me një zhgun të trashë apo tis të hollë humori.

Zija Xholi, themelues i Akademisë së Shkencave dhe ish Dekan i Fakultetit të Filozofisë dhe Juridikut, duke parë veprat do të shprehej, “Mor po ku i kam parë...? Këtë tipin e kam parë në...” dhe jepte vendin se ku. “Këtë tjetrin në... po këtë se ku e kam takuar... Nuk po e kujtoj, por jam i sigurtë që e kam ndeshur diku ? Hë... po ky është një kamarier batakçi. Zot na ruajt ! Më duket se të gjithë i njoh !”

Ndërsa flet skulptori tregon statuetën e një nëpunësit të shtetit, në një qëndrim, që e ndesh shpesh edhe sot kur ngjit apo zbret shkallët e ministrive apo të institucioneve shtetërore. Shkrimtari dhe përkthyesi Skënder Luarasi, në atë kohë do t’i thoshte, “Mere këtë vepër, fute nën sqetull dhe shëtit me të në tërë botën dhe do të jetojë në breza.

Duhet vendosur në një prej institucioneve shtetërore, që ta shikojnë të gjithë nënpunësit dhe askush të mos bëhet si ai”. Shpesh njerëzit e pyesnin, vallë të gjithë këta njerëz i ke takuar ?! Forca e artin është në përthyerjen artistike, që i bën jetës dhe krijuesi pasi mori shumë gjëra nga jeta, e rindërtoi atë  artistikisht.

Kishim kohë të gjatë që po bisedonim. E bukura është se skulptori është njeri shumë serioz në jetë, sa të vjen çudi, se nga i buron kjo sarkazëm e hollë therëse, ndaj papritur e pyeta:

- Më bën përshtypje dhe çuditem, jeni njeri shumë serioz, shumë i rregullt në marrëdhëniet me njerëzit, me jetën, sa është tejet e vështirë të gjesh se ku është fshehur humori. Kemi disa orë që po kuvendojmë, jemi futur në një bisedë serioze dhe nuk po qeshim...!

Krejt e kundërta ndodh me veprën tuaj. Shikon krijimet dhe vetiu të vjen të qeshësh, është një e qeshur që të godet, ndjen veten brenda saj.  Janë veset që shfaq njeriu dhe nuk është e thënë, që janë njerëz vetëm me vese, por çdo njeri në një moment të caktuar dikur, njëherë i shfaq këto vese, mund dikush është bërë servil për të zgjidhur një hall të tijin, sepse ashtu ia solli jeta të sillej.

Skulptori më vështroi një çast si me habi dhe pastaj në buzë iu ravijëzua një buzëqeshje mirësie. U mendua një hop dhe pa e ndarë buzëqeshjen shtoi:

- Ku është humori ? Duket sikur përplasen me njëra-tjetrën. Njeriu ka të panjohurat e tij, sa nganjëherë nuk e njeh vetveten. Pse nuk e njeh? Si të të them... nga që humorin e kam qejf, e ndjej shumë, jo vetëm në kuptimin figurativ, por edhe në kuptimin logjik, duke parë njerëzit i shoh si karikatura. Duke i parë kështu i afroj, i ve në fokus.

Një mik më ka thënë, “E rëndësishme nuk është të humbasësh në vargmalet, të cilat nuk kanë fund, por të rrish në majat e maleve, se pastaj vargmalet i ke nën zotërim, duken në sfond”. Dmth të dish të kapësh majat e maleve. Nuk them se mund t’i kap, por të paktën të luftoj për këtë.

Bisedën e këndshme, të mbushur me figura plot ndjenjë, skulptori e zbukuronte herë pas here me thënie, që i kishte qëmtuar me kujdes gjatë jetës. Nxjerr nga çanta disa fletë të palosura dhe hedh sytë, duke i përkëdhelur me gishtërinjtë e fortë.

Që kur jepte mësim në Liceun Artistik, çdo thënie të mençur, që e quante gur të çmuar, të veçantë, të pa huazuar dhe të padëgjuar ndonjëherë, sinteza të bisedave, thënie që nuk i kishte dëgjuar i mbante shënim. Që nga viti 1952 kishte mbushur blloqe të shumtë, sepse për të, të mbledhësh mjaltë ndërmjet luleve është gjë e mirë. Disa prej tyre tingëllonin si poezi. Ato mund të jenë pjesë e një studimi e botimi të mëvonshëm.

- E ke ndjerë nevojën e mendimin poetik në vepër ?

- Është domosdoshmëri takimi i krijuesit me krijuesin, aq më tepër i skulptorit me shkrimtarin dhe poetin. Është ushqyes, sepse ata të emocionojnë, të frymëzojnë dhe të japin ngacmime për krijimtarinë. Me poetin Agim Shehu njihem me kohë.

Ai më ndihmon, jo vetëm me poezinë, por edhe me mendimet që shpreh... Petro Marko ishte si një turjelë që hyn gradualisht në kokë, në mendje, në trup, në zemër, aq sa bëje ta ndiqje dhe nuk e ndiqje dot kollej. 

Kaq bukur, kaq me thjeshtësi, kaq me modesti, kaq me bukuri të rrallë fliste... Interesant Petro ! Kam mësuar shumë gjëra të shkëlqyera, mënyrën se si duhet të jetë krijuesi i vërtetë. Krijues i vërtetë është ai që me të vërtetë e do atë që kërkon të krijojë. Në se nuk do me të vërtetë, nuk ke për të bërë gjë.

Prandaj ka edhe krijues dhe pseudokrijues. Këtu nganjeherë ngatërohen gjërat. Vepra që është e fortë s’ka nevojë të flasës hiç autori...

Çdo njeri nuk mund të mburret më tepër se sa e ka gjatësinë e vetes. Prandaj edhe në se flas në drejtimin tim, do t’i kërkoj ndjesë vetvetes, në se kam folur diçka më tepër, të jem aq sa kam gjatësinë e vetes, jo gjatësinë sa e dua, por sa thotë puna, vepra ime.

Arti ka brenda bukurinë, magjinë dhe mrekullinë, i bën tokësore, t’i ve përballë, janë të prekshme, të kapshme, të folshme, emocionuese, të mbajnë, të mbërthejnë, të lidhin, nuk të lenë të ikësh. Arti i vërtetë është i brendshëm. Edhe nga një mullar mund të shikosh gjëra të mrekullueshme, por një shkrepëse i ve flakën menjëherë.

Krijuesi i vërtetë ka nevojë vetëm për një shkëndijë. Njeriu jeton aq sa shfaq. Kaq e asnjë sekondë më shumë. Krijuesi, do ta mbyllte bisedën skulptori, nuk duhet të jetë skllav i asaj që sheh, por duhet të jetë skllav i asaj që duhet të krijojë.

Edhe pse origjinale, me vlera dhe krejt të veçanta, veprat satirë në skulpturë të Uran Hajdarit “flenë” në fondin e Galerisë së Arteve.

Disa edhe janë dëmtuar nga koha. Asnjëra sot nuk është e ekspozuar. Pasi u blenë nga Shteti u kyçën për të ridalë për pak kohë pas viteve ’90-të dhe më pas askush nuk kujtohet, edhe pse u shkrua për të dhe u vlerësua nga kritika.

Ato bashkë m të tjera që ndodhen në studion e artistit presin... presin të rivlerësohen e të zenë vendin e tyre, të ekspozohen dhe të japin atë kënaqësi estetike, që kanë gjysmë shekulli që e kanë dhënë, në se nuk vazhdon “ngrënia” e tyre nga koha dhe moskujdes i atyre që e kanë detyrë t’i mirëmbajnë...
mehmet shehu

[gallery]23534[/gallery]
Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Apeli zbut vendimin për Tiranën, pezullon më shumë se gjysmën e dënimit! Derbi kundër Partizanit me tifozë

Apeli zbut vendimin për Tiranën, pezullon më shumë se gjysmën e dënimit! Derbi kundër Partizanit me tifozë