Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, përmes Drejtorisë së Inspektimit të Territorit dhe Planifikimit, në koordinim me AZHT-në, zhvilloi javën e kaluar 114 inspektime në fushën e ndërtimit, me fokus të veçantë në zbatimin e ligjshmërisë së lejeve të ndërtimit dhe sigurisë teknike në kantiere

Inspektimi synon evidentimin e masave të marra për 27 elementë sigurie, mes të cilëve: rrethimi i kantiereve, sinjalistika, sigurimi teknik i tuneleve të kalimit për qytetarët në hapësirat kufizuese me trotuaret, mbrojtja ndaj zjarrit dhe rrugët e përkohshme të aksesit, etj.

Subjektet që iu nënshtruan kontrollit gjatë javës së kaluar ushtronin aktivitet ndërtimor në territorin e bashkive Tiranë, Vlorë dhe Kavajë. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, nga drejtoritë rajonale të IKMT-së në qarqe janë kryer 65 inspektime të tjera në fushën e ndërtimeve në zonat urbane, rurale dhe industriale.

105 subjekteve u janë lënë detyra për t’u përmbushur brenda afatit 10-ditor, pas të cilit do të rikontrollohen për masat e sigurisë teknike. Për rastet kur nuk adresohen mangësitë e konstatuara, ndaj subjekteve do të vendosen penalitete, që variojnë nga gjoba deri në bllokim të kantierit.

IKMT, në bashkëpunim me AZHT dhe me IMT-të e bashkive, vijon inspektimin e subjekteve të tjera në të gjithë territorin e vendit.