Pas 5000 helmetave në fillim të sulmit të Rusisë, tani në Ukrainë janë tanket dhe mbrojtja kundërajrore gjermane. Si ka ndryshur qëndrimi gjerman ndaj luftës?
Njerëzit në Gjermani do të duhet të mësohen me militarizimin e mëtejshëm të jetës së përditshme vitin e ardhshëm. Për këtë janë të bindur ekspertët e sigurisë në vend. Çështjet e luftës dhe të mbrojtjes do të përcaktojnë gjithnjë e më shumë vendime politike. Arsyeja është se rreziku i një sulmi rus në territorin e NATO-s është bërë më real që nga fillimi i agresionit të madh rus të Ukrainës dy vjet më parë.
Kjo shihet që nga ndërtimi i rrugëve, një shembull nga të shumtët, thotë politologu Christian Mölling në një intervistë për DW. "Me siguri duhet të rinovojmë rrugët, duhet të rinovojmë urat”, thotë ai. Shumë rrugë dhe ura në Gjermani nuk ishin projektuar për të përballuar barrën e tankeve dhe pajisjeve të tjera ushtarake.
Mölling drejton Qendrën për Sigurinë dhe Mbrojtjen në Këshillin Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë (DGAP). Së fundmi zgjoi vëmendjen e Berlinit me një analizë se, në skenarin më të keq, NATO-s i duhen pesë vjet për t'u riarmatosur. Përndryshe, frikësimi përmes epërsisë ushtarake ndaj Rusisë nuk do të ekzistonte më.
Ndryshimi i epokës
Gjermania po përjeton një ndryshim të shpejtë epokal: Për tre dekada, që nga rënia e Perdes së Hekurt, gjermanët ishin të sigurt se fundi i Luftës së Ftohtë do të përjashtonte edhe rrezikun e një lufte të nxehtë, siç është sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës. Por kjo ka marrë fund.
Kjo do të thotë se diskutimet politike që nuk kanë ekzistuar që nga fundi i Luftës së Ftohtë janë kthyer në jetën e përditshme për gjermanët. "Mbrojtja e përgjithshme ka të bëjë veçanërisht me forcimin e infrastrukturës civile dhe shoqërisë, në mënyrë që ata të mund t'i rezistojnë ngjarjeve të luftës," shpjegon Mölling. Kjo do ta bënte planifikimin e një ure të re rrugore në një komunë potencialisht të rëndësishme ushtarake. Domethënë nëse kjo urë mund të luante një rol strategjik në rast të një mbrojtjeje.
Por Mölling e sheh këtë edhe si një mundësi: për të rivendosur aftësinë mbrojtëse të vendit, Gjermania duhet "të pezullojë disa rregullore për një periudhë të caktuar kohe. Ne e përshkruam këtë në letër si: investimet lart, rregulloret poshtë."
Problemet e gjermanëve me ndryshimet
Njerëzit në Gjermani e kanë të vështirë të përballen me realitetet e reja. Kanë kaluar pothuajse dy vjet që kur kancelari gjerman Olaf Scholz shpalli një "pikë kthese" në Bundestag, me një fjalim historik në fund të shkurtit 2022. Scholz me këtë fjalim donte të bënte të qartë se ushtria gjermane dhe aftësitë mbrojtëse janë kthyer në një prioritet si para rënies së Murit të Berlinit.
Shumica e ekspertëve gjermanë të sigurisë dhe ekspertëve të mbrojtjes, si dhe analisti i DGAP, Mölling thonë se Ukraina po mbron lirinë e të gjithë Evropës. Për më tepër: nëse Ukraina humbet nga Rusia, presidenti rus Putin do të vazhdojë të bëjë luftë dhe në fund do të sulmojë NATO-n.
Por kur u pyetën se ku duhet të kursejë Gjermania para nëse nuk ka më para të mjaftueshme, 54 për qind e të anketuarve në Gjermani kohët e fundit theksuan ndihmën për Ukrainën në Deutschlandtrend. Ndërsa në një tjetër sondazh nga Televizioni i Dytë Gjerman (ZDF), gati 70 për qind thanë se Ukraina duhet të vazhdojë të furnizohet me armë dhe më shumë pajisje ushtarake.
Edhe analisti i DGAP, Christian Mölling, e sheh këtë kontradiktë mes popullatës në politikën gjermane. "Shumë njerëz, përfshirë edhe Gjermaninë, nuk e kuptuan se nuk mund të shtypet butoni dhe të prodhohen tanket për një ditë”, thotë politologu në një intervistë për DW. "Thjesht duhet një kohë tepër e gjatë për të ndërtuar kapacitete të tilla prodhimi. Ajo që mund të fajësoni qeverinë federale, por edhe të gjitha qeveritë në Evropë, është se ato ende nuk e kanë kuptuar se nevojitet të prodhohet shumë më shumë." thotë Mölling. Dhe kjo "jo sepse Ukraina ka nevojë për të, por edhe ne kemi nevojë për të."
Përgatitjet për një Trump të ri
Kjo vlen në veçanti kur dihet se nesër mund të vie prapë Donald Trump në pushtet, e ai kishte vënë në pikëpyetje të ardhmen e NATO-s. "Ne duhet të përgatitemi për këtë që tani”, thotë kreu i Institutit për Ekonominë Botërore (ifw), Moritz Schularick, në një intervistë për DW – e jo vetëm kur të vijë koha. Instituti kërkimor nga Kieli publikon në "Ukraine Support Tracker" - një përmbledhje të ndihmës ushtarake dhe financiare ndërkombëtare për Ukrainën. Ifw përditësoi së fundmi këtë tabelë ku thuhet se Gjermania është tani furnizuesi i dytë më i rëndësishëm i armëve në Ukrainë pas SHBA-së.
Por prodhimi gjerman i armëve ende nuk është rritur ndjeshëm, kritikon analisti i DGAP, Christian Mölling: "Aktualisht thjesht po mbyllim vrimat, nuk po fillojmë të ndërtojmë kapacitete të reja prodhimi, që do të na mundësonin të jemi gati në kohë me planet e parashikuara"./DW