Ne reagojmë në mënyra të ndryshme kur bëhet fjalë për ngjyrat. Mënyra si vishemi ndikon në humorin tonë, ndaj disa psikologë besojnë te "veshje-terapia".

Nëse duam të ndryshojmë këndvështrimin e gjërave duhet të luajmë me disa ngjyra të caktuara kur të zgjedhim rrobat, makijazhin dhe aksesorët shoqërues.
Ngjyra e kuqe shkakton emocione të fuqishme si frika, zemërimi apo pasioni. Kjo ngjyrë tregon ndryshime dramatike kur e zbut disi, si për shembull kur e çel me rozë ose e errëson me vishnje të errët. Buzët e kuqe mund të jenë aksesori më I mirë, sidomos kur jemi veshur me të zeza.

Ngjyra blu, nga pikpamja psikologjike, përfaqëson të kundërtën e së kuqes, ul tensionin e gjakut, por jo deri sa të kalojë në stres. Duke parë në natyrë qiellin ose detin, bluja e tyre na përcjell qetësi, kjo ndodh edhe kur vishemi me blu. Nëse japim një intervistë ose kemi një takim të rëndësishëm duhet të vishemi me blu sepse përfaqëson besimin dhe fuqinë shpirtërore.

Ngjyra e gjelbër lidhet ngushtë me mjedisin dhe na bën të ndihemi gjithmonë të freskët. Kjo ngjyrë shkon me të gjitha llojet e lëkurave dhe ka nuanca që të lejojnë t'i ndryshosh herë pas here, të cilat kalojnë nga serioze e të sofistikuara, në nuanca të freskëta e të shndritshme.

Ngjyra e verdhë mbart si ngarkesa pozitive, rrezet e diellit që shpalosin hare e optimizëm, ashtu edhe negative, errësim të arsyes e turbullim. Veshja e ngjyrës së verdhë të shndritshme ndihmon të jemi në qendër të vëmendjes.

Ngjyra portokalli është zëvendësuesja më e mirë e ngjyrës së kuqe. Kjo ngjyrë stimulon entuziasmin, kreativitetin dhe simbolizon gjallërinë e durimin. Ngjyra portokalli është më e përshtatshme për përdorim të përditshëm.

Ngjyra e purpurt simbolizon luksin, sipas disa psikologëve, dhe duhet ta përdorim kur duam të fitojmë pak vetëbesim. Nëse kemi fytyrë të freskët, që duket shumë e re, por duam të dukemi më të sofistikuar duhet të përdorim të purpurtën për t'u dukur më e pjekur.

ATSH