Si më spiunonte komshiu, Sigurimi i Shtetit i kishte bërë prangat gati! Murat Basha rrëfen në 'Esencë'

Ishte koha kur njerëzit spiunonin për çdo gjë, përveç vetes! Ishte koha kur kishe frikë se mos të përgjonin edhe merimangat e shtëpisë!

Murat Basha rrëfen në Esencë si e spiunonte komshiu dhe përse Sigurimi i Shtetit i kishte bërë prangat gati! Esencë, sonte ora 21:00 në ekranin e Report TV drejtuar nga Eljan Tanini.

Eljan Tanini: -I ftuar sonte në Esencë është një djalë nga Ura e Tabakëve në Tiranë. Nëse Tirana kishte 20 djem të fortë, Murat Basha ishte njëri prej tyre. Murat Basha është njeri i lirë. Rinia jote cila ishte?

Murat Basha: -Jam marrë me hedhjen e çekiçit, bënim sport, shtanga, ishim të fortë fizikisht, kam qenë natyrë reaguese. Ne stërviteshim atje ku është Hotel Sheratoni sot, jemi stërvitur te këndi i hedhjeve. E kemi bërë vetë atë pistë për dy vjet. Bullgaria ka pasur nja dy të tilla, terren sportiv në mes të pyllit në ajër të pastër. Ndërsa palestrën e kishim te tribuna 10 lekëshe te Stadiumi Qemal Stafa.

Eljan Tanini: -Sa ka qenë rezultati juaj i hedhjes së çekiçit në atë kohë?

Murat Basha: -Rezultati më i mirë i imi në atë kohë është në vitin 1982 kur jam përjashtuar nga sporti, 57/28 metra ishte hedhja e çekiçit.

Isha kandidat mjeshtër në atë kohë. 2 vjet përpara e pata ndërprerë sportin sepse do të shkoja ushtar dhe nuk më lanë të ushtroja sportin. Nuk më lanë të shkoja as te Klubi Partizani. Ishte rregulli të bëhej sporti në qytetin nga vinim. Më çuan në Poliçan të Skraparit me xheniot. Kemi bërë tunelet e Poliçanit. Kishte të burgosur, disa ushtarë dhe nja 20 e ca çuna si ne.

Gjyshi im ishte i pushkatuar, baba dy herë në burg për veprimtari terroriste dhe agjitacion e propagandë. Nuk e duroj dot padrejtësinë, unë dua të jetoj sipas shijeve të mia duke mos cenuar askënd, kam dashur të jetoj i lirë.

Eljan Tanini: -Cila është dosja juaj?

Murat Basha: -Si fillim kam qenë 2A  dhe 2B. 2A je 24 orë i survejuar dhe gati për të të vënë prangat. Kjo zgjati nga vera e vitit 1982 deri në dhjetor të vitit  1983.

Në shtëpi, poshtë shtëpisë kudo ishin ata që më survejonin mua për çdo veprim. Më pas kam qenë 2B deri në fund të sistemit, kontrollohesha gati njëherë ne 3 ditë, jo në çdo çast. Me spiunonte Hajdar Dervishi, ai raportonte çdo gjë për mua. E shikoja gjithmonë jashtë, komunikonte me një kryespiun, Zenelin. Në ato dy vite që isha ushtar i kisha mësuar të gjitha. I thashë babës që po më ndjekin. Kujdes më tha se mos kalon kufirin. Mos e ha këtë lojë tani.

Eljan Tanini: -Ku banonit në këtë kohë?

Murat Basha: -Te ‘Profarma’ e vjetër. Deri në vitin 1982 kam jetuar në një bodrum bashkë me xhajën dhe fëmijët. Atje ishte edhe gjyshja e Halim Kosovës, e ndanim një dhomë dhe gjysmë korridori me të. Pallat i bërë nga të burgosurit në vitet 50. Ajo ishte koha jonë, sa mirë që nuk e  keni jetuar edhe ju atë kohë! Ai ishte fati jonë. Brezi i ri duhet ta njohë atë kohë, nuk ti besojnë sot ato fjalë. Ne të tillë kohë njeriu kishte në dorë të ruajë nderin e tij. Të mos bëhesh kurrë i poshtër dhe të mos marrësh të tjerët në qafë. Ndihem krenar që kam ruajtur nderin tim. Ne lindim me fytyrën që na jep Ai, vdesim me fytyrën që i japim vetes.

Në vitin 1982, në prill, më përjashtuan nga sporti dhe në korrik nisi përndjekja. Rrinte pranë shtëpisë një makinë, fiat polak dhe një burrë si vemje. Dilja nga puna dhe shkoja te shtëpia e gjyshes. Personi ishte nga pas.

Më thotë një ditë një mik, një burrë shumë i mirë, Lul Misja: O Rato, a e din se për kë janë këta të Sigurimit këtu? Unë i them: -Ku di gjë unë! Atë punë kanë ata, unë s’kam punë me ta. Ai po më thoshte ashtu që unë të dëgjoja. Në fakt unë nga brenda isha me siklet të madh.

Të gjithë kanë frikë, por mënyra si e përballon ti atë, ose je frikacak ose je hero.

Thotë një filozof i famshëm anglez: “Kur kanë vendosur të ta presin kokën, mbaje kokën me dinjitet mbi kërcu. Një gjë pata mësuar në ushtri por edhe nga im At: “Mos bëj kompromise me ata, sepse të shkelin me këmbë”. E prisja  burgun nga minuti në minutë deri në fillim të viteve 90. Zoti ti jep disa shenja, duhet të jesh i aftë ti lexosh ato.

Nuses sime i shkonin një herë në javë në shtëpi duke i thënë se me kë do martohesh, do të të sakatojmë, do e pësosh kështu e ashtu! Ne martesën tonë nuk e kemi bërë këtu. Te nusja ime shkonte Hajdari dhe spiunonte.

Te Shallvaret u bëja lojëra Sigurimit. Lija biçikletën përballë tyre dhe ikja nga ana tjetër, vija, e merrja atë pas shumë orësh kur kisha mbaruar punët e mia.

Idealistët janë e keqja e qeverive, e një pjese të shoqërisë dhe e keqja e madhe e vetes së tyre. Unë kurrë nuk kam pasur dëshirë për të marrë ofiqe. Kam menduar që u duhet hapur rruga më të rinjve. E kam bërë shkollën me korespondencë. Nuk kam qenë i mirë arsimuar, Shqipëria ka djem dhe vajza me shkollë, ata duhet të jenë në drejtim. Një këshillë si këshilltar edhe mund ta them. Koha ime politike ka mbaruar, ashtu siç ka mbaruar koha e tij, ashtu si përtej shëndetit ka gjithmonë një kohë. Ka një kohë fizike, biologjike për çdo gjë. Koha politike ka një limit.

Eljan Tanini: -Si ishte takimi me avokatin e Jacques Chirac-ut?

Murat Basha: -Avokati i Jacques Chirac-ut, kur e kam takuar në Francë me Skënder Zogun më ka thënë: -“Demokracia nuk ekziston. Demokracia është arma. E kish fjalën te reagimi. E di pse nuk keni pasur demokraci ju në Shqipëri? Jo! Sepse ju nuk keni ditur të reagoni. Ne në Francë i kemi bërë atentate mbretërve, u kemi prerë kokën, edhe De Golit i janë bërë atentate. Janë vrarë shumë shtetarë. Vrasja e tyre e ka sjellë reagimin, ajo e ka mbajtur demokracinë e pushtetit duke reaguar me forcë ndaj padrejtësive të pushtetit”.

Eljan Tanini: -Cilët janë ata që kanë raportuar dhe që ju kanë ndjekur?

Murat Basha: -Fajkoi ka raportuar që unë dua të ikë, të arratisem për në Amerikë! Nuk ka gënjyer, por që të shkoj në Wall Street është gënjeshtër. Unë nuk kisha lidhje me Wall Street, nuk isha ekonomist. Fajkoi rrinte me ne, e ka ekzagjeruar shumë raportimin.

Regjimi i asaj kohe më ka vlerësuar duke më vënë atë spiun sepse ai ka spiunuar Aleksandër Meksin, por edhe një person tjetër që e futi brenda e që punonte në Radio Televizion me emrin Meto Seko. Isha i vlerësuar me një spiun të një rangu të tillë.

Eljan Tanini: -Sa spiunë kishe? Më thuaj pak pseudonimet e tyre?

Murat Basha: -Fajkoi, Furtuna, Zambaku, Adriatiku dhe Faqorja. Ky i fundit sa e njoh unë nuk pinte alkool. Të pestë i kam njohur. Fajkoi më ka bërë gjëmën më shumë. Fajkoi kur u ktheva nga Franca më shmangej. Do e çoja zgupthi po të isha ende i ri. Sot i neveris, me vjen keq për ta se kanë shitur nderin. Edhe kur vdes të mbetet nderi. Shitën çdo gjë për të pasur një privilegj. Fajkoi shkonte raportonte menjëherë për çdo gjë që unë  mund të flisja me të. Kur u zgjodh Papa polak, bisedat që unë kam bërë me të tjerët ai u ka thënë se ato të folura i kam bërë me të.

Eljan Tanini: -Kush jeton nga ata sot?

Murat Basha: -Jeton Faqorja dhe Furtuna. Emrat nuk i them për një arsye. Fajkoit do ia nxjerr emrin më vonë, se ka edhe një të afërm të gjallë. Këta kanë fëmijë, nipa e krushqi. Fëmijët nuk kanë faj për baballarët e tyre.

Nëse i nxjerr emrat nuk do të ndodhë asgjë. Këtu ndodhi një tragjedi e tmerrshme për 45 vjet. Kishte një klithmë vuajtje që vinte nga varret. Vinte nga burgjet, nga internimet, nga torturat. Kjo ulërimë humbi në univers, askush nuk ka kërkuar falje për të burgosurit. Ishte ulërimë e madhe  heshtjeje. Demokracia nuk ka ardhur ende në Shqipëri. Demokracinë e bënë ata njerëz nëpër burgje e biruca. 20 Shkurti nuk është dita e Demokracisë. Njerëzit nëpër burgje meritojnë statuja e buste.

Eljan Tanini: -Ke shkruar trakte?

Murat Basha: -Po, kam shkruar. Ishte viti 1984, te Rruga Siri Kodra me Eqerem Frashërin dhe një mik tjetër, u shkruan te shtëpia e atij mikut. Fletorja u ble në Kombinat, lapsi u ble kuq e zi te Tirana e Re, ndërsa dorezat i gjeta te spitali. I hodhëm nëpër dyert e shtëpive.

Të pasnesërmen më erdhi një spiun, më pyeti. Ishte nga ata që kishte kapur, pyetur edhe të tjerët. Po të hapësh Revistën Tribuna Demokratike, ka qenë një revistë e Tiranës e PD të kohës, në listat e kohës së saj lexon për pushkatim, im At ishte i 6, ndërsa unë i 540 e ca. Nga Serbia nuk do kisha ikur, kaluar kufrin, nga Greqia po. Por nuk e bëja sepse kisha merak shtëpinë. Me X person kam bërë biseda për arratisje, Fajkoi raporton.

Torez Çiraku bëri një raport ku thoshte se unë mbaja thikë për të vrarë njerëz. Unë kisha grushtin, nuk kisha nevojë për thikë. Kanë bërë raporte dhe sajesa që të më fusnin në burg. Torezin dhe Arif Haskon i njoh mirë. Kam qenë në listën e 2A, do të arrestohesha menjëherë. Raportet janë të gjitha gënjeshtra, sajesa për të më futur në burg.

Eljan Tanini: -Po më duket vetja sikur ju ka ndjekur STASI dhe jo Sigrumi!

Murat Basha: -Kam një kushëri timin, Pirro Frashërin. Hyri në burg 15 vjeç e 4 muaj,  doli nga burgu 56 vjeç. Nuk arriti të martohet kurrë. Ka një energji negative që buron nga shejtani, është lufta mes së mirës dhe së keqes. Varet kë ushqen ti. Të keqes duhet ti kthehesh me të mirë, këtë e kam lexuar. Im gjysh i shkruan një letër gjyshes sime duke i thënë mos më qani kur të vdes, e pushkatuan te Bregu i Lumit. Gjyshi studioi në Austri, u plagos në Dibër dhe në Tiranë. Zogu e çoi për mjekim në Vjenë. Ka bërë një kurs të lartë akademik. Pas lufte nuk pranoi të ikte, e pushkatuan. Babai e gjeti varrin e tij, është zhvarrosur disa herë gjyshi. Varri i gjyshit lëvizi në Babrru sepse u hapën tokat, i nxori kockat gjithë natën babai. Me pas i mbuloi kockat po natën dhe i çoi në tokat e të parëve tanë.

Eljan Tanini: -Po Leka Zogu?

Murat Basha: -Leka Zogu e fitoi referendumin. Leka Zogu ka thënë në vitin 1997 që ne edhe për 30 vjet nuk do hymë në Europë. Kanë kaluar 27 vite, a kemi hyrë? Leka Zogu pas babës sim është burri më i ndershëm dhe më patriot. Kam qenë këshilltar i tij. Princ Leka është i keqkuptuari i madh i kësaj shoqërie, i parakohshëm për këtë shoqëri. Më Leka Zogun debatonim shumë për mirë.

A.Q/E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Krijohet dhe 'Djathtas', a do i mbështesni partitë e reja në 2025?



×

Lajmi i fundit

Libani sulmon me dron veriun e Izraelit, 20 të plagosur në Haifa, 5 rëndë! 18 të vdekur në shkollën e Nuseirat në Gaza

Libani sulmon me dron veriun e Izraelit, 20 të plagosur në Haifa, 5 rëndë! 18 të vdekur në shkollën e Nuseirat në Gaza