Rubrika “në Librari” vjen këtë fundjavë me 3 tituj të rinj librash: “Mjalti i hidhur”, “Bota e padukshme e adoleshencës” dhe “Tregime dhe përralla për fëmijë”.

1.)    “Mjalti i hidhur”, një histori dashurie, zie dhe shprese

Titulli: Mjalti i hidhur

Autori: Caryl Lewis

Shtëpia botuese: OMBRA GVG

Përkthyesi: Sidita Dano Hoxhiq

Çmimi: 1200 lekë

Romani zhvillohet në një pemëtore të vjetër në Uells, Berllan-Deg, ku jeton Hana, një grua që sapo ka humbur bashkëshortin e saj pas më shumë se pesëdhjetë vitesh martesë. Burri i saj ishte një shkrimtar dhe bletar, i cili e kuptonte jetën përmes botës së bletëve dhe mjaltit.

Një natë para funeralit, Hans zbulon se ai i ka lënë njëmbëdhjetë letra, po aq sa numri i kornizave në një kosherë bletësh. Çdo letër përfaqëson një reflektim mbi një pjesë të jetës së tyre martesore dhe zbulon ndjenja, kujtime dhe sekrete që ai nuk kishte mundur t'ia thoshte sa ishte gjallë.

Në mëngjesin e funeralit mbërrin Sejdi, motra e Hanës, me të cilën ajo kishte vite që nuk fliste. Pak më vonë në histori shfaqet edhe një grua e re, Megan, e cila mban një sekret që lidhet ngushtë me të kaluarën e familjes.

Ndërsa Hana lexon letrat njëra pas tjetrës, ajo zbulon një të vërtetë që e detyron të rishqyrtojë gjithë jetën e saj bashkëshortore. Sekretet e së kaluarës, marrëdhëniet familjare të ndërprera dhe plagët emocionale dalin në sipërfaqe. Të treja gratë – Hana, Sejdi dhe Megani – përballen me dhimbjen, fajin, humbjen dhe nevojën për falje.

Në fund, romani nuk është vetëm një histori zie, por edhe një histori shprese dhe rilindjeje, ku personazhet mësojnë të pranojnë të kaluarën dhe të ndërtojnë një të ardhme të re.

Caryl Leëis shkruan me një stil lirik, poetik dhe introspektiv. Përshkrimet e natyrës uellsiane, pemishteve dhe bletëve nuk janë vetëm sfond, por bëhen pjesë e mënyrës se si personazhet kuptojnë jetën dhe emocionet e tyre. Romani ecën me ritëm të qetë, duke i dhënë rëndësi dialogut të brendshëm dhe zhvillimit psikologjik të personazheve më shumë sesa ngjarjeve të vrullshme.

Mesazhi kryesor i romanit është se e vërteta, sado e dhimbshme të jetë, është hapi i parë drejt shërimit. Ashtu si një pemishte ose një kosherë bletësh rigjallërohet pas dimrit, edhe njerëzit mund të gjejnë shpresë dhe një fillim të ri pasi përballen me humbjet dhe sekretet e së kaluarës.

2.)    Libri nga banka që zbulon botën e padukshme të adoleshentëve

Titulli: Bota e padukshme e adoleshencës

Autori: Valbona Banka

Shtëpia botuese: Dita Books

Çmimi: 600 lekë

Të jesh adoleshent nuk është gjithmonë e lehtë. Pas buzëqeshjes, heshtjes apo rebelimit, shpesh fshihet një botë emocionesh që të rriturit nuk arrijnë ta shohin. Pikërisht kësaj bote i jep zë libri më i ri i autores Valbona Banka, "Bota e padukshme e adoleshencës".

I rekomanduar për moshën 14 vjeç e lart, “Bota e padukshme e adoleshencës” i drejtohet jo vetëm të rinjve që janë ndier ndonjëherë të pakuptuar, të vetmuar apo të padukshëm, por edhe prindërve, mësuesve dhe çdo të rrituri që dëshiron të kuptojë më mirë realitetin emocional të adoleshentëve.

Libri është ndërtuar ndryshe nga botimet tradicionale. Ai përmban 30 rrëfime në vetën e parë, ku secili personazh sjell një përjetim të veçantë. Në fund, autorja ka përfshirë edhe një ditar, si një mënyrë për t'i ftuar të rinjtë të shkruajnë dhe të shprehin atë që shpesh nuk arrijnë ta thonë me zë.

Pavarësisht se historitë janë të ndryshme, ndjenjat që përshkojnë faqet e librit janë të njohura për shumë të rinj: pasiguria, nevoja për t'u pranuar, vetmia, dashuria, frika nga gjykimi dhe kërkimi i identitetit.

Pa moralizuar dhe pa dhënë receta të gatshme, libri synon të nxisë dialogun mes brezave. Ai fton të rriturit të shohin përtej sjelljes së jashtme dhe të kuptojnë se, shpesh, pas heshtjes apo zemërimit fshihen emocione që kanë nevojë vetëm për mirëkuptim.

“Bota e padukshme e adoleshencës” është një ftesë për të dëgjuar më shumë dhe për të gjykuar më pak. Sepse ndonjëherë, mjafton që një i ri të ndihet i dëgjuar dhe i kuptuar për të mos u ndier më vetëm.

Përmes rrëfimeve në vetë të parë, libri pasqyron me sinqeritet dhe ndjeshmëri botën e brendshme të adoleshentëve. Edhe pse personazhet janë të ndryshëm, ndjenjat që i përshkojnë janë universale: nevoja për t'u pranuar, pasiguria, vetmia, dashuria, frika nga gjykimi dhe kërkimi i identitetit. Pikërisht kjo e bën librin të ndihet kaq personal për çdo lexues, sikur në faqet e tij të ishte shkruar edhe një pjesë e historisë së vet.

3.)    15 tregime dhe përralla për fëmijë për lexuesit e vegjël

Titulli: Tregime dhe përralla për fëmijë

Autori: Vasil A. Dedja

Botues: Muza

Çmimi: 600 lekë

Fantazia, aventura dhe mesazhet edukative bashkohen në librin më të ri të autorit Vasil Dedja, “Tregime dhe Përralla për Fëmijë”, një përmbledhje me 15 tregime dhe përralla që synojnë të argëtojnë, por edhe të edukojnë lexuesit e vegjël.

Përmes personazheve të dashur dhe historive të mbushura me imagjinatë, fëmijët njihen me vlera si miqësia, guximi, dashuria, respekti dhe fuqia e mirësisë. Me një gjuhë të thjeshtë dhe të kuptueshme, libri synon të shoqërojë fëmijët në botën e leximit dhe të ndihmojë në formimin e tyre moral e emocional.

Frymëzimi për këtë botim lindi nga një përvojë krejt personale. Autori tregon se historitë e para u krijuan për vajzën e tij, gjatë mbrëmjeve para gjumit, kur tregimet e improvizuara nisën të merrnin formën e një libri.

Në faqet e këtij libri fëmijët do të gjejnë personazhe të afërt me botën e tyre, histori që flasin për kafshët, miqësinë, ëndrrat, pasionet dhe hobet. Çdo tregim përcjell një mesazh edukativ, ndërsa në fund të secilit rrëfim janë vendosur pyetje që i ndihmojnë lexuesit e vegjël të reflektojnë mbi ngjarjen dhe personazhet.

Një tjetër veçori e këtij botimi është përdorimi i një gjuhe të pastër shqipe. Autori ka shmangur huazimet dhe termat e ndërlikuar, me synimin që çdo fëmijë ta lexojë dhe ta kuptojë lehtësisht librin.

“Tregime dhe përralla për fëmijë” është libri i parë i autorit i dedikuar tërësisht lexuesve të vegjël, pas dy romaneve të botuara më herët për publikun e rritur. Përpara se të mbërrinte në duart e lexuesve, çdo tregim kaloi fillimisht testin më të rëndësishëm: atë të vajzës së autorit, e cila ishte lexuesja e parë e dorëshkrimit.

Me fantazi, ngrohtësi dhe mesazhe edukative, ky botim synon të afrojë fëmijët me librin dhe leximin, duke i ftuar të zbulojnë botën përmes historive të thjeshta, por domethënëse.

“Tregime dhe Përralla për Fëmijë” është libri i parë i Vasil Dedjes i dedikuar tërësisht lexuesve të vegjël, pas dy romaneve të botuara më herët për publikun e rritur. Përpara botimit, çdo tregim kaloi provën e lexueses së parë dhe njëherazi më të rëndësishme për autorin: vajzës së tij.

R.Xh/SI.E./Shqiptarja.com

Komente

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës: 5 Gusht, 13:27

    GJKKO kërkon të kufizojë aksesin e mediave dhe të drejtave të gazetarëve gjatë seancave, a jeni dakord?