Edhe sot, Sali Berisha gënjeu.

Jola Hysaj, Sekretare për Marrëdhëniet me Publikun, deklaroi dje largimin nga Partia Demokratike. Por në asnjë moment ajo nuk tha se do të largohej nga politika, siç nxitoi të shpallte vetë Berisha, i cili madje këtë herë nuk e quajti as tradhtare.

“Jola Hysaj më ka dërguar dje një mesazh në të cilin më falënderon për bashkëpunimin, por më njofton se ka vendosur të japë dorëheqjen. Dhe unë e falënderoj për kontributin që ka bërë dhe respektoj plotësisht vendimin e saj. Dorëheqjet janë një akt normal në një parti demokratike dhe në një shoqëri të lirë. Në këtë rast ajo dha kontributin e saj, nuk mund t’i mohohet. Por nga ana tjetër ajo arriti në përfundimin se duhet të ndërpresë aktivitetin e saj politik për arsye të saj dhe kjo është një zgjidhje që ka bërë dhe unë ia respektoj”, tha Berisha.

Një deklaratë e pavërtetë nga Berisha, i cili mashtroi hapur, pasi Jola Hysaj deklaroi dje se përjashtimi i personave me integritet dhe kontribut të provuar nga përfaqësimi politik, si dhe vendimmarrja e përqendruar tek një rreth i ngushtë njerëzish, nuk reflekton parimet e meritokracisë dhe demokracisë brenda partisë.

Megjithatë, ajo la të hapur vijimin e angazhimit të saj në jetën politike.

“Angazhimi im për të kontribuar për qytetarët dhe për jetën publike nuk përfundon këtu. Ai do të vazhdojë me të njëjtin besim se Shqipëria ka nevojë për një politikë më të hapur, më meritokratike dhe më të ndershme ndaj qytetarëve”, theksoi ajo./ Tema