Qeveria ka ngritur Komisionin e Ekzekutimit të vendimeve penale, i cili do të përbëhet nga 9 anëtarë që nuk kanë të drejtë të rizgjidhen. 9 anëtarët do të qëndrojnë në detyrë për 4 vite.
Komisioni i Ekzekutimit është i pavarur nga Ministria e Drejtësisë dhe do të shërbejë për rritjen e transparencës dhe koordinimin e të gjitha institucioneve që ndjekin ekzekutimin e vendimeve penale.
Anëtarët e komisionit do të jenë përfaqësues nga Kryeministria, Kuvendi, Presidenca, Prokuroria e Përgjithshme, Dhoma e Avokatisë dhe ministritë përgjegjëse për drejtësinë, arsimin, financat e shëndetësinë.
Kryetari dhe zv.kryetari i Komisionit zgjidhen me votim të fshehtë, me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve, për një periudhë 2-vjeçare, të cilët kanë të drejtë rizgjedhjeje.
Kriteret e përcaktuara për zgjedhjen e anëtarëve lidhen kryesisht me pastërinë dhe integritetin e figurës së tyre. Që do të thotë se anëtarët përveçse të jenë shtetas shqiptarë, duhet që të mos kenë masa disiplinore në fuqi dhe të mos kenë qenë dënuar më parë me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale.
Po ashtu duhet që ata të mos kenë qenë anëtarë, bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit përpara 2 korrikut 1991, në kuptim të legjislacionit në fuqi për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe të mos jenë bashkëpunëtorë, informatorë ose agjentë të shërbimeve të inteligjencës.
Ndërkaq, në kriteret profesionale kërkohet që anëtarët të zotërojnë diplomë të ciklit të dytë, të studimeve të larta në drejtësi ose shkenca sociale ose diplomë të barasvlershme me to dhe të kenë një profil të spikatur dhe eksperiencë profesionale në fushën e drejtësisë, të drejtave të njeriut ose sistemin e burgjeve.
Në kontrollin e pasurive, kandidatëve u kërkohet që në kohën e caktimit në detyrë, të mos kenë asnjë anëtar të familjes, sipas kuptimit të legjislacionit në fuqi për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë, si dhe të afërm të shkallës së parë që janë punonjës në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve ose në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale.
Komisioni shërben si një mekanizëm kombëtar për trajtimin e ankesave, kryerjen e verifikimeve të nevojshme, monitorimin e punës së burgjeve dhe çdo problematike në to, duke trajtuar me përparësi çdo çështje dhe informuar Ministrin e Drejtësisë.
(Kliko këtu për të lexuar ngritjen e Komisionit Kontrollit)