“Ushqim i sigurt, shëndet i garantuar”. Ky ishte slogani i Konferencës së Parë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, me temë “Konsolidimi i Sigurisë Ushqimore, Sfidë për të Ardhmen”, mbajtur sot në Hotel Tirana. Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti i pranishëm në këtë konferencë  u ndal në rëndësi që ka ndërgjegjësimi i konsumatorit.

“Përqasja jonë e re është, që të ndërtojmë një sistem që mbështetet te gjurmushmëria, parandalimi, në mënyre që të arrijmë sigurinë e duhur ushqimore. Gjithashtu, ne i kushtojmë një rëndësi të madhe dhe të veçantë edhe ndërgjegjësimit të konsumatorit, per te parandaluar sfiden që tregjet të jenë të sigurta. Ndërkohë, reforma e shërbimit veterinar është pjesë e reformës integrale dhe nuk mund t’i lejojmë vetes të punojmë me standardet e viteve të mëparshme, si ato të 1987-ës. Standardet e reja qe duhet te adoptojmë jane ato të Bashkimit Evropian, prandaj shume shpejt do të paraqesim nivelet maksimale të ndotjes në produktet shqiptare, nje kodeks ushqimor. Por do t’i japim kohe bizneseve dhe sipermarrjeve për të ndërtuar infrastrukturen e duhur. Kete do ta bëjmë në mënyrë të përshkallëzuar. Kur koha skadon, ose do te adoptojne ato standarde, ose do dalin jashte tregut”, deklaroi ministri Panariti.

Drejtori i Përgjithshëm i AKU-së, Afrim Bakaj, theksoi se filozofia e institucionit që ai drejton është filozofia e sigurisë ushqimore në Shqipëri.

“AKU ka në filozofinë e saj bashkëpunimin dhe bashkërendimin e punës me të gjithë aktorët dhe faktorët që lidhen me sigurinë ushqimore në Shqipëri.AKU ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me institucionet akademike dhe shkencore, me qëllim sigurimin e programeve të përbashkëta, shkëmbim përvoje, zhvillim institucional si dhe aktivitete të tjera me interesa reciproke”, deklaroi Bakaj.
 
Kjo është konferenca e parë  e AKU e mbajtur  që i kushtohet diskutimit për sigurinë ushqimore .



Redaksia Online
(g.f/shqiptarja.com)