Që prej fillimit të sulmit rus ndaj Ukrainës më 22 shkurt të vitit 2022, Lvivi, një qytet në perëndim të Ukrainës, është shndërruar në një strehë dhe pikë tranziti, për më shumë se 5 milionë ukrainas të zhvendosur. Një qytet relativisht i sigurt, Lvivi po shihet si një bastion i rezistencës së Ukrainës. Korrespondetja e Zërit të Amerikës Myroslava Gongadze rrëfen rrugëtimin e drejtuesve lokalë të qytetit, për t'u përshtatur me sfidat e një realiteti të ri, të krijuar nga lufta.
Lvivi, kryeqyteti kulturor dhe arkitektonik i Ukrainës, që shtrihet 80 kilometra nga kufiri i vendit me Poloninë, u shndërruar në një gur themeli të rezistencës së Ukrainës, që nga fillimi i sulmit rus në shkallë të gjerë.
Ky qytet, relativisht i sigurt, luan një rol jetik për vendin, si një qendër tranziti humanitare, ushtarake dhe refugjatësh. Që prej 22 shkurtit 2022, spitali Shën Panteleimon, strehon çdo ditë qindra të plagosur.
Kryetari i bashkisë së Lvivit, Andriy Sadovy, thotë se për të trajtuar në mënyrë efektive sfidat e luftës, drejtuesve lokalë iu desh ta transformojnë menjëherë këtë spital, në një strukturë të re, e cila u quajt "Unbroken". (E pathyeshme).
“Pas sulmit rus, ne morëm grupin e parë të madh, njëqind të plagosur në ditë. Ne e kuptuam se duhet të rindërtojmë plotësisht sistemin tonë mjekësor dhe se duhet të ishim të gatshëm çdo ditë për të pritur të plagosur, por edhe gra e fëmijë”, thotë Andriy Sadovyi, kryetar i bashkisë së Lviv.
Tashmë sipas kryebashkiakut, ata kanë ndërtuar një ekosistem në shërbim të viktimave të luftës.
“Filluam ndërtimin e vendeve të posaçme për të plagosurit. … Ideja ime është shumë e thjeshtë. Ne mund të ndërtojmë një ekosistem humanitar, të pathyeshëm në Lviv dhe më pas e ndajmë përvojën me qytetet e tjera të Ukrainës. Kjo është një pjesë shumë, shumë e rëndësishme e fitores sonë”, shton ai.
Vetëm në vitin 2022, ekipi mjekësor i spitalit trajtoi mbi 80 mijë pacientë, thotë Volodymyr Fedorov, përfaqësues i Organizatës së Parë mjeksore të Lvivit.
“Kjo qendër rehabilitimi mbulon të gjithë ndihmën, që kur pacienti vjen në klinikën tonë, në repartin e kirurgjisë, atë të traumës, kirurgjinë rikonstruktive, kirurgjinë e djegieve, deri në rehabilitimin dhe vendosjen e protezës. Të gjithë ciklin e rehabilitimit ne përpiqemi ta kryejmë këtu”.
Vasyl Hryzenko, toger i Forcave të Armatosura të Ukrainës, humbi këmbën si pasojë e plagëve të marra me armë zjarri. Fillimisht ai u evakuua në Kiev, ku mori trajtimin e parë dhe më pas mbërriti në këtë spital, në Lviv, për shkak të kujdesit të mirë shëndetësor dhe specialistëve.
"Jam këtu tashmë prej dy muajsh, po rehabilitohem dhe së shpejti do të me vendosin protezë", thotë ai.
Shumë nga ata të zhvendosur brenda vendit që kanë mbërritur në qytet janë të gra të veja me fëmijë, që kanë humbur shtëpitë, ose gra, burrat e të cilave janë në vijën e parë të frontit.
Në partneritet me Kryqin e Kuq të Ukrainës, drejtuesit lokal të Lvivit kanë ngritur ‘Qendrën e Nënës’, për të siguruar strehim për nënat dhe gratë shtatzëna, që mund të qëndrojnë aty për një vit pas lindjes.
Maryna Peleh është nënë e tre djemve nga qyteti i vijës së parë të frontit, Nikopol. Ata fillimisht shkuan në Poloni dhe Spanjë, por shumë shpejt u kthyen në Ukrainë. Një prej fëmijëve të saj, Artemi, lindi në Lviv. Ajo thotë se familjes së saj i pëlqen të rrijë këtu pasi ndihen të sigurt.
“Linda një femijë këtu, fëmijëve u pëlqen shumë. Kemi një lumë dhe shesh lojërash, por shpresoj që lufta të përfundojë së shpejti. Shpresoj që sulmet ndaj Nikopolit të ndalen dhe të mund të kthehemi në shtëpi”, thotë ajo.
Shumë nga mbi 200 mijë njerëzit që janë vendosur përkohësisht në Lviv ndajnë të njëjtën shpresë sikurse Maryna. Edhe pse kanë gjetur një shtëpi të re në Lviv, kokën e kanë pas tek zona nga vijnë edhe pse do t’u duhej të ndërtonin gjithçka nga e para./Voa