Saga e përgjakshme mes Jani Aliajt dhe Elton Çiços, që përfundoi me vrasjen e Aliajt brenda burgut të Koridhalos në Greqi, u zbërthye hap pas hapi në emisionin Frontline Interview në Report TV, ku ishte e ftuar gazetarja Aida Topalli.
Topalli e nisi rrëfimin duke u kthyer pas në fillim të viteve 2000, aty ku sipas saj nisi gjithçka.
“Dikur njihej si Maringlen Aliaj dhe emrin e ndërroi për shkak të përfshirjes me krimin e organizuar brenda dhe jashtë Shqipërisë. Në vitet 2000, Jani Aliaj, Elton Çiço dhe një 20-vjeçar tjetër me mbiemrin Ballazhiu, emigruan drejt shtetit grek dhe u përfshinë në trafikun e lëndëve narkotike. Jani Aliaj punonte me 20-vjeçarin, i cili ishte edhe djali i Shyqo Ballazhiut”, rrëfeu Topalli.
Ajo theksoi se ngjarja që ndezi zinxhirin e hakmarrjes ishte vrasja e 20-vjeçarit Ballazhiu.
“Në vitin 2006, Jani Aliaj vret shokun e tij të fëmijërisë, pra 20-vjeçarin me mbiemrin Ballazhiu, që ishte nga një fshat i Memaliajt. Nëse pyet në Tepelenë, ata janë rritur në të njëjtin oborr shtëpie. Më e trishta është që Jani Aliaj e mori trupin e shokut, e solli në Tepelenë dhe e qau bashkë me prindërit e 20-vjeçarit,” tregoi ajo.
Sipas Topallit, autoritetet greke zbuluan më pas se Aliaj ishte vrasësi dhe e arrestuan, ndërsa Elton Çiço kërkonte me ngulm të zbulonte të vërtetën.
“Elton Çiço donte të dinte kush ishte vrasësi i shokut të fëmijërisë dhe u betua që do të merrte hak, sepse e konsideronte 20-vjeçarin të pafajshëm,” tha gazetarja.
Rreth tre vite më vonë, të dy përfunduan në të njëjtin burg.
“Të dy po vuanin dënimin në burgun e Koridhalos në Greqi. Jani Aliaj dhe Elton Çiço ishin në të njëjtin burg. Çiço vuante një dënim prej pesë vitesh për vrasje. Pikërisht aty ndodhi konflikti i parë, ku Çiço plagos Aliajn me thikë gjatë ajrimit, për shkak të sherrit për shokun e fëmijërisë,” rrëfeu Topalli.
Pas kësaj ngjarjeje, Aliaj përfitoi lirim me kusht dhe u arratis.
“Aliaj del me lirim me kusht nga burgu, arratiset dhe nuk rikthehet më në Koridhalos. Pas arratisjes ai kthehet në Shqipëri, ndërsa Çiço përfundon dënimin. Pasi rikthehen të dy në Shqipëri, përplasjet rifillojnë. Çiço i bën dy atentate Aliajt, të cilave ai u shpëton,” tha ajo.
Topalli tregoi edhe momentin kur Aliaj kuptoi se kush po e ndiqte.
“Aliaj pyet shokun e tij Nelgert Pata: ‘Kush po mi bën këto atentate?’ dhe Pata e informon që Çiço po ia bënte atentatet,” rrëfeu gazetarja.
Kulmi i sagës erdhi në vitin 2016.
“Në vitin 2016, Jani Aliaj e vret Elton Çiçon me dy plumba në kokë dhe më pas arratiset, duke i shpëtuar drejtësisë për nëntë vite me radhë,” tha Topalli. Ajo shtoi se vetëm tre javë pas vrasjes, drejtori i Policisë së Tiranës asokohe, Ervin Hodaj, doli në një deklaratë zyrtare dhe tha se policia kishte dyshime të arsyeshme që autori i vrasjes ishte Jani Aliaj.
Sipas saj, Aliaj u ndihmua nga Nelgert Pata, i cili u vra disa muaj më vonë, ndërsa një tjetër person, me mbiemrin Milloshi, u dënua vetëm për moskallëzim krimi.
“Gjykimi për Jani Aliajn vazhdoi edhe pse ai ishte i arratisur dhe nga provat e mbledhura, gjykata u bind që Aliaj ishte vrasësi i Çiços,” theksoi ajo.
Topalli shpjegoi se Aliaj u arrestua në Greqi në fund të vitit 2024 dhe pritej të ekstradohej në Shqipëri në vitin 2026.
“Ai kishte një dënim të formës së prerë me burgim të përjetshëm për vrasjen e Elton Çiços. Por grupet kriminale veprojnë më shpejt se drejtësia. Nëse do të ishte ekstraduar në Shqipëri, do të ishte shumë më e vështirë të ekzekutohej në burgjet shqiptare,” tha ajo.
Gazetarja u ndal edhe te vrasja e fundit në burgun e Koridhalos.
“Është hera e dytë që Aliaj goditet me thikë brenda burgut. Hera e parë ishte rreth vitit 2009 nga Elton Çiço. Këtë herë, një i dënuar me burg përjetë, së bashku me një grup arabësh, e kërkonin prej kohësh Jani Aliajn. Pas një periudhe kërkimesh, kemi të bëjmë me një grup të rekrutuar për këtë vrasje me pagesë. Autori grek ka pranuar që ka marrë 15 mijë euro për të kryer vrasjen,” rrëfeu Topalli.
Ajo shtoi se pista kryesore e hetimit mbetet hakmarrja për vrasjen e Elton Çiços.
“Ka të dhëna që porosia për vrasjen e Aliajt ka ardhur nga një shqiptar që jeton në Dubai. Duke qenë se një pjesë e mirë e botës së krimit jeton në Dubai, edhe vazhda e grupit ku bënte pjesë Çiço ka shtrirje atje. Jani Aliaj ishte figura e fundit e kësaj sage të gjatë përplasjesh mes dy grupeve nga Tepelena, një sagë që nisi për një vrasje dhe përfundoi kështu,” përfundoi Topalli.
Komente








