Si u grit në këmbë Muzeu
i parë Kombëtar më 1922

Si u grit në këmbë Muzeu<br />i parë Kombëtar më 1922
Për herë të parë Shqipëria është bërë me Muze Kombëtar në vitin 1922. Ai u inagurua me 28 nëntor. Ishte një ngjarje e shënuar për jetën kulturore të asaj kohe me vite aq  të varfëra.  Nuk është fjala për të organizuar një, apo dy dhoma, e të vendosësh fotografi të ngjarjeve historike, apo objekte përfaqësues të jetës dhe ecurisë historike të një kombi. Muzeu kërkon koncepte të qarta organizimi dhe një platformë shkencore të mirëstudiuar.

Në se do tu hedhesh një vështrim shkresave zyrtare të asaj kohe, do të kuptosh menjeherë nivelin e pergjithshëm të zhvillimit. Akoma disa nëpunës shkruanin turqisht! Si do të përballohej ajo punë? Personalisht mendoj se ishte ideali ai që parapriu mendimin dhe guximin e ndërmarjes së një veprimi të tillë, aq të lartë. Vetëm dhjetë vjet mbas fitimit të pavarësisë, në atë analfabetizëm thuajse absolut, në atë trashëgimi konceptuale dhe shpirtërore ku kishte akoma orientalizëm turk, ndërtimi i një muzeu si lapidar historik dhe shqiptarisht të pastër, tregoi konsolidimin e nacionalizmit. Si konsulent shkencor shteti shqiptar ftoi  Dr. C. Patsch, i cili e pranoi ftesën dhe kontriboi denjësisht.

Puna filloi me grumbullimin e objekteve. Kjo u bë fare thjeshtë, nga pasioni atdhetar. Është e tmerrshme ta thuash se sot muzeumet vidhen, ndërsa atëhere shumica e objekteve u dhuruan. E bëri shpirti! Muzeu mori atributet e nje ikone kombëtare. Historia dhe dituria përmblidheshin në të. E përmend diturinë për të mos e ndarë nga Biblioteka, sepse për një periudhë kohore funksionuan bashkarisht dhe dhuratat përmbanin edhe libra, me mijëra. Pati edhe dhurata nga Evropa.

Në se do të lexosh dokumentet e asaj kohe, e që ruhen në Arkivin e Shtetit, të krijohet menjëherë përshtypja e një gare nderi midis personaliteteve intelektuale, por edhe  shqiptarëve të thjeshtë, për të dhuruar në muze armë, foto, veshje, orendi, monedha të vjetra, objekte arkeologjike të gjetura në bahҫet e shtëpive të tyre,  në rrënoja, etj. Midis tyre ka nga ato me rëndësi kolosale për muzeologjinë shqiptare dhe që paraqesin ngjarjet më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë. Sot të quajnë budalla për veprime të tilla! Ata që e bënë atëhere do të mbeten përgjithmonë njerëz që meritojnë mirënjohjen e kombit. Dhe pse jo edhe dekorime, sado me vonesë? A nuk do të tregojë kjo  një masë civilizimi?

Ndër vite shteti miratoi ligje që ndihmonin  pasurimin e muzeut. P.sh. mund të përmendim udhëzimet e Ahmet Zogut për një ligj që shpallte pasuri kombëtare objektet arkeologjike të gjetura  nga qytetarët në pronat e tyre. Ata ishin të detyruar t’i dorëzonin objektet në organet e shtetit dhe një komision specialistësh do të bënte vlerësimin dhe masën e pagesës, por që sipas porosive të Ahmet Zogut, do të ishte simbolike.

Gjithashtu në Muzeun Kombëtar u dorëzuan edhe objektet e zbuluara nga misionet e huaja arkeologjike, si përshembull nga Leon Rei  në Apoloni dhe rrethinat e saj, etj. Edhe objektet e grumbulluara dhe të ruajtura në institucione të ndryshme që nga koha e luftës.

Muzeu ishte në vartësi direkte të Ministrisë së Arsimit. Drejtori i parë u emërua Viskë Babatasi. U tregua kujdes që muzeu të kishte një personel të aftë dhe  aktiv. Pati edhe zëvendësime të bazuara në merita pune. Sotir Kolea ka qenë një drejtor tjetër, edhe Aleksandër Xhuvani në vitin 1930, etj. Krahas përgatitjes së kuadrove specialistë të fushave të ndryshme në vendet e Evropës Perëndimore, filluan edhe emërimet e nëpunësve të cilët kishin dhënë që më parë  prova devotshmërie atdhetare dhe profesionale.

Një këshill special shqyrtonte rastet dhe i propozonte ministrisë përkatëse. Domethënës është rasti i emërimit të arkeologut të ri Hasan Ceka, i cili me punën që bëri dhe studimet justifikoi emërimin. Më vonë muzeu funksionoi në një institucion të vetëm me bibliotekën që ishte “Biblioteka dhe Muzeu  Kombëtar”.

Muzeu u pasurua vazhdimisht me objekte. Ato ishin  dhurata të bëra nga individë shqiptarë, ose të huaj, nga zbulimet e misioneve arkeologjike që vepronin në Shqipëri, nga mbledhja e detyruar e objekteve arkeologjike, nga blerjet dhe nga dhuratat e disa  institucioneve evropiane. Kjo punë nuk u bë menjëherë, por e shtrirë në afërsisht njëzet vjet.
Nuk e dimë historinë e të gjithë objekteve, por disa, si shumë të rëndësishëm mund t’i përmendim. P.sh. flamurin e Princ Vidit e ka dorëzuar Rauf Fico.

Ai e kishte gjetur këtë flamur në vitin 1916 të braktisur në një qoshe të rezidencës së princit. E ruajti katërmbëdhjetë vjet dhe pastaj, në vitin 1929 apo 1930, gjë që nuk sqarohet mirë nga dokumentet që kemi në dispozicion, e dorëzoi në muze. Me që përmendëm Rauf Ficon, dokumentohet se ai ka dhuruar edhe numurat e parë të gazetës “Perlindja e Shqipënijës”, organ zyrtar i Qeverisë së Vlorës.

Lef Nosi ka dorëzuar flamurin e shpalosur ne Luftën e Vlorës dhe pikërisht me dt. 17 gusht 1920; Veli Vasjari flamurin e Kongresit të Lushnjes; Ethem Vlora flamurin me të cilin u varros Ismail Qemali; Komuna e Petrelës flamurin e teqes që u përdor nga paria petrelase kur shkoi në Shkodër në vitin 1880 për të mbrojtur Plavën dhe Gucinë; flamujt e batalioneve të ushtrisë të dorëzuara me urdhër të Zogut; flamurin e Bandës “Vatra”, që ruhej në Bandën Presidenciale nga Aleks Lubonja mbas pushtimit fashist etj, etj. Me që jemi tek flamujt, mund të përmendim flamurin e Shoqërisë “Dëshirë” të Sofjes, të dorëzuar në muze me urdhër të Zogut, apo atë të Shoqërisë “Drita” të Bukureshtit, të sjellë nga vetë shqiptarët.
 
DOKUMENTE
 
Vetëm për kuriozitet të lexuesit do të kopjoj dy-tre shkresa të muzeut të atëhershëm që tregojnë gjestin.
1.“Sende të falura. Përveҫ sa u shënuanë këtu parë kemi të shtojëm dhe një shënim të vogëlë sendesh që, atdhetarë dhe dashamirës, patën mirësijën t’i falin Muzejës Kombëtare.

Ndër sa e sa dhurata t’jera shënojëm simvjet këto:
            Zja e tijë Z. Rauf Fico, fali (mbë 1923)
            një unazë ramitë
            një gur unaze gërshtalitë, me krye daci të gërvishturë

Zoti Mehmet Myzyri-Tiranë (më 1923)

            një kordhë ufiqeri të ushtërijës së Tyrqijësë
            nji ҫomige druri të dredhurë të punuarë në Jemen (Arabijë)

Zoti Veli Vasiari-Tiranë

            një flamur të të kongërës së Lushnjësë mbë 1920
            tetëmbëdhjetë copë moneza të herëshme të Durrësit dhe të Pojanit, argjënditë
            dy moneza ramit të herëshme
            2.I dhuruan Muzeut Komtar

Zot. Pal Shoshi nga Durrci:

1)         Nji palë pushkë të brezit, me kllëfat për në shalë të kalit.
2)         “   kandil të vjetër prej tunҫit, me 4 fitila.
3)         “   fytyrë të vogël tunҫit të shekullit III mbas Krishtit.
4)         “   dekoratë me fytyrën e Princ Ëied-it, 1914
5)         Nji pare të vjetër të Kostantinit të II të vj. 337.

Z. Spiro M.Truja nga Durrësi

            Dy amfora të vjetra të kohës Rromake, njena e damtueme, tjetra në gjandje të mirë.

Z-a e Zagomidhit nga Durrësi

            Nji kaptinë të vogël “Afërdita” në kohën e lindjës së Krishtit.

Z. Hysejnë Kruja nga Durrësi

Dy rilieva mermeri me stoma të kohës së mesme.”

                                                                * * *

Vetëm duke lexuar dokumentacionin e varfër zyrtar që u paraqit më sipër, është e lehtë për të kuptuar se sa e vështirë do të jetë një punë e mundëshme për identifikimin e të gjithë objekteve të atij muzeu.

Veҫ dhuratave të vendasve pati edhe nga jashtë Shqipërisë. P.sh. kur u inagurua Muzeu Kombëtar, Qeveria franceze i dhuroi 33 objekte porcelani nga të Sevrës. Ishin skulptura, pjata dekorative, vazo, etj. Ato i solli dhe i dorëzoi Justin Godart. Ai solli edhe 36 copë gravura të dhuruara nga Muzeu i Luvrit. Solli edhe flamurin e ngritur nga Themistokli Gërmenji për të shpallur  autonominë e Korҫës.

Ai kujton se flamurin i a dorëzoi kryeministrit të kohës, Pandeli Evangjelit. Ose është rasti i kambanës së Krujës, e kohës së Skënderbeut, që me kërkesën e Gjeҫovit e bleu konsulli austriak Këiatovski, me qëllim që ajo të mos zhdukej, por të ruhej dhe të vendosej në muzeum kur të ҫlirohej Shqipëria nga sundimi turk. Kambana shkoi në Austri, e që andej në Itali, por nuk u  arrit të kthehej me kohë në Tiranë, e të vendosej në Muzeun Kombëtar, kur ai u inagurua. Ajo erdhi me dy-tre muaj vonesë, u vendos në muze, pati disa peripeci në vitet e mëvonshme, por sot është e ekspozuar në Muzeun Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, në Krujë.

Një rast interesant është edhe ai i dorëzimit në vitin 1930 të flamurit të Regjimentit 6 të vullnetarëve shqiptarë në ushtrinë austro-hungareze gjatë Luftës së parë botërore. Atë e ruajti  komandanti i regjimentit, Richard Dimmel. Pastaj me sa duket ky i a kishte lënë nipit të tij Dr. Reinhold, i cili ka mundësi që t’i a ketë dorëzuar Izet Bebeziqit, që në atë kohë ndodhej për studime në Austri dhe ky pastaj Muzeut Kombëtar. Megjithatë është një rrugë që kërkon disa saktësime, përtej “me sa duket”, etj.

Ose një rast tjetër interesant. Në dokumente flitet edhe për “një flamur të vogël italian, të falur nga  Cav. Ettore Zunino nga Savona, në vitin 1911, si dhe letrat e gjeneralit Garibaldi për pregatitjen e forcave vullnetare italiane në 1911, për të ndihmuar Shqipërinë”.
           
                                                                * * *
Ja edhe një shkresë e datës 6 korrik 1930:
 
“Sende të falura Muzejës Kombëtare.
Ministërijës së Arësimitë
 Q y t e t

Për dijënijë të së Shkëlq. Mënistërijë shënojëm këtu pas sendet të falura Muzejës Kombëtare ndë këto kohë të funditë.
Z.Z.  Jerodjak Kostandin Noni- Stamboll, fali:
1 krësobulë mbi pargaminë të Prengërijës së  Hungro-Vllahijës   me        ditëmuajë
Vjesht e Dytë 1749
3 kora shënjtorësh mbi biser të bardhë, mbi dru dhe mazajkë biseri.
1 pëharë kishe të baltëtë.
2 hire për krahë dyersh ndë gjuhë jëbranishte”.
Nuk duket si gjuhë shqipe, e megjithatë nuk është asgjë përpara vështirësive të tjera, siҫ janë identifikimi i objekteve bazuar në këtë informacoin të varfër dhe gjetja e vetë objekteve.

                                                                 * * *

Nartyrisht që muzeu nuk u pasurua vetëm me objektet e dhuruara. Veҫ ligjeve të shtetit që ndihmonin veprimtarinë e muzeut, dokumentohet në shkresa edhe ndjekja e zbulimit të relikave. Si shembull po  paraqes një rast të vitit 1922:

“Direktoria
                                                                                         
Tiranë, 11, vjesht e II-të e Muz. Shqip
Minist. Pun të Brëndëshme
 
Na njoftojnë se, një palë pushkë të brezit, fort të vjetura, një palë petka, të qëndisura në ar të djalëriës Prenk Pashës, nijë shpatë dërguar këtë kur pat lindur prej Napoleonit III-të, disa libra e meaft vogëlsina të tjera ndodhen në dorë të Dom Noc Nikoit, dhe s’don t’i japë në trashëgimtarët që përkasin.

Shumica e trashëgimtarve dhe më shumë e atyre drejt për drejt e më të afërmve dëshiron që të gjitha keto sende t’i falent Muzeumit Shqipëtar se ky thonë këta ka qënë vullneti i të ndyerit Prenk pashë.

Lutemi pra për të ҫelur rrugën e atyre që dëshirojnë të falin Muzeumit, duhet dhënë një urdhër i reptë e i shpejtë Prefekturës Shkodrës për marjen e këtyre sendeve dhe për dërgesën në Muzeumin Shqipëtar sa shpejt e më shpejt.

Me nderime
Direk. i Muz. Shqip
J B”
 
HISTORI QË ZBULOHEN
 
Shumë shpejt mbas ҫlirimit të vendit nga pushtimi nazo-fashist u krijua Instituti i Shkencave. Muzeu kaloi në vartësi të këtij institucioni. Në vitin 1957, me krijimin e Universitetit të Tiranës, mori jetë edhe Instituti i histori-gjuhësisë. Ky institut mori në vartësinë e tij edhe muzeun, që u quajt Muzeu arkeologjik-etnografik. Tek ky muze kaluan edhe objektet, por të ndara, në ato arkeologjike dhe ato etnografike.

Në se shfleton rregjistrat e inventarit të objekteve etnografike, lexon se rreth katerqint objekte vijnë nga Muzeu Kombëtar. Në disa tekstile ekziston edhe vula e atij muzeu. Mirëpo nuk kanë histori. Nuk mund të ngrëmë akuza të pabazuara për këtë mungesë. Ishte neglizhencë e viteve  të atëhershme, apo  rrjedhojë e një informacioni të munguar? Por sidoqoftë u zbulua se jo të gjitha objektet e dorëzuara ishin të inventarizuara.

Vetëm rasti, e për të cilin kam shkruar disa herë, na bëri të biem në thesare të jashtëzakonëshme të historisë së Shqipërisë, siҫ ishte puna e flamujve. Por ka edhe një gjë tjeter. Se kush sajoi termin “Fondi i huaj”, apo Fondi i Eqerem bej Vlorës. Ndonja dymijë objekte u shfytyruan në preiardhjen dhe historinë e tyre, deri sa u zbnulua e vërteta. Por ka akoma shumë për të bërë. Ndonja një vit më parë botova zbulimin e dhuratave prej porcelani të Sevrës për Muzeun Kombëtar nga Qeveria franceze në vitin 1922. U përmbys një keqinformim.

Katër muaj më parë zbulova një dokument tjetër që e largon edhe më tej këtë pasuri nga një atribut i rremë. Ka shumë, e shumë gjëra që duhen zbuluar. Enden të dhëna për pasuri historike  impresionuese. Aty ne kishim dhe nuk e dinim, shpatën e Sulltan Bajazitit II-të!

Ose,  ka dokumente lidhur me kërkesën e Qeverisë shqiptare drejtuar Qeverisë franceze, për të sjellë në Shqipëri flamurin e ushtarëve algjerianë që ndodheshin në rajonin e Korҫës gjatë Luftës së parë botërore. A erdhi ky flasmur dhe ku është? Ose, Justin Godart solli flamurin e Themistokli Gërmenjit dhe e vendosi së bashku me kryeministrin në Muzeun Kombëtar.

Ku ndodhet ky flamur? Ndoshta e kemi nëpër duar dhe nuk e dimë! Ose, kemi dy flamurë të Aladro Kastriotit. Çfarë historie mbartin? Ose, dihet që ekzistojnë disa variante të flamurit që ngriti Ismail Qemali. Ka një dokument që thotë se në Muzeun Kombëtar është dorëzuar një pjesë nga njëri prej këtyre flamujve, por nuk e kemi gjetur dot.

Edhe me objektet arkeologjike të atij muzeumi është pak a shumë e njëjta situatë. Madje po  tregoj edhe një kuriozitet të një natyre tjetër. Në Muzeun Arkeologjik të Tiranës është ekspozuar një lekit, (lekiti është një enë stërgjatshe prej qeramike), e zbuluar në Apoloni, ndoshta nga Leon Rei dhe e rregjistruar që vjen nga Muzeu Kombëtar. Konturet e pikturës së saj janë me bojë të bardhë. U analizua në Institutuin e Fizikës Bërthamore dhe rezultoi që të kishte përmbajtje zingu.

Ngjyra që quhet si “e bardha e zingut” është kimikisht oksidi i zingut. Historikisht dihet se ky pigment ka filluar të përdoret në pikturë ndonja dy shekuj më parë. Po ҫfarë deshi 2300 vjet më parë? Hidhte poshtë të gjitha zbulimet dhe dilte nga linja e llogjikës. Pra, dikur, për të theksuar pikturën, konturet e saj janë theksuar me bojë të bardhë. Pra, ka edhe probleme të tilla teknike me objektet e atij muzeumi.
 
Ne duhet të punojmë shumë për të identifikuar pasurinë e trashëguar nga Muzeu Kombëtar.  Nuk është fjala për të sqaruar një kuriozitet të limituar brenda kufijve të njohjes së tashme. Ne nuk i dimë të gjitha ato që kemi dhe sa më shumë që kalon koha, aq më tepër largohemi nga mundësitë e identifikimit. Është një domosdoshmëri për të pasuruar muzeologjinë shqiptare. Janë thesare kulture dhe historie.

Ma merr mëndja se probleme të ngjashme duhet të ketë edhe Biblioteka Kombëtare. Nuk i preka, ndonëse di diҫka edhe në këtë drejtim, por pa asnjë dyshim janë specialistët e bibliotekës që mund të tregojnë më mirë nga unë, për rastin e tyre. Mendimi im është që të ngrihet një grup pune me disa specialistë muzeologë, bibliotekarë arkeologë, etnografë dhe historianë dhe…A ka shanse të financohet një punë e tillë? Është një detyrim  kombëtar dhe një detyrim nderi  për  ministrisë që mbulon kulturën!

Shkrimi u botua sot në Suplementin Rilindasi në gazetën shqiptarja.com (print) 0707.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Korçë/ Zjarr në pyllin e Bodës në Maliq, zjarrfikësit po përpiqen të izolojnë vatrat! Në terren mbërrin edhe prefekti (VIDEO)

Korçë/ Zjarr në pyllin e Bodës në Maliq, zjarrfikësit po përpiqen të izolojnë vatrat! Në terren mbërrin edhe prefekti (VIDEO)