Siguria në plazhe, ministri Xhafaj marrëveshje bashkëpunimi me homologun kosovar

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj prit sot Ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, Bejtush Gashi. Ata diskutuan çështje të bashkëpunimit dypalësh dhe thellimin e tij.

Dy ministrat kanë nënshkruar një protokoll bashkëpunimi për sezonin turistik veror. Protokolli ka qëllim intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve për të forcuar bashkëpunimin midis policive të dy vendeve, nëpërmjet planifikimit dhe zbatimit të masave të përbashkëta në fushën e kontrollit kufitar.

Ai do të kryhet sipas drejtimit të lëvizjes së qytetarëve dhe mjeteve, ku punonjësi i Policisë shqiptare kryen regjistrimin në dalje të territorit të Republikës së Shqipërisë dhe punonjësi i Policisë kosovare kryen regjistrimin në hyrje të territorit të Republikës së Kosovës. Procedurat e përbashkëta mund të ndryshojnë ndërmjet negociatave dhe me miratim të ndërsjelltë.

Gjatë zbatimit të këtyre procedurave të kontrollit të përbashkët, do të mbahet lista e përpunimit të automjeteve me procedurë të lehtësuar. Në fjalën e tij ministri Xhafaj u shpreh se me homogolun e tij kishte diskutuar dhe për luftën ndaj terrorizmit dhe krimit të organizuar dhe menaxhimin e kufijve formal.

Pata sot kënaqësinë të pres në një vizitë zyrtare Ministrin e Brendshëm të Republikës së Kosovës, zotin Gashi, me të cilin patëm një bisedë shumë miqësore dhe konstruktive, për një vlerësim të bashkëpunimit të deritanishëm dhe projekteve të përbashkëta për të ardhmen. Njëkohësisht nënshkruam edhe një marrëveshje të rëndësishme që ka të bëjë me menaxhimin e përbashkët të sezonit veror. 

Besoj fort se midis dy Ministrive dhe dy Policive tona, do të vazhdojë të ketë një bashkëpunim më intesiv në interes të popujve tanë, në interes të të gjithë shqiptarëve, në interes të sigurisë së vendeve tona, të rendit, qetësisë që iu ofrojmë njerëzve tanë, në dy anët e kufirit. Por besoj fort, edhe në interes së sigurisë rajonale është një kontribut i çmuar bashkëpunimi ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Policisë shqiptare dhe forcave respektive të sigurisë.

Diskutuam një sërë temash të rëndësishme ndërmjet nesh, që kanë të bëjnë me terrorizmin dhe luftën kundër krimit të organizuar, menaxhimin më mirë të kufijve formalë, por edhe të nevojës për të pasur një marrëdhënie më të mirë në tërësi dhe në mënyrë të veçantë në periudha të rëndësishme, siç është sezoni turistik, marrëdhëniet në forcimin e bashkëpunimit shumë të mirë që kemi ndërmjet dy Akademive, dhe një sërë projektesh të përbashkëta. U dakordësuam për të pasur një axhendë të përbashkët bashkëpunimi në muajt në vijim.

Ministri i Republikës së Kosovës trajtoi me shumë të drejtë një shqetësim që ka të bëjë lidhur me sigurinë rrugore të shtetasve kosovarë gjatë sezonit veror dhe posaçërisht lidhur me patentat, me mënyrën se si trajtohen rastet e menaxhimit të këtyre patentave kur krijohen probleme për shkak të mosrespektimit të rregullave. Duhet një procedurë e gjatë për t’i kthyer ose për t’ua ridhënë në përdorim patent-mbajtësve përmes një burokracie shumë të gjatë, që kemi aktualisht. 

Unë e mirëkuptoj Ministrin e Republikës së Kosovës në shqetësimin që trajtoi. I bëra me dije faktin se është propozuar nga deputetët e Kuvendit, nga deputeti Ndreu, një amendim i Kodit Rrugor që do ta lehtësonte së tepërmi. Dhe ne shpresojmë se në seancën e fundit të Parlamentit, që është ditën e hënë, të mund të miratohet ky amendament, që do të ishte një kontribut shumë i çmuar në këtë aspekt dhe një lehtësi për të gjithë ata që përdorin rrugët kombëtare të Republikës së Shqipërisë. 

Dhe gjithsesi, në çdo rast u angazhuam së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë për të marrë disa masa shtesë, jo vetëm për efekt të sigurisë, por edhe për të bërë lëvizjen më të lehtë dhe administrimin e të gjithë procedurave që e shoqërojnë atë me lehtësi shumë më të mira në funksion të sigurisë mbi të gjitha, por dhe në funksion të lëvizjes së lirë të shtetasve në të dy anët e kufirit. 

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj

Ndërsa ministri kosovar gjatë fjalës së tij u ndal tek çështja e interesit të përbashkët midis dy vendeve,mbarëvajtja e sezonit veror, duke u shprehur se:

E falënderova Ministrin për mikëpritjen dhe diskutuam për temat siç tha Ministri, të interesit të përbashkët, për mbarëvajtjen e sezonit veror për faktin se siguria është parakusht që njerëzit të jenë të lirshëm dhe të kalojnë pushimet sa më mirë. Gjithashtu në interes të diskutimit ishte sfida me të cilin lidhen të dy shtetet për parandalimin e rreziqeve dhe fenomenit me theks të veçantë të terrorizmit dhe krimit të organizuar. Për parandalimin e këtyre fenomeneve, ne si dy shtete, kemi një bashëpumim i cili duhet intesifikuar dhe të reagojmë në kohë dhe të ndikojmë që këto fenomene të zvogëlohen. 

Të dy shtetet deri tani kanë mposhtur rreziqet që ka në këtë drejtim, kemi qenë të suksesshëm. Megjithatë kjo nuk na bën të ndihemi të relaksuar karshi rreziqeve që mund të vijnë. Trajtova dhe fenomenin e lëvizjeve të mundshme të emigrimit të paligjshëm ku rajoni jonë është i prekur, si fenomen që tërheq pas vetes dhe probleme sociale dhe problemin e inkriminimit të grupeve terroriste që mund të jenë të infiltruara në këtë lëvizje dhe në këtë drejtim.

Shprehëm mundësi dhe kapacitetet që kemi, që të përgjigjemi karshi këtyre fenomeneve.  Bashkëpunimi mes dy Ministrive përkatësisht Agjencive do të intesifikohet dhe shpresojmë se në takimet e radhës do të mund të dalim me rezultate konkrete në fushën e bashkëpunimit ndërshtetëror.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Bejtush Gashi

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Alda: 21/07/2018 14:29

    Sic kemi pare marrveshje deri me tani me vendet europiane qe kan rezultuar mjaft te suksesshme dhe efektive kam besim se dhe kjo ashtu do te jet!

    Përgjigju
  • Eli: 21/07/2018 14:20

    Marreveshje te tilla shtojn sigurin ne rrug por dhe at publike dhe kan shume te vlefshme ne sezonin turistik

    Përgjigju
  • besa: 21/07/2018 14:15

    Kto bashkepunime do duhen pare edhe ne nje prizem tjeter. Duke u lehtesuar procedurat doganore ne kufij normalisht sjell edhe rritjen e fluksit te turisteve qe do te thot me shume perfitime ekonomike per shqiptaret. Pergezime.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

VKM e Qeverisë/ Ndryshon emri dhe numri i Këshillit Kombëtar të Territorit, nga 9 bëhet me 11 anëtarë! Shtohen Mbrojtja dhe Shëndetësia, tani do jetë KKTU

VKM e Qeverisë/ Ndryshon emri dhe numri i Këshillit Kombëtar të Territorit, nga 9 bëhet me 11 anëtarë! Shtohen Mbrojtja dhe Shëndetësia, tani do jetë KKTU