Si u grabit vepra e albanologut

Si u grabit vepra e albanologut
TIRANE - At Valentini e ushqeu Shqipërinë me dijet e tij dhe, duke e bërë këtë gjë, u rrit si studiues, si intelektual. Madje vepra e tij vazhdoi të rrezatonte edhe në Shqipërinë komuniste, ndonëse ishte zyrtarisht i ndaluar nga regjimi. Kjo vepër i mrekullonte ata që kishin leje të njiheshin me të. Regjimi komunist pretendonte me të madhe se në Shqipëri kishte marrë hov të madh albanologjia në të gjitha degët e saj, se po zhvilloheshin shkencat historike, juridike, etnografike etj.

Por meqenëse studiuesit nuk arrinin rezultatet e duhura, atëherë regjimi iu dha leje atyre që të njiheshin me veprat e “klerikëve reaksionarë” katolikë, si At Valentini, të cilët kishin lënë studime e shënime për të gjitha këto fusha, dhe të merrnin ç’të mundnin prej tyre, për t’i përdorur.

Në këto rrethana, në 1975, një studiues i ri i së drejtës, Ksenofon Krisafi u njoh me veprën e At Valentinit. Profesor Krisafi do të bëhej më pas i vetmi që pati kurajën ta pranojë padrejtësinë që ka ndodhur me At Valentinin. Që në 1975 ai kishte qenë dëshmitar i shfrytëzimit që i bëhej veprës së tij nga studiuesit tanë të kohës. Në parathënien me titull “Një engjëll i kulturës shqiptare”, profesor Krisafi shkruan:
Tri dekada më parë, kur nisa punën si studiues në Sektorin Shkencor të Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, pata fatin që së bashku me një plejadë personalitetesh të ndritur të shkencave juridike e historike, të përfshihesha në grupin e autorëve që do të hartonin “Historinë e Shtetit dhe së drejtës në Shqipëri”. M’ u caktua pjesa e parë “Shteti dhe e drejta në Iliri”. Duke gjurmuar në burime dokumentare për të rindërtuar virtualisht shtetin dhe të drejtën e të parëve tanë, ilirëve, rashë në gjurmët e veprës madhore të Xhuzepe (Zef) Valentinit. Që në faqet e para pata ndjesinë e një zbulimi të madh....

I mrekulluar nga ky univers i pafund e i pashoq krijimtarie, iu përvesha kërkimit, grumbullimit dhe studimit të një pjese të veprave të tij, veçanërisht atyre të fushës juridike, siç ishin “E drejta e komunitetit në traditën juridike shqiptare”, “Ligji i maleve shqiptare”, “Familja në traditën juridike shqiptare”, “Akte shqiptare-venete”, “Akte juridike shqiptare”.

Pas vitit 1990, armiqtë më të egër të At Valentinit janë ata që kanë vjedhur veprën e tij në kohën e regjimit komunist, dhe mbi këtë bazë kanë ndërtuar veprën e tyre, duke e lyer pak vetëm me bojë ideologjike komuniste. Këtu e kam fjalën për historianë, studiues të së drejtës zakonore, etnografë etj. Kur disa vjet pasi u botua vëllimi i parë i veprave të At Valentinit Akademia e Shkencave e Shqipërisë botoi Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, Zef Valentini nuk mund të mos përfshihej.

Janë krijuar vlera të rreme në Albanologji, në formën e individëve që mbajnë pa të drejtë kurora akademike si albanologë, me grada dhe tituj shkencorë që jo rrallë i kanë vënë duke vjedhur veprat e të tjerëve, autorët e të cilave i kanë lënë qëllimisht në hije. Por me kohë vlerat e gënjeshtërta duhet të zbriten nga piedestalet dhe aty duhet të vihen kolosët e vërtetë të Albanologjisë, si At Zef Valentini.

Zef Valentini, edhe pse i lënë në hije apo i anashkaluar në vendin që e deshi shumë dhe të cilit i shërbeu gjatë gjithë jetës së vet, është padyshim një nga albanologët, bizantologët, historianët dhe etnologët e mëdhenj të shekullit të kaluar. Aspiratat e tij shkencore e kërkimore rrokën me kompetencë profesionale pothuajse të gjithë spektrin e çështjeve shqiptare. Është kjo, me sa duket edhe arsyeja pse studioja e tij frekuentohej shpesh nga përfaqësues eminentë të akademive evropiane dhe rretheve të njohura albanologjike.

(Shënim: Këto fragmente janë marrë nga libri i autorit Ndricim Kulla me titull “Binjaku i Nënë Terezës, i cili i kushtohet albanologut të madh italian At Giuseppe Zef Valentinit. Libri pritet të dal këto dite nga shtypi)

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 17.07.2013
                       
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Pas 5 orësh, Veliaj del nga SPAK: Do ju sqaroj çdo gjë nga mbledhja e Këshillit bashkiak

Pas 5 orësh, Veliaj del nga SPAK: Do ju sqaroj çdo gjë nga mbledhja e Këshillit bashkiak