Më shumë austriakë, italianë, holandezë e turq po investojnë në Shqipëri. Sipas shifrave të fundit të Bankës së Shqipërisë nga janari deri në mars vlera e investimeve të huaja direkte ishte 404 milionë euro nga 361 milionë euro në të njëjtën periudhë vitin e kaluar.

Nga totali i investimeve të huaja, rezulton se gati një në shtatë lekë të investuara nga të huajt në Shqipëri në tre muajit e parë erdhi nga Austria, investimet e së cilës thuajse u dyfishuan në raport me vjet. Konkretisht në këtë tremujor të parë të vitit janë investuar nga Austria në Shqipëri 60 milionë euro nga 31 milionë euro vjet në të njëjtin tremujor, kryesisht në sektorin bankar, sigurime, telekomunikacion dhe energji.

Më pas renditet Italia me 49 milionë euro fluks investimesh nga janari deri në mars, në rritje të lehtë prej 4 milionë euro krahasuar me 2025-ën. E treta është Holanda, që edhe pse mban vendin e tretë për investime, është në rënie me 1 milionë euro krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar.

Pason Turqia me 47 milionë euro, nga 50 milionë euro që ishte vlera e investimeve të huaja vjet, kurse vendi i 5-të i takon Kosovës me 32 milionë euro investime në tre muaj, nga 25 milionë euro vjet. Në fakt kompanitë kosovarë kanë blerë një sërë biznesesh gjatë vitit të fundit në vend, duke bërë që edhe vlera e investimeve të rritet.

Edhe pse renditja e shteteve sipas peshës së investimeve ndryshon, mbetet e njëjtë qasja e të huajve për sektorët. Sektori i pasurive të patundshme triumfon, duke marrë thuajse një në tre lekë të investuara në Shqipëri nga të huajt. Shifrat e Bankës qendrore tregojnë se investimet e huaja në sektorin e pasurive të paluajtshme nga janari në mars arritën në 172 milionë euro nga 104 milionë euro vjet.

Sektori i dytë me vlerën më të madhe të investimeve është ai i aktiviteteve financiare dhe sigurimit me 68 milionë euro në rënie krahasuar me 75 milionë euro të investuara në 2025-ën. Vendi i tretë mbahet nga energjia elektrike, që ka përfituar 11 milionë euro më shumë investime se në janar-mars 2025. Kurse industria, si nxjerrëse ashtu edhe përpunuese po përthithin më pak para të huaja.