Drejtori i ri i Policisë, Havari: Proda të zgjedhë njerëzit më të aftë, drejtorët e qarqeve të jenë ekskluzivitet i tij! Këtij populli i pëlqen të shkelet ligji, izolimi dhe radha e bukës

Në emisionin “Sot Live në Shqipëri” të moderatorit Nertil Agalliu, ishte i ftuar në Report TV ish-kryepolici Mit’hat Havari, me karrierë në radhët blu si drejtues në disa qarqe (Berat, Elbasan, Shkodër dhe Tiranë, nga 1992 dhe deri pas viteve 2000), i cili foli për emërimin dhe garën e përzgjedhjes së drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, nga ku fitues doli Ilir Proda, kryepolici i Elbasanit, qark që edhe vetë e kishte drejtuar shumë vite më parë, pas rënies së sistemit komunist.

Havari përshëndeti përzgjedhjen e Prodës si një “polic të gjeneratës së re”, duke e cilësuar paqësor, por e këshilloi që të ishte i guximshëm dhe të zgjidhte njerëzit më të aftë, pavarësisht ngjyrave politike.

Ai u shpreh optimist për profilin e kryepolicit të ri, por vuri në dukje se tashmë shoqëria shqiptare ka probleme të mëdha, pasi duket sikur është mësuar me shkeljen e ligjit dhe i pëlqen dhe sistemi po përjeton një sindromë “kanceri të pashërueshëm”.

Këtu ai përmendi faktin e përgjimeve SKY ECC ku ka edhe shumë oficerë policie të implikuar, reformën në drejtësi me një numër të lartë, 300, gjyqtarë dhe prokurorë me probleme abuzimi të përjashtuar, por edhe sofistikimin e krimit dhe frikën e policisë për të ushtruar detyrën me dinjitet.

Më poshtë intervista e zotit Havari për Report TV ditën e sotme (4 Tetor).

-Zoti Havari, a e keni ndjekur procesin e përzgjedhjes së drejtorit të ri të Policisë së Shtetit? Cili është mendimi juaj?

-E kam ndjekur procesin e zgjedhjes së drejtorit të ri të Policisë së Shtetit. I njihja emrat që kandiduan, edhe drejtorin që u emërua, Ilir Proda, edhe pse jo direkt, sepse i përket gjeneratës më të re. Ka dy vjet si drejtor në Elbasan dhe ka krijuar stabilitet, pasi Elbasani është një çerdhe e krimit. Edhe unë e kam drejtuar Elbasanin dikur dhe e kam dorëzuar zero më zero, me qetësi dhe rend. Për herë të parë pas 30 vjetësh u bë një proces i hapur, demokratik. Kam qenë dakord me seleksionimet e bëra. Se edhe i njoh një pjesë dhe lusja që ndonjë prej tyre të mos ishte. Por besoj se edhe Qeveria e kryeministrit Rama nuk i interesonte të përzgjidhte në krye të Policisë një person që do të anatemohej apo kundërshtohej, qoftë edhe nga opozita.

-Është anatemuar në një farë mënyre, sepse është përfolur se telefoni i tij është sekuestruar më herët nga SPAK...

-Kurrë s’i kam pëlqyer këto teoritë e konspiracionit, sepse jam vetë i drejtpërdrejtë dhe nuk para besoj kështu, sepse dua t’i shoh vetë gjërat me sy, t’i prek me dorë. Dhe në fund fare zgjodhën Ilir Prodën, që mori dhe mandatin nga Ministri i Brendshëm. Më pëlqeu hyrja e tij, me pak fjalë, racional dhe i uroj suksese.

-Po hyjmë drejt një moshe të re të drejtimit të Policisë së Shtetit?

-Besoj se po, sepse Proda i përket gjeneratës së re, vetëm 43 vjeç. Sepse gjenerata mbi drejtorin aktual, mbi moshën 50 vjeç, edhe i njoh mirë dhe e di që s’e pëlqejnë fjalën time, por duhet ta them se nuk kanë sakrifikuar. Duhet të dalësh, duhet të jesh dinamik, i qartë për detyrën që bën, të sakrifikosh dhe të vihesh përballë rrezikut. Sepse duke ndenjur në zyrë, duke u lëpirë pas eprorëve, kështu s’je dot i suksesshëm. Nuk bëhesh dot i dukshëm, s’të njeh opinioni, nuk të njeh populli. Kjo ndodh vetëm tek ne, sepse në vende të tjera drejtori i Përgjithshëm qëndron 20 vjet në detyrë. Mund të jenë ndërruar disa ministra e kryeministra dhe asnjë nga ata s’e merr guximin të vërë dorë të drejtori i përgjithshëm. Psh. Në Itali, kryeministrja Meloni nuk e di se kush është në Siçili si drejtues policie, ka një organikë, por nuk e prek policinë. Edhe kur kryeministri ikën, shteti vazhdon, strukturat shtetërore vazhdojnë punën dhe policia nuk preket dhe nuk ndihet fare largimi i kryeministrit Kurse këtu ndërrohen sa herë ndryshon pushteti. Psh., nëse do ketë ndryshim qeverie, direkt do ndryshohet edhe drejtori i përgjithshëm i policisë. Megjithëse është bërë kontratë 5-vjeçare për mandatin, ata e gjejnë, do futen dhe e shkarkojnë. Kjo gjë i bën ata (kryepolicët) të pasigurt nëpër detyra. Bën policët të pasigurt, sepse ata përballen me kriminelët.

S’po bëhem pesimist, por përderisa grabisin drejtor doganash, tatimesh, zv/kryeministra, ministra, drejtorë drejtorish, drejtorë policie, në bashkëpunim me krimin, ata bëhen pesimista dhe thonë ‘unë do sakrifikohem tani për një rrogë qesharake që më japin’ dhe tërhiqen dhe këtu thyhet ajo lloj pasigurie, janë të pasigurt.

Jo vetëm në policitë e vendeve të BE-së, por edhe në SHBA nuk gjen, shumë rrallë raste me policë të përfshirë. Kurse këtu tek ne, sidomos me këto SKY ECC e rrjetet sociale, s’ka ditë që nuk gjen të përfshirë. Është rëndë shoqëria shqiptare. Sidomos struktura e shtetit. Por edhe populli vetë, duket sikur i pëlqen, i pëlqen që të anashkalohen ligjet, që të shkelen, një shoqëri e tërë që s’i pëlqen.

-S’i pëlqen kjo demokraci?

-Jo, duket sikur do të jetë si dikur, në atë izolim total, në atë radhën e bukës së zezë, kazmën në kurriz dhe me demokracinë abuzuan më pas, në mënyrën më të turpshme të mundshme dhe s’po arrin dot te vendet e qytetëruara.

-Si ju duket policia sot, ka më pak respekt qytetari karshi saj apo më shumë frikë, në krahasim me kohën kur keni qenë ju drejtues?

-Titullari gjithnjë ka rol të rëndësishëm dhe nuk duhet anashkaluar. Fut frymë, mbron ligjet e shtetit dhe strukturën që drejton. Dhe policët që ka në varësi ndihen të mbrojtur dhe kur ndihen të mbrojtur, ata punojnë me devocion. Por e shohin se kur nuk janë të mbrojtur, ata tërhiqen. Përsa i përket krahasimit, në kohën që unë kam punuar, kishte më shumë idealizëm. Jo vetëm unë, por edhe të tjerët, punonin më shumë. Por me kalimin e viteve, me dramat që ndodhën, edhe se krimi u sofistikura shumë, sepse i ka të gjitha mjetet, shumë herë më të mira se policia.

-Qytetet problematike kanë mbetur të njëjtat në hartë, apo jo?

-Nuk ka qenë Elbasani në këtë gjendje që është sot. Në kohën që e kam drejtuar jo, e kam dorëzuar zero më zero dhe jam larguar me ngritje në detyrë nga presidenti i kohës. Por kujtoj dhe të tjerë që kanë qenë dinjitozë në realizimin e detyrave. Por me kalimin e kohës kjo u venit dhe filloi të goditeshin këta drejtorë, sipas rangjeve të qarqeve. Në listën për drejtor të përgjithshëm ishte edhe një djalë, që unë e njoh mirë, ka qenë edhe drejtor i Policisë së Tiranës, nga Jugu, ka pasur edhe detyra të tjera, që do ishte e udhës të ishte zgjedhur, pasi nuk besoj se ai do bëhej rrugë për urdhra të paligjshëm me staturën që ka. Unë familjen time e kam mbajtur me lekët e rrogës së shtetit, jo më gjera të tjera të vjedhura, s’ka shanse. Unë e shoh se çfarë bëhet, (përgjimet e SKY) dhe është e turpshme. Sidomos këta që tradhtojnë strukturat, i fusin në botën e krimit, i hedhin në rrugë. Si ka mundësi 300 prokurorë dhe gjykatës janë hedhur në rrugë, si shkak i abuzimit me detyrën, shpërdorim detyre, vjedhje. Të djegur për tërë jetën, është turp i madh. Kjo është sëmundje e rëndë, kancer malinj, i pashërueshëm. Shife, universitete që shesin diploma jashtë. Kemi kompromentuar edhe ata, italianët (rasti i Universitetit Ëisdom). Madje ndonjë ditë mund të shesim edhe në Gjermani, që mbahet si vend më serioz. Këto janë modele të këqija që influencojnë direkt, sidomos te strukturat e Policisë së Shtetit.

-Pas drejtorit të përgjithshëm do ketë një garë edhe për drejtorët e qarqeve. Duhet të ketë një garë të tillë apo duhet të jetë ekskluzivitet i drejtorit të përgjithshëm?

-Në fakt duhet të jetë ekskluzivitet i drejtorit të përgjithshëm, jo i ministrit të Brendshëm. Sepse nëse ky do pranojë, siç m’i binin mua kur isha drejtor i Policisë së Tiranës, edhe emra dhe kandidatura jo korrekte, unë i hidhja, ata ta faturonin dhe ti je i detyruar ta pranosh. Në të kundërt lë detyrën dhe mbetesh pa punë të nesërmen, lë pa bukë familjen, humbet postin etj. Dhe je i detyruar të pranosh kandidatura negative që dëmtojnë jo vetëm shtetin, por dhe punën tënde. Proda ka vetëm një handikap, sepse është djalë i ri dhe të gjithë këta që janë drejtorë tani, dikur kanë qenë eprorë të tij. Nëse ai do guxojë, sepse e vura re te fjalimi i tij, se tha që do zgjedhë njerëz të aftë dhe profesionalë. Nëse je i ndershëm, je dhe i aftë. Mjafton të jetë korrekt dhe i ndershëm. Zoti Proda ta ndajë mendjen, t’ia thotë ministrit nëse diçka nuk shkon me kandidaturat. Mua më duket djalë paqësor, që nesër nëse puna nuk shkon, t’ia thotë ministrit dhe ta vërë para përgjegjësisë. Nëse do të nderohet, duhet të zgjedhë njerëzit më të aftë, t’i gjejë kudo, nëpër drejtori, nëpër qoshe, që janë larguar, sepse ka edhe probleme politike. Nuk duhet të merren më me këto gjëra ngjyrimesh blu apo e kuqe. Nëse je i ndershëm, telefonin duhet ta mbash hapur dhe të përgjigjesh. Por këta kanë frikë, nuk e hapin, nuk përgjigjen. Këta kanë frikë, kanë frikë se kanë probleme. Le ta marrë një qytetar i zakonshëm e t’i thotë se ka një problem dhe ai duhet të vërë në lëvizje strukturat. E ka për detyrë. Kjo nuk ndodh më.

A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ 'Mangalem's Shade', magjia e dritave në lagjen muzeale të Beratit

VIDEO/ 'Mangalem's Shade', magjia e dritave në lagjen muzeale të Beratit