Në atë 11 shkurt 1924, ndërsa në Tiranë shkëlqente ylli i tij, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tashmë pas largimit të Fan Nolit me cilësinë e figurës së parë të diasporës së fuqishme shqiptare, nuk rrinte duarkryq edhe një tjetër protagonist i dorës së parë: Faik Konica.
Përveçse politikan i përkushtuar për kombin, por për të rrokur në histori vendin e të parit të shqiptarëve dhe themeluesit të pavarësimit mjaft rivalizues deri edhe me Ismail Qemalin, përveç se edhe mjeshtër i përdorimit të polemikës me gojë dhe me letër, ai vinte prej një familjeje të pasur dhe me ofiqin osman të beut, pra në kushtet e barasvlefshme të titujve fisnikërorë të Evropës me atë të kontit.
Vdekja e presidentit Uillson qe edhe për Konicën një ngjarje shumë e hidhur, mjaft pikëlluese. Ndërkohë ai nuk mund ta anashkalonte këtë ngjarje të madhe ndërkombëtare pa dëshmuar edhe gjestin e vet të adhurimit. Bashkëkombësit e tij në SHBA, por edhe përtej oqeanit, në viset e tyre, e çmonin shumë një sjellje të tillë. Faik Konica mendonte se proamerikanizmi nuk mund të jepte konsensus të gjërë vetëm për Fan Nolin. Dëshironte edhe ai të merrte pjesën e vet.
"Jemi bindur se çdo shqiptar di dhe kupton”, deklaroi ai dhe gazeta “Dielli” e “Vatrës” e botoi dukshëm°, “se ç'borç të madh i kemi Wilson-it. Në qoftë se ka ndonjë shqiptar që s'merr vesh se shpëtimi dhe liria e vendit të tij i detyrohet kryesisht Wilson-it, ai nuk është njeri dhe duhet të kemi mëshirë për verbësinë dhe errësirën që i ka mbuluar trutë".
Fraza është e fortë, jo shumë “e edukuar”, por Konica nuk e ka me ndonjë mendësi reale të bashkëkombësve të vet. Ai nuk beson se mes shqiptarëve gjenden shumë syresh që nuk e dinë se Udrou Uillsoni ka qenë mbrojtësi i sovranitetit dhe i vetë ekzistencës së shtetit të tyre. Shprehjen me inat polemik e ka formal, të ndërtuar ashtu vetëm për të nxjerrë në pah rolin e pazakonshëm të presidentit amerikan, vepër të cilën ndërsa nuk ishte më në jetë, të gjithë duhet ta gdhendnin e ngulitnin në kujtesën kombëtare.
"Shqipëria ishte dënuar me vdekje, kumboi idenë e tij Faik Konica, dënimi do të zbatohej doemos, asnjë rreze shprese s'ndritte gjëkundi. Po e papritura ngjau, dhe kjo e papritur erdhi nga qëndrimi i Woodrow Wilson-it...Ndërgjegja e drejtësisë njohu përsëri zërin e madh, dhe u drodh nga gëzimi; se Wilson-i duke mbrojtur Shqipërinë nuk e mbronte një popull të vetëm, por mbronte gjithë popujt, e mbronte parimin".
Konica si edhe Noli, edhe pse si protagonistë politikë në qëndrimet e tyre u duhej të llogarisin përfitime elektorale, janë shumë të sinqertë në opinionin e tyre për Udrou Uillsonin. Ilir Ikonomi në librin e tij të botuar në Tiranë “Faik Konica, jeta në Uashington”, i jep reliev posaçërisht një episodi i cili duhet të ketë ngjarë në 25 tetor 1926.
Pasi në 8 tetor i pati paraqitur presidentit amerikan Coolidge letrat kredenciale me të cilat Ahmet Zogu e kishte emëruar të Dërguar të Jashtzakonshëm dhe Ministër Fuqiplotë të Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ai kreu një veprim që ra në sy dhe përbëri lajm në edicionin e 26 tetorit të “The Washington Post”. Me një kurorë me diametër një metër Konica shkoi në varrin e Uillsonit, në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit, dhe e vendosi mbi të. Ajo qe thurrur me trendafila rozë dhe të bardhë dhe në shirit qe shkruar shumë shkurt, por tepër në mënyrë kuptimplote: “Nga Republika Shqiptare”.
“Kjo ishte një ndër kurorat më të mëdha të vendosura ndonjëherë në varrin e Wilsonit dhe la mbresë te njerëzit e Katedrales”, thekson Ilir Ikonomi.
Faik Konica propozon: qyteti i Uillsonit të jetë Saranda ose Shëngjini
Më shumë se dy vite të shkuara, në 12 mars 1924, për të nderuar presidentin amerikan të ndarë nga jeta ato kohë Faik Konica kishte përdorur një kurorë tjetër. Njëqind trëndafila, pesëdhjetë me ngjyrë të kuqe dhe po aq të bardhë, të lidhura edhe me një kordele me ngjyrat e flamurit të Shqipërisë, ia dërgoi të vesë, zonjës Edith Bollin Galt Wilson.
Në shiritin përkushtues pati shkruar me dorë “From the Albanian Federation Vatra, Boston, Massachussets". Në telegramin shoqërues të gjithë ndjenjën e homazhit special për presidentin amerikan e pati rreshtuar me fjalët elegante "Jepmëni leje, Zonjë, të bëhem me respekt dragoman i hidhërimit të thellë e të kthiellët që ndjejnë Shqipëtarët, të cilët te personi i Presidentit të madh, burrit tuaj, kanë humbur mbrojtësin e të drejtave të tyre, një mik mirëdashës e të fuqishëm në orët më të zeza të rrezikut e të brengjeve".
Por me deklarimin e tij të vazhdueshëm publik në spikatje të Uillsonit dhe të përkushtimit personal për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, çka i nevojitej për të realizuar projektet e veta politike, Konica nuk harronte asnjëherë të nxirrte në pah se kjo lidhje e fortë shpirtërore ishte e gjithë shqiptarëve, pra qe masive, mendësi e prirje kombëtare. Edhe Fan Noli nuk e kishte shmangur asnjëherë pohimin e kësaj vetie popullore.
Megjithatë në “garën” mes të dyve, sepse shpallja si shqiptar i pasionuar proamerikan edhe këtë pamje mori, Faik Konica ja kaloi Fan Nolit. Vërtet fjalimi panegjerik i 11 shkurtit ishte një kulmim, por nuk mbetej më poshtë edhe kurora me njëqind trendafilat. Ndërkohë njeriu i parë i “Vatrës”, me pak fjalë udhëheqësi atë vit të ngatërruar shqiptar 1924, kreu më pas një sfidë të madhe, pothuaj monumentale. Konica propozoi që një qyteti shqiptar t’i vihej emri i presidentit të paharruar amerikan.
E zgjodhi cilit vendbanim do t’i hiqej emri i deri atëhershëm: Shëngjinit ose Sarandës.
Wilsonville: kabllogrami drejt Tiranës
Sigurisht qe mbajtur fjalimi himnizues i Nolit dhe dërguar kurora e madhe me njëqind trendafila të kuq e të bardhë, kur nga Bostoni, në emër të “Vatrës”, drejt Tiranës u nis një kabllogram. I drejtohej Asamblesë Kushtetuese dhe thoshte "Ju lutem të shtroni një proponim për kqyrjen mirëdashëse të deputetëve pa ndryshim partie: Me vdekjen e ish-presidentit Wilson u çduk mbrojtësi i popujve të vegjël dhe shpëtimtar' i Shqipërisë. Proponimi im është t'i jepet emëri Wilsonville ose Shën Gjergjit ose Sarandës. Juaji me respekt: Faik Konitza”.
Ideja e ardhur nga diaspora e madhe në SHBA u prit mes deputetëve me konsensus të plotë. Studiuesit e historisë së kësaj periudhe nuk kanë gjetur ose të paktën nuk i kanë paraqitur opinionit publik shqiptar një person apo dëshmi kundërshtuese. Në atë Asamble Kushtetuese ku lufta politike ishte në fazën e kacafytjes dhe ku brenda godinës së saj ishte kryer edhe një atentat kundër kryeministrit, Ahmet Zogut, rënia dakord qe e plotë. Në historinë tonë ky mund të konsiderohet edhe çasti më suprem i adhurimit shqiptar për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nuk ka krahasim me ngjarje tjetër të njëllojtë.
Duket një dëshmi tjetër po kaq frenetike vetëm turma e madhe popullore që në prag të pranverës 1991, duke manifestuar pothuaj delir, priti nëpër rrugët e sheshet e Tiranës Sekretarin Xhejms Bejker. Mirëpo çfarë kishte propozuar Faik Konica dhe miratuar njëzëshëm kuvendi parlamentar shqiptar nuk gjeti dot zbatim të menjëhershëm, siç e lypte përmasa e shprehjes konkrete të nderimit për Udrou Uillsonin dhe po ashtu dëshirohej nga të gjithë, i madh dhe i vogël. Atentati ndaj Avni Rustemit në 20 prill dhe pas dy ditësh lëngimi vdekja e tij e fundosën jetën e vendit në një rrjedhë krejt të paparashikuar e të paditur, në një përballje politike të armatosur, siç ishte i quajturi Revolucion Demokratik i Qershorit.
Gjithsesi, sapo kjo luftë u fashit me marrjen e pushtetit nga Fan Noli dhe ndërsa Ahmet Zogu i dëbuar ndodhej në Jugosllavi në ditët e para të riorganizimit për t’u rikthyer në Tiranë si i pari i vendit, Këshilli i Ministrave në 9 gusht 1924 mori vendimin e tij me numër katërqind e tetëmbëdhjetë. Ai i drejtohej Fak Konicës dhe thoshte "Në përgjigje të shkresës s'uej nr 1250..., Ky Këshill mbas vendimit të Këshillit Ministruer nr 418 me 9 gusht 1924, mbi propozimin e kryetarit të "Vatrës" të bamun në Kuvendin Kushtetues, dekretojti ndërrimin e emnit të Shengjinit në Willson. Për Këshillin e Naltë të Shtetit Shqiptar, Kryeministri F.S.Noli”.
Kur kabllogrami i u nis “Vatrës” qe 21 gusht. Ndërkohë vendimi për shpalljen e një qyteti të vjetër autokton me emrin e presidentit amerikan, i pandodhur me ndonjë nofkë sulltani as në pesëqind vitet e perandorisë osmane, iu dërgua për dijeni edhe të gjitha prefekturave. Prej tyre drejt Tiranës nuk erdhi asnjë mospranim apo dyshim se proçesi i ndërrimit të emrit Shën Gjin në Uillson mund të mos ja delte dot. Shqiptarët e kishin një prijës të madh, shprehësin më të qartë të identitetit të tyre, Gjergj Kastriot Skënderbeut, dhe askush nuk kishte sipërmarrë një gjest të tillë emërtimi toponimistik si me presidentin amerikan.
Doemos ishin dakort të gjithë që dëshira e re të vihej në jetë. Veç me sa dukej hapi qe tepër i madh dhe i pallogaritur mirë. Tjetër gjë është respekti i veçantë, po ashtu edhe adhurimi, por kur nis kulti gjërat rrjedhin në të kundërt.
Ndërsa Fan Noli vendimin kryeministror për t’i vënë qytetit të Shën Gjinit emrin Uillson arriti t’ua shpërndajë prefekturave që në gusht 1924, nuk ja doli dot ta regjistrojë në ndonjë përmbledhje apo buletin qeveritar. Gjashtë muajt e qeverimit të tij ishin sa “një hap e mbyll sytë”.
E kreu këtë punë Ahmet Zogu, njeriu i ngulmimit të gjatë.
Një vit më pas nga vënia në dijeni e prefekturave Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës Shqiptare botoi “Librin e Qarkoreve, 1923, 1924, 1925". Dekreti për emrin e ri të qytetit të lashtë të Shën Gjinit ndodhej atje.
Zogu me këtë gjest kuptimplotë konfirmoi se qe plotësisht dakord me çfarë kishte vendosur rivali i tij. Me gjithë mospërputhjet e stërmëdha dhe kurset politike shumë të papajtueshme, për këtë gjë qenë moskundërshtuesë.
Kështu para historisë së kombit të tyre u bënë të së njëjtës mendje Faik Konica, Fan Noli dhe Ahmet Zogu.
Këta ishin edhe tre më të mëdhenjtë e kohës, në një farë mënyre tre liderët e saj. Ndërkaq vite më pas në albumin luksoz “10 vjet Mbretëri, 1928-1938”, të botuar në 1 shtator 1938, në faqen 329 ku shkruhet për Komunën e Zadrimës, atë të Bregut të Matit, rreshtohet edhe komuna e Shëngjinit. Teksti i plotë paraqitës është ky: “Një ndërtesë komunale prej 5 dhomash dhe nji korridor prej betonit-arme. Nji rrugë në sheshin e tregut të Shëngjinit. Rruga e pusit me nji gjatësi 125 metra e gjanësi 4 m, e shtrueme me zhavorr e kalldurëm artificial. Nji rrugë qi lidh katundin Mali i Shëngjinit me atë të Rrencit e qi lidhet deri në vendin e quejtun Maja e Zezë të Komunës Pulaj”.
Përmendorja në mes të Tiranës, shumë afër ish-Bllokut të udhëheqjes komuniste
Sidoqoftë atë kohë nëpër kontinentin evropian ende nuk gjeje dot sheshe me emrin e presidentit idealist amerikan, as buste në vende të dukshme, ca më pak të shihje monumente të tij. Megjithatë vendi i vogël i shqiptarëve, saktësisht gjysma e trojeve dhe e banorëve të vet etnikë, sipas frymës gjithëpopullore, dëshirës së parlamentit dhe dy qeverive kundërshtare, ia kishte dhënë një qyteti.
Shën Gjini qe vërtet me shumë pak banorë, frymë njerëzore që mund t’i numëroje me gishtat e dorës, por ishte port detar. Madje i ndodhur në një drejtim gjeostrategjik të rëndësishëm të Ballkanit. Jugosllavët vetëm pak vite më parë patën projektuar dhe akoma ngulnin këmbë në planin e tyre që në Shën Gjin të fillonte një udhe të hekurt, e cila do të hynte në brendësi të mbretërisë së sllavëve të jugut për t’i siguruar asaj, me atë dalje në det, një korridor jetik për zhvillimin e tregtisë në Adriatik e Jon. Beogradi i premtonte vetë të gjitha shpenzimet.
Me fillesë Shën Gjinin rilindësit që dekada më parë kishin hedhur në projekt gjurmën e një hekurudhe tjetër, e cila duke kaluar paralel me lumin e Drinit do të vraponte drejt qyteteve kryesore të Kosovës, duke u bërë kështu rruga e mbajtjes së bashkuar të shqiptarëve. Kur Faik Konica që nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kishte propozuar qeverisë së Tiranës që emrin e Uillsonit ta mbante ose Saranda ose Shën Gjini kishte parasysh se edhe në jug, me kryedalje portin e Vlorës dhe me një krah lidhjeje edhe Sarandën, italianët patën bërë gati ndërtimin e një udhe tjetër të hekurt, e cila do të ngutej drejt Selanikut. Grekët po ashtu një projekt të përafërt e mbanin gjysmë të hapur nëpër sirtarët e zyrave të tyre të qeverisë.
Qytetet-porte nuk janë të zakonshëm, madje edhe sikur të kenë vetëm një skelë të vogël sa për dy barka. Ata janë mijëravjeçarë, të gjallëruar nga jeta që në agimet e saj. Prandaj edhe emrat i kanë të vjetër, të ngulitur fort jo vetëm në kujtesën e vendasve, por edhe në të tëra kohërat, në të gjitha hartat e detarëve apo gjeneralëve të luftës. Në rast se një qytet i tillë mol do të merrte cilësimin Uillson dhe do t’ia dilte ta mbante atëherë emri i presidentit amerikan do të përhapej gjithkund nëpër gadishullin ballkanik, në atë Apenin, pse jo edhe akoma më tej. Para emrit të një qyteti port një monument, edhe disa dhjetëra metra lart të ngrihej, do të dukej një kurrgjë.
Për Faik Konicën që e ideoi, por edhe për dy marrëveshësit e tjerë, Nolin dhe Zogun, ky qytet Uillson po ashtu do të ishte për shqiptarët një emër fatsjellës, sidomos ato çaste kur mezi i kishin ruajtur nga copëtimi përfundimtar gjysmat e trojeve dhe të pasurive natyrore. Qyteti Uillson do të qe perëndia e tyre mbrojtëse. Të gjitha qeveritë shovene përreth Shqipërisë do të bënin kujdes ta sulmonin apo dhunonin.
Atje ishte shenja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndodhej pothuaj territori i saj.
Sidoqoftë nuk duhet harruar të shkruhet në “portat” e Shëngjinit dhe tërë rrugës nacionale të veriut
Sigurisht do të qe kështu në rast se ai vendim qeveritar nolist i 21 gushtit 1924 dhe i rizyrtarizuar nga kabineti i presidentit-kryeministër Ahmet Zogu, do të vihej në jetë. Kjo donte të thoshte se emri antik Shën Gjin do të niste të fikej ngadalë dhe t’i lëshonte qetësisht vend emrit të ri.
Por nuk ndodhi kështu dhe s’kishte si ngjante ndryshe. Projekti i asaj dëshire të mirë, por edhe disi truku politik, qe i dështuar që në fillesë. Faik Konica, Fan Noli dhe bashkë me ta ato kohë edhe kundërshtari i tyre i rreptë Ahmet Zogu do të kishin pasur sukses në rast se këtë emër do t’ia blatonin themeleve të ndonjë qyteti të ri. Në Varshavë presidentit amerikan, të çmuar prej polakëve për të njëjtin përkushtim që i bëri edhe sovranitetit të shqiptarëve, ka me emrin e tij një shesh. Aty mbijeton i pa cenueshëm nga kohërat.
Kjo tashmë ka ndodhur edhe në Tiranë. Me emrin Uillson pas rënies së diktaturës ka të emërtuar një shesh dhe në mes të tij ngrihet një përmendore. Prania e tij gjendet në internet: me dhjetëra dyqane dhe bare të tij bëjnë publik non stop ofertat e mallrave dhe të shërbimeve të tyre.
Porse qytet Uillson nuk gjendet jo vetëm në hartat shqiptare të këtij dymijë vjeçari. Por të paktën një shenjë të dukshme, bazorelieve çdo formë tjetër artistike, duhej të ekzistonte. Sepse ndodh edhe më e keqja: ngjarja e shënuar historike harrohet edhe nga vetë “Fjalorit Enciklopedik Shqiptar”, Tiranë 2009. Në zërin “Shën Gjin”, thuhet se ai është një vendbanim i lashtë me emrin e dikurshëm Nimfaeum, me fillesë shekullin e katërt para Erës së Re. Vijohet se në vitin 1926 ka pasur gjithsej vetëm 14 banorë dhe se në 2008 zotëronte 11.363 të tillë.
Në të 63 radhët shpjegues nuk gjendet asnjë fjalë, të paktën ndonjë nëntekst, se ky qytet-port në historinë e tij ka pronë të vet të ligjshme edhe dëshirën e bukur të shqiptarëve për ta nderuar me emrin e një presidenti të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.