Një nga skandalet më të mëdha të korrupsionit në Ukrainë po merr përmasa edhe më të rënda, pasi përgjime të reja të publikuara nga mediat ukrainase po hedhin dyshime se edhe presidenti Volodymyr Zelensky mund të jetë përfshirë indirekt në një aferë milionëshe me fondet e sektorit energjetik.

Bëhet fjalë për transkripte të përgjimeve të realizuara nga Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit në Ukrainë (NABU), gjatë hetimeve ndaj biznesmenit Tymur Mindich, mik i vjetër dhe bashkëpunëtor i afërt i Zelenskyt.

Skandali shpërtheu në fund të vitit të kaluar, kur hetimet zbuluan një skemë të dyshuar korrupsioni dhe ndikimi të paligjshëm mbi kompaninë shtetërore të energjisë “Energoatom”. Asokohe u shkarkuan dy ministra dhe figura të rëndësishme të administratës ukrainase.

Por situata u komplikua më tej pas publikimit të mbi 1400 faqeve me transkripte, ku përmendet disa herë një person i quajtur “Vova”, formë e shkurtër e emrit Volodymyr, që përdoret shpesh për Zelenskyn mes miqve dhe familjarëve.

Pjesa më bombastike e dosjes lidhet me ndërtimin e një kompleksi luksoz vilash në periferi të Kievit, i njohur si “Dynasty”. Sipas hetimeve dhe publikimeve të mediave ukrainase, katër vilat dyshohet se ishin destinuar për ish-shefin e kabinetit presidencial Andriy Yermak, biznesmenin Mindich, ish-zëvendëskryeministrin Oleksiy Chernyshov dhe vetë Zelenskyn.

Në përgjime, bashkëpunëtorët e Mindich diskutojnë për ndërtimet, përfshirë edhe një gardh që ndante shtëpinë e Mindich me atë të “Vova”-s. Në biseda përmendet edhe Maksym Donets, shefi i sigurisë personale të Zelenskyt, që sipas dosjes kishte kontakte të vazhdueshme me biznesmenin.

Pak ditë pas publikimit të përgjimeve, NABU dhe Prokuroria Speciale Kundër Korrupsionit ngritën akuza për pastrim parash ndaj Andriy Yermak, duke konfirmuar në mënyrë indirekte autenticitetin e materialeve të publikuara.

Sipas hetuesve, grupi dyshohet se ka përdorur para të përfituara nga skemat korruptive në “Energoatom” për financimin e kompleksit luksoz. Vetëm për projektin “Dynasty”, NABU llogarit se janë pastruar mbi 460 milionë hryvnia, ose rreth 10.5 milionë dollarë.

Dosja përfshin edhe detaje që kanë shkaktuar reagime të forta në Ukrainë, pasi ndërtimet vijuan edhe në ditët para dhe pas nisjes së pushtimit rus në shkurt 2022. Sipas dokumenteve, Yermak po diskutonte projektin e vilës së tij vetëm disa ditë para nisjes së luftës, ndërsa punimet u rinisën edhe kur forcat ruse ndodheshin pranë Kievit.

Deri tani, Zelensky nuk ka reaguar publikisht ndaj akuzave apo publikimit të transkripteve. Zyra e presidentit është mjaftuar vetëm me deklaratën se “nuk ka koment” për çështjen.

Megjithatë, pavarësisht skandalit, presidenti ukrainas vijon të ketë mbështetje të lartë publike. Sondazhet e fundit e nxjerrin me rreth 58% miratim, ndërsa shumica e ukrainasve mbeten kundër mbajtjes së zgjedhjeve gjatë kohës së luftës.