Si tregoi 'përrallë' sot në gjyq Ahmet Ajeti për tentativën vrasjes ndaj Lulzim Berishës në Durrës

Si tregoi 'përrallë' sot në gjyq Ahmet Ajeti për tentativën vrasjes ndaj Lulzim Berishës në Durrës

Ahmet Ajeti dhe Lulzim Berisha

Ahmet Ajeti, kosovari që po përballet në gjykatën e Krimeve të Rënda me akuzën e “Vrasjes me paramendim të mbetur në tentativë” kundër të dëmtuarit Lulzim Berisha në Durrës, ka dëshmuar sot para gjykatës së krimeve të Rënda. Për më shumë se 45 minuta Ajeti ka rrëfyer versionin e tij, për atentatit që ai së bashku me mikun e tij kosovar Osman Korpuzi, i bënë në gusht të 2005 Lulzim Berishës. Ky ishte atentati i dytë, që ish-shokët e tij Endrit Dokle dhe Dritan Coli, kishin paguar për të asgjësuar Lulin, por që të dyja atentatet me pagesë dështuan. Në dëshminë që ka dhënë sot i pandehuri Ahmet Ajeti nuk ka treguar asnjë emër se kush ishte porositësi i kësaj vrasje, duke pohuar se ai dhe Osman Korpuzi, kishin marrë ultimatum të prerë për të vrarë një person në Durrës. Pasi sipas tij, në të kundërt pa kryer këtë detyrë nuk mund të iknin nga hoteli ku ishin strehuar në Durrës.

“…në gusht të vitit 2005 erdha në Shqipëri pasi kërkoja punë. Erdha bashkë me Osman Karpuzin të cilin e njihja që nga viti 2001. Osmanin e kam njohur në luftën kombëtare të Maqedonisë. U ndalëm fillimisht në Tiranë tek një ndërtesë. Aty takuam dy persona të cilët na thanë se mund të na siguronin punë. Por puna ishte në Durrës…”-ka treguar Ajeti.

Por i gjithë rrëfimi i sotëm në gjykatë i të pandehurit Ahmet Ajeti, ka qenë një përrallë pasi ekzistojnë të dhënë ta tjera që vërtetojnë se ai kishte pranuar të bashkëpunonte me Endrit Doklen dhe Adriatik Colin për eliminimin fizik të Lulzim Berishës. Ajeti ka dhënë një dëshmi të thatë duke pohuar se: ”…personat që i kishin ofruar punë, i kanë mbyllur në një hotel në Durrës, ku i kanë thënë se duhet të vrisnin një person për ta, ose ndryshe nuk do largoheshin më… për të shpëtuar nga kjo situatë unë kam plagosur veten"-ka deklaruar Ajeti duke mohuar njohjen me Lulzim Berishën, për të cilin tha se e kishte parë për herë të parë në gjyq.

Gjithashtu Ajeti ka pohuar se nuk njeh asnjë nga personat si Adriatik Coli, Endrit Dokle, Sardian Sulejmani, me të cilët sipas prokurorisë ka bashkëpunuar për të realizuar atentatin ndaj Lulzim Berishës. Ahmet Ajeti u ekstradua nga Interpol Tirana më 20 korrik të vitit të kaluar nga Prishtina në Rinas dhe nga ajo ditë mbahet i izoluar në qelitë e burgut 313 në Tiranë. Për tentativën e vrasjes së Lulzim Berishës në Durrës ai është dënuar në 2012 me 20 vite burgim në mungesë por pas një kërkese për rivendosje në afat, gjykata pranoi ti hapë çështjen dhe të rigjykohet. Në seancën e ardhshme, Prokuroria për Krime të Rënda pritet që të lexojë pretencën.

Ja si e tregon i penduari Coli planin për të vrarë Berishën me kundratak

Pas dështimit të Selman Heti e Spartak Kalthi, për të qëlluar mbi Lulëzim Berisha, Endrit Dokle dhe Dritan Coli, kanë vijuar përpjekjet për realizmin e qëllimit të tyre kriminal, përsëri, me persona të tjerë të përzgjedhur, si vrasës me pagesë. Pas debatit të zhvilluar, mes Selman Hetit e Spartak Kalthit për punën e pagesës, pasi ata vetëm e kishin plagosur dhe jo vrarë, Lulzim Berishën, këta të fundit, janë larguar përfundimisht, nga marrëveshja me Doklen e Colin, për kryerjen e kësaj vrasjeje, duke marë vetëm gjysmën e shumën së eurove që kishin rënë dakord për vrasjen. Në dëshminë e dhënë në Gjykatën e Krimeve të Rënda i penduari Coli e tregon kështu lidhjen e marrëveshjes me Ahmet Ajetin për vrasjen e Lulzim Berishës

.“...Mbas dy- tre ditësh vinë këtu dy çuna të rinj, njëri i shkurtër dhe njëri më i gjatë. Njëri e kishte pseudonimin “Kinezi”, këto dy ishin që do shtinin tek Lulëzim Berisha. Njëri ishte Osman dhe tjetëri Ahmet. Më mbrapa i kam mësuar emrat. Osmani ishte “Kinezi” më i shkurtër se Ahmeti, trup mesatar, flokë të zeza pak të ngritura lart. Kurse ai tjetëri ishte Ahmeti më i gjatë se Osmani trup mesatar, fytyrë rrumbullakët.  Këto ishin nga Kosova... Biseduam për vrasjen e Lulëzim Berishes se si do t’ia bënin. Ne i thamë që vrasja të bëhej me kundratank. Osmani bashkë me Ahmetin thanë që s’ka nevoj, do shkojmë ta vrasim me pistoletë. Shkojm të shohim vendin e i nisim me Sardian Sulejmanin për në Durrës, po atë natë që erdhën. Unë i thashë që ti çonte për të fjetur tek një Hotel tek plazhi në Durrës ...Fotografia e Lulzim Berishës, erdhi gjysëm trupi vetëm koka e Lulëzim Berishës ishte tek fotografia. Ishte e prerë. Ishte fotografi e vogël... Fotografin ja dhamë Ahmetit dhe Osmanit dy kosavarëve, atë natë. Të nesërmen kam vajtur unë me Endrit Doklen me makinë foristradë, ku morëm me vete dy pistoleta një “Zastava” pa zhurmë me silenciator, dhe një pistoletë nuk ja mbaj mend emrin kishim marë dhe një “Uzi” amerikan të vogël Automatik, pa zhurmë me silensiator, dhe shkuam tek hoteli ku ishin shtrehuar dy kosavarët Osmani bashkë me Ahmetin. Ishte vakt dreke, i thirrëm dhe zbritën poshtë. Ne ishim te parkinku poshtë hotelit në plazh. E morëm Osmanin e futëm brenda në foristradë dhe e pyetëm si është vendi për ti gjuajtur Lulëzim Berishës para lokalit "Cera ona volta", lokalit të Lulit... Ne i treguam armët unë dhe Endrit Dokle. Ai mori dy pistoletat që thashë më parë zastavën me silenciator. Ai zgjodhi të mbante pistoletën tjetër dhe jo zastavën, Osmani. Pyetëm dhe për fotografinë, nxori dhe fotografin e Lulëzim Berishës, dhe u ndamë. Unë me Endritin nisemi për në Tiranë. I kishte çuar Sardiani po atë natë që erdhën dhe të nesërmen kishin shkuar në mëngjes dhe kishin parë vendin tek lokali i Lulëzim Berishës që ndodhet te fermentimi në Durrës. Fotografinë e nxori ai, së ku e mbante nuk e di. Fotografia ishte e prerë gjysëm trupi. Më duket se ka pasur një varëse floriri në qafë. Fotografinë Ahmeti e mbajti vetë. Të nesërmen ishte vakt dreke me sa më kujtohet. Ishin Sardian Sulejmani, Ahmeti dhe Osmani. Për ti gjuajtur Lulëzim Berishës do ti gjuante Osmani, “Kinezi”. Ahmeti shoku i vet do ti rinte afër. Ashtu e lamë ashtu u bisedua që do ti gjuante “Kinezi”, Osmani. Sardiani në atë vakt dreke ndodhej me Osmanin, “Kinezin”. Ahmeti kështu si na tregon Sardian Sulejmani, Ahmeti kishte qënë në një lokal aty afër dhe kishte debatuar, tek lokali, me njerëzit e lokalit. Kishte debatu dhe ishte larguar nga lokali dhe kishte hyrë tek një hyrje që ndodhej përballë lokalit të Lulëzim Berishës. Këto i mësoj më mbrapa nga Sardiani. Ahmeti kur kishte hyrë tek hyrja, këto të lokalit i kishin gjëmuar për me e rrah, se pse kishte debatuar ishin sharë me njëri tjetrin. Në atë kohë kur kishte hyrë tek hyrja Ahmeti kishte futur dorën në brez për të nxjerë pistoletën, dhe kishte shkrepur pistoletën dhe kishte plagosur veten. Kishte shti dhe një herë në ajër për ti trembur ato. Në atë kohë ai ishte bllokuar kishte ndejtur tek shkallët e pallatit ku kishte hyrë tek ajo hyrje, tek shkallët brenda. Nga ana tjetër Osmani i bien ziles të celularit të Ahmetit. Ahmeti nuk i përgjigjet. Sardiani bashkë me Osmanin kërkojnë për Ahmetin dhe e gjejnë tek hyrja tek shkalla, të plagosur. Këto i mësova nga Sardiani pasi na i shpjegoj mbrapa të gjitha. Osmani i jep pistoletën e vet që kishte Sardianit, merr dhe pistoletën e Ahmetit, dhe dalin të dy për të kërkuan ndihmë, Osmani bashkë me Sardianin. Kërkuan ndihmë që është plagosur Ahmeti. Në atë kohë Osmani shkon drejt tek polici rrugor....Shkon policia e marin Ahmetin e çojnë në spital, e veprojnë. Policia kishte kapur edhe Osmanin pasi ai e kishte shoqërruar deri tek spitali. Ku e kishin marë në pyetje Osmanin, sepse Osmani ishte prezantuar se është miku im, shoku im. I kishin bërë kontroll të dyve dhe kishin gjetur fotografin e Lulëzim Berishës. Më mbrapa mbas dy ditëve ka ardhur Osmani, sepse Ahmeti ndodhej në Spital. Ishim tek lokali tek “Komuna e Parisit”, unë Endriti dhe dy të tjerë që nuk, më kujtohet, tu pi kafe. Kur kalon Osmani me pseudonimin “Kinezi”. Dal unë jashtë lokalit e thëras dhe futemi brenda tek lokali. E pyesim si është puna që ndodhi. Nuk na shpjegoi shumë gjatë por tha jam në ndjekje, po më ndjek policia se i kam ikur. Këto janë fjalët e Osmanit. Është plagosur Ahmeti dhe më ka marë në pyetje policia dhe më ka gjetur fotografin e Lulëzim Berishës. Tha jam në ndjekje po më ndjek policia. Ishte me rroba të pista se ishte i pa ndërruar e kishte mbajt policia.. Ahmeti siç thashë ishte në spital. I kishte ardhur dhe i vëllai që i rinte te koka. Këtë gjë na e tha “Kinezi”, Osmani. Ahmetin nuk e kemi takuar. Dy kosovarët kishin celular, numra shqiptar, o me 69 o me 68... ...Sardiani i kishte marrë të dyve armët dhe Osmanit edhe Ahmetit. Armët i mbajtëm neve, kur i solli Sardiani...”.

G.M./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Dyshime për sabotim pas dëmtimit të kabllos nënujore elektrike në Detin Baltik

Dyshime për sabotim pas dëmtimit të kabllos nënujore elektrike në Detin Baltik