Si nisi revolucioni i qershorit dhe si zgjidhi qeveria e Nolit çështjen e kufirit shqiptaro-grek Pse ra Shën Naumi në dorë të qeverisë së Beogradit. Muret e kishës u pikturuan nga Nikolla, biri i Onufrit të madh.
Në numrin e djeshëm Shqiptarja.com publikoi Si u bë ministër i Brendshëm 25-vjeçari Ahmet Zogu
Vijon nga numri i djeshëm
TIRANE - Kriza politike, financiare e morale e qeverisë së kryesuar nga Ahmet Zogu, mori flakë gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare që u zhvilluan më 27 dhjetor 1923. Ahmet Zogu, duke e parandier humbjen, përdori tej masës korrupsionin dhe terrorin ndaj zgjedhësve të dytë pa hequr dorë nga falsifikimet në numërimin e votave. Kriza u duk se e kishte futur qeverinë në një rrugë pa krye më 21 janar kur u hap seanca e parë e legjislaturës së re. Refuzimi i Zogut për të rishqyrtuar të paktën numërimin e votave e ndau përfundimisht vendin në dy kampe: në qeverinë e diskretituar, e cila mbështetej në armën e xhandarmërisë dhe në opozitën demokratike, e cila kishte në krah të saj, përveç shtresave të gjera të popullsisë, edhe repartet e ushtrisë kombëtare. Zogu u detyrua të jepte dorëheqjen më 30 mars. Kryeministër i ri u ngarkua Shefqet Vërlaci, në atë kohë vjehrri i Ahmet Zogut. Kjo ishte zgjidhja më e keqe që mund të mendohej në atë kohë. Humoristët thoshin në gjuhën shqip proverbin turk: “Iku salepçiu, erdhi bozaxhiu”, domethënë i njëjti njeri.
Por Zogu nuk u ndal. Shqipëria ishte në ethe të zjarrta. Duhej vetëm një shkrepëse që t’i vinte flakën kashtës. Shkrepësja u ndez kur u vranë me atentat dy mysafirë amerikanë në Mamurras, të cilën Zogu e shfrytëzoi si pretekst duke vendosur shtetrrethimin. Gjendja u rëndua më tepër më 21 prill kur u vra me atentat në mes të Tiranës, Avni Rustemi, kryetari i shoqatës demokratike “Bashkimi” dhe deputet i Tropojës.
Me pretekstin e varrimit të Avni Rustemit në Vlorë, shumica e deputetëve opozitarë u larguan nga Tirana dhe shkuan në Qytetin e Flamurit. Të bindur se nuk kishte asnjë protestë paqësore për ta ndalur vrullin që kishte marrë Ahmet Zogu drejt diktaturës personale, opozitarët vendosën të shpërthenin nga Vlora një revolucion demokratik, në rast se ai nuk largohej nga skena politike. Qarqet e djathta shpresuan se mund ta evitonin revolucionin duke zëvendësuar më 27 maj 1924 Shefqet Vërlacin si kryeministër me Iljaz Vrionin. Kur deputeti i asaj kohe Petro Harito e njoftoi në intimitet A. Zogun se kundërshtarët po përgatiteshin në Vlorë për shpërthimin e kryengritjes së armatosur, ai u përgjigj se mezi e priste atë rast, mbasi kryengritja do t’i jepte atij mundësinë t’ia mbyllte gojën opozitës njëherë e përgjithmonë. Duket se kjo ishte arsyeja përse A. Zogu nuk bëri rezistencë serioze kur kundërshtarët e vet të përkrahur nga ushtria kombëtare, marshuan pa shkrehur pushkë drejt Tiranës. Kështu triumfoi Revolucioni i Qershorit pa derdhur gjak. Pasi revolucionarët demokratë hynë më 9 qershor 1924 në Tiranë, Ahmet Zogu me shumicën e tarafit të tij kërkoi strehim në Jugosllavi. Pjesa tjetër e tarafit me në krye Myfit Libohovën dhe Koço Koton, kërkuan strehim në Greqi, kurse Shefqet Vërlaci dhe Iljaz Vrioni me disa pasues u hodhën në Itali.
Kur triumfoi Revolucioni i Qershorit, Shqipëria ishte nga çdo pikëpamje një vend i prapambetur. Rreth 90% e popullsisë banonte në fshat. Në fshat mbisundonin fshatarët e vegjël me tokë bujqësore të pamjaftueshme. Pothuajse në radhë të dytë vinin fshatarët e mesëm, në radhë të tretë fshatarët pa tokë. Në të gjitha fshatrat toka punohej me parmendën prej druri. Qytetet nuk kishin industri moderne. Qytetarët merreshin me zejtari, tregti dhe kopshtari. Vendi kishte vetëm pak rrugë qerresh. Lumenjtë e mëdhenj kaloheshin me trapa (lundra). Vendi nuk e njihte akoma energjinë elektrike. Rreth 90% e banorëve ishin analfabetë. Shkollat ishin shumë të pakta. Me gjithë këtë prapambetje Shqipëria nuk ishte pa kapital.
Financieri nga Luksenburgu, A. Calmes, i dërguar posaçërisht nga Lidhja e Kombeve më 1922 për të studiuar gjendjen ekonomike të Shqipërisë, raportonte se shqiptarët gëzonin në formë thesari 50-100 milionë franga ari, të cilat ishin të strukura nëpër qypa nën tokë dhe të kyçura në sëndyqe familjare. Ajo kishte, sipas mendimit të tij, mjete relativisht të mjaftueshme për të vënë në lëvizje me anë të investimeve ekonominë e vendit, nëse vendit i sigurohej një stabilitet politik, një legjislacion i përshtatshëm dhe një politikë shtetërore proteksioniste. Po të siguroheshin këto kushte, përfundonte ekonomisti A. Calmes, atëherë florinjtë e fshehur do të dilnin në sipërfaqe dhe do të vërshonin në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.
Por, qeveria që doli nga Revolucioni i Qershorit nuk pati mundësi, për shkak të kohës tepër të shkurtër që qëndroi në fuqi, të zgjidhte asnjë nga problemet ekonomike dhe financiare që e gërryenin atë nga brenda. Madje, me trazirat që ndodhën në vitin 1924, stabiliteti politik i vendit u trondit më tepër. Rezervat e arit u strukën më thellë nën dhe. Shteti shqiptar vazhdoi të ishte në krizë të thellë financiare. Krizën e thelloi edhe qëndrimi jodashamirës që mbajtën Fuqitë e Mëdha ndaj Revolucionit të Qershorit. Arsyeja është se Fuqitë e Mëdha në atë kohë, të cilat ishin të angazhuara për të ruajtur stabilitetin në Europë, nuk qenë të prirura të përkrahnin ndryshime qeveritare me kryengritje të armatosura, nga frika se ndoshta ndonjëra prej tyre mund të shkiste në krahun sovjetik. Për këtë arsye, qeveria e Fan Nolit nuk qe në gjendje të zgjidhte asnjë nga problemet nga të cilat vuante vendi - jo vetëm për shkak të jetës së saj të shkurtër, por edhe për qëndrimin e ftohtë që mbajtën ndaj saj Fuqitë e Mëdha.
Pikërisht këtë rrethanë e shfrytëzoi Ahmet Zogu, i cili pasi arriti në Beograd, deklaroi se po përgatitej të rivendoste në Shqipëri statusin ligjor të përmbysur nga kryengritësit. Për të rimarrë pushtetin e humbur A. Zogu i kërkoi ndihmë qeverisë jugosllave. Në muajin gusht kryeministri N. Pashiç u tregua i gatshëm t’i jepte atij ndihmën politike, financiare dhe ushtarake për të përmbysur me dhunë qeverinë demokratike në Shqipëri. Por kryeministri serb i vuri si kusht nënshkrimin paraprak të një marrëveshjeje me të cilën A. Zogu merrte përsipër që kur të vinte në pushtet, të plotësonte një varg kërkesash politike, ekonomike, juridike, të cilat po të zbatoheshin do ta shndërronin Shqipërinë, tani një shtet i lirë dhe i pavarur, në një provincë autonome, nën sovranitetin e mbretit të Jugosllavisë.
Marrëveshja, e cila u mbajt e fshehtë, u nënshkrua më 14 gusht 1924. Në nenin 10 të marrëveshjes thuhej se pasi Zogu të merrte në dorë pushtetin në Shqipëri, qeveria shqiptare duhej të deklaronte pranë Konferencës së Ambasadorëve se hiqte dorë nga pretendimi i saj për sovranitetin mbi Manastirin e Shën Naumit dhe mbi lokalitetet e Vermoshit dhe Kelmendit, të cilat do të mbeteshin nën zotërimin e Jugosllavisë. Pavarësisht se ky ishte një premtim që A. Zogu i jepte N. Pashiçit, jo si kryetar i qeverisë por si një refugjat pa asnjë ofiq – ky premtim nuk e çliron A. Zogun nga njolla e turpit. Kur shpërtheu Revolucioni i Qershorit, kishin mbetur ende të pazgjidhura disa probleme kufitare me dy fqinjët e saj – me Jugosllavinë dhe me Greqinë.
Prej tyre, kufiri shqiptaro-jugosllav ishte caktuar në parim nga Konferenca e Ambasadorëve që me protokollin e 11 gushtit 1913, nën emrin e kufirit shqiptaro-malazez në veri dhe shqiptaro-serb në lindje dhe në verilindje. Në bazë të këtij protokolli, gjithë krahina e Malësisë së Madhe, përfshirë Vermoshin me pyjet dhe kullotat e tij, i përkisnin Shqipërisë. Po ashtu Manastirin e Shën Naumit, në kufirin shqiptaro-serb, në jug të liqenit të Ohrit ajo ia linte Shqipërisë. Pas Luftës së Parë Botërore, qeveria jugosllave, si trashëgimtare e mbretërive serbe dhe malazeze e kundërshtoi kufirin në të dy këto sektorë, me justifikimin se kullotat me emrin Velipojë në Vermosh, u takonin fiseve kufitare malazeze, kurse Manastiri i Shën Naumit ishte për të një vend i shenjtë fetar serb. Pretendimin e saj qeveria e Beogradit e ngriti më 1919 në Konferencën e Ambasadorëve.
Në të vërtetë, Manastiri i Shën Naumit nuk kishte karakter fetar serb, por shqiptaro-maqedon. Ai ishte ndërtuar në shekullin IX në kohën e Perandorisë Bullgare nga predikatori sllav Naumi, i cili kishte vepruar për mjaft kohë në Shqipërinë e Jugut. Kisha e ndërtuar brenda Manastirit i kushtohet kryeengjëllit Mëhill. Kisha e sotme është rindërtuar në shekullin XVI mbi themelet e kishës së vjetër nga popullsia e krishterë maqedone dhe shqiptare që banon në afërsi të saj. Muret e kishës kanë qenë pajisur me afreske të pikturuara nga piktori Nikolla, biri i Onufrit të madh nga Elbasani. Në ikonostasin e punuar në dru ka edhe ikona të punuara nga piktori shqiptar i shekullit XVII-XVIII Kostandin Jeromonaku. Në muret e kishës ka gjithashtu afreske të punuara nga piktori korçar Tërpo, i biri i Athanas Zografit, gjithashtu piktor me emër. Midis pjesëtarëve të Manastirit të Shën Naumit ka patur jo vetëm murgj (kallogjerë), por edhe igumenë (drejtuesa) me kombësi shqiptare.
Veç kësaj, në Manastirin e Shën Naumit kryenin pelegrinazh ditën e Shën Mërisë së Gushtit, jo vetëm vizitorë maqedonë, por edhe shqiptarë nga rrethet e Shqipërisë Juglindore. Kjo çështje, e cila u shqyrtua herë pas here nga Konferenca e Ambasadorëve dhe nga Lidhja e Kombeve, është trajtuar me hollësi në një punim të veçantë (Kr. Frashëri, Çështja e Manastirit të Shën Naumit dhe e Velipojës së Vermoshit, Tiranë 2013), prandaj këtu do të trajtohet shkurt. Mjafton të thuhet se me vendimin që dha Konferenca e Ambasadorëve më 6 gusht 1922 në favor të Shqipërisë çështja e Shën Naumit dhe e Vermoshit politikisht dhe juridikisht konsiderohej e mbyllur. Megjithatë, qeveria jugosllave nuk hoqi dorë nga pretendimet e saj të padrejta. Ndërkohë, edhe qeveria greke kishte paraqitur pretendimet e saj për katërmbëdhjetë fshatra shqiptare në sektorin lindor të Bilishtit, të cilat Konferenca e Ambasadorëve ia kishte njohur Shqipërisë. Por si qeveria greke ashtu dhe ajo jugosllave vazhduan t’i mbanin të pushtuara me ushtritë e tyre tokat që ato pretendonin.
Nga dy shtetet fqinje, më këmbëngulëse u tregua Jugosllavia. Çështja e Shën Naumit tashmë konsiderohej e zgjidhur në favor të Shqipërisë edhe nga Fuqitë e Mëdha. Më 21 prill, në pragun e fitores së Revolucionit të Qershorit, qeveria britanike e bindur se çështja e Manastirit të Shën Naumit po zvarritej pa asnjë arsye, i kërkoi Konferencës së Ambasadorëve që ajo çështje të mbyllej, mbasi vendimi që kishte marrë ajo Konferencë më 6 dhjetor 1922 ishte përfundimtar. Më 17 qershor 1924, kur ishte formuar qeveria e Fan Nolit, Këshilli i Lidhjes së Kombeve tashmë i bindur se çështja kishte thjesht karakter juridik, i kërkoi Dhomës së Përhershme të Drejtësisë Ndërkombëtare (Gjykatës së Lartë Ndërkombëtare) të krijuar në kuadrin e Lidhjes së Kombeve në Hagë (Holandë) një mendim konsultativ në lidhje me pretendimet e të dyja palëve. Qeveria e Beogradit e përsëriti këmbënguljen e saj në Gjykatën e Hagës më 14 korrik 1924.
Këtë radhë argumenti i saj ishte ky: meqenëse qeveria e Beogradit po e mbante të pushtuar ushtarakisht Manastirin e Shën Naumit që nga viti 1913, ky pushtim, pretendonte ajo, i jepte të drejtë Jugosllavisë ta zotëronte atë edhe në të ardhmen. Si rrjedhim, shtonte ajo, t’ia mohosh Jugosllavisë pas kaq vitesh Manastirin e Shën Naumit, ishte një ndëshkim për një shtet që kishte luftuar përkrah Antantës. Në memorandumin e palës shqiptare thuhej se argumentet e palës jugosllave ishin trajtuar më parë, prandaj ato konsideroheshin të konsumuara nga Konferenca e Ambasadorëve dhe se çështja e Shën Naumit nuk mund të rishikohej, mbasi Beogradi nuk paraqiste argumente të reja të panjohura deri atëherë. Veç kësaj, qeveria e Nolit e padiste qeverinë jugosllave si agresore, përderisa mbante të pushtuar vise të cilat i qenë njohur Shqipërisë.
Më 4 shtator 1924 Gjykata e Hagës e njoftoi Këshillin e Lidhjes së Kombeve se e njihte të drejtë vendimin që kishte marrë Konferenca e Ambasadorëve, më 6 dhjetor 1922, në favor të Shqipërisë. Ndërkohë, me shpresë se do ta ndryshonte vendimin e Konferencës së Ambasadorëve në favor të saj, qeveritarët e Beogradit kurdisën disa provokime në kufirin shqiptaro-jugosllav në sektorin e Vermoshit. Një nga këto provokacione u diskutua edhe në Këshillin e Lidhjes së Kombeve më 3 tetor 1924, pikërisht atë ditë kur shqyrtohej dhe përgjigja e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës. Në atë mbledhje Shqipëria përfaqësohej nga kryeministri i saj Fan Noli. Ngjarjen po e riprodhojmë ashtu siç e ka përshkruar vite më vonë, më 1929, historiani britanik J. Suire.
Ditën që në Gjenevë diskutohej çështja e Shën Naumit, shkruan ai, “Këshillit të Lidhjes i erdhi një apel nga Shqipëria në lidhje me një incident kufitar, që theksonte nevojën për një vendim të menjëhershëm në lidhje me pikat e diskutueshme. Duket se një bandë shqiptarësh e udhëhequr nga Islam Galia, kryente grabitje në rajonet shqiptaro-malazeze të Kuçit, Triepshit dhe Vasojeviçit dhe kishte rrëmbyer dy apo treqind krerë bagëti. Delegati jugosllav shtoi se ishin rrëmbyer edhe dy vajza. Gjithsesi grabitësit ishin sulmuar para se të kalonin sërish kufirin dhe u ishte marrë shumica e presë. Grabitja ishte thjesht një çështje mes fiseve. Pjesëtarët e fiseve, të mësuar prej shekujsh me grindjet mes fiseve, nuk arrinin ta kuptonin paprekshmërinë e një kufiri ndërkombëtar dhe kjo herë-herë çonte në incidente me rëndësi lokale, por që paraqiteshin zakonisht si me rëndësi ndërkombëtare.
Në këtë rast, ishte organizuar një kundërgrabitje, por se nga kush kjo mbetej të merrej me mend. Duket e qartë që grabitësit kishin mbështetjen e trupave dhe të autoriteteve lokale jugosllave. Ata ishin futur në rajonet e Vermoshit, Tamarës, Grykës, Vuklit dhe Selcës, të cilat i kishin plaçkitur. Qeveria shqiptare kishte dërguar përforcime dhe kishte dhënë urdhër për një mobilizim të pjesshëm, ndërkohë që populli i Shkodrës ishte betuar të mbronte tokën amtare. Qeveria shqiptare ishte përpjekur t’i bindte të ardhurit të tërhiqeshin, por, si përfundim, kishte qenë e detyruar të përdorte forcën dhe kishin ndodhur disa ndeshje të ashpra para se të rivendosej kufiri.
Përpara Këshillit të Lidhjes, delegati jugosllav e minimizoi incidentin, deklaroi që shqiptarët ishin plotësisht përgjegjës dhe mohoi pjesëmarrjen e zyrtarëve apo trupave jugosllave. Në përgjigje, imzot Noli tha:
“Kur dëgjon përfaqësuesin e shtetit jugosllav, shtyhesh të mendosh që e gjithë kjo ka qenë një idil bukolik (baritor – K.F.) në shijen më të mirë. Delet dhe viçat po kullosin përpara syve të vëmendshëm të dy zonjushave, kur papritur arrijnë trimat shqiptarë dhe i rrëmbejnë ato së bashku me delet dhe viçat e tyre. Të afërmit e këtyre zonjushave të këndshme dhe pronarët e deleve dhe të viçave turren në ndjekje, por – mjaft e çuditshme, - të afërmit dhe pronarët zgjedhin si pikë të hyrjes së tyre në territorin shqiptar pikërisht malin e Vermoshit, pikën e diskutueshme të kufirit. Dhe vjen fundi i trishtuar i kësaj skene hyrëse qesharake. Alarmi gjëmon në Shqipëri. Dërgohen përforcime, bëhet mobilizim, derdhet gjak, sulmuesit zmbrapsen”. (J. Suire, Shqipëria. Ngritja e një mbretërie. Përktheu shqip Kujtim Ymeri, Tiranë 2005, ff. 348-349).
Këshilli i Lidhjes së Kombeve nuk i dha rëndësi incidentit, as nuk e mori parasysh kërkesën e Jugosllavisë për t’ia mohuar Shqipërisë të drejtën mbi Shën Naumin. Të nesërmen, më 4 tetor 1924, Këshilli ia përcolli Konferencës së Ambasadorëve opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës me porosi që të dyja palët e interesuara ta vinin atë në zbatim. Me këtë vendim, çështja e kufirit shqiptaro-serb në të dy këto sektorë zgjidhej përfundimisht në favor të Shqipërisë.
Ndërkohë, qeveria e Nolit zgjidhi edhe çështjen e kufirit shqiptaro-grek. Në sajë të këmbënguljes së Tiranës, qeveria e Athinës pranoi t’i tërhiqte pa asnjë kompensim ushtritë greke nga fshatrat shqiptare që mbante të okupuar në sektorin lindor të rrethit të Bilishtit. Por, në lidhje me kufirin shqiptaro-jugosllav N. Pashiçi nuk u dorëzua. Ai tani e la mënjanë faktorin ndërkombëtar dhe për të realizuar lakminë e tij u mbështet në marrëveshjen e fshehtë që lidhi me A. Zogun më 14 gusht 1924.
Kjo ishte gjendja në Shqipëri kur qeveria shqiptare e Nolit u përmbys më 24 dhjetor 1924.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 28.07.2013
Po nga Kristo Frasheri mund te lexoni dhe
EKSKLUZIVE/ Fischer: Pse dështoi Zogu për Shqipërinë perëndimore
EKSKLUZIVE Konica: E kam njohur Zogun, kurrë s'tha të vërtetën
Eqerem Vlora, një nga kritikët më të mëdhenj të Ahmet Zogut
Gabimi i rëndë i Ahmet Zogut: Nuk mbajti qeveri në mërgim
DOKUMENTI SURPRIZË/ Letra e Duçes: Hasan Prishtina njeriu ynë
Ja pse e dhuroi Ahmet Zogu Shën Naumin dhe Vermoshin
Si u bë ministër i Brendshëm 25-vjeçari Ahmet Zogu
Kristo Frashëri: Si e manipuluan historinë biografët e Ahmet Zogut
EKSKLUZIVE/Kristo Frashëri: Ju rrëfej Ahmet Zogun e vërtetë
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)