Simiç në temën e zhvillimit të marrëdhënieve në rajon thotë se të gjitha vendet e Ballkanit "pa koordinimin evropian në Ballkan i cili 'digjet' vetvetiu", përballen me shumë rreziqe.
"Çdo përpjekje për të koordinuar, apo për të menaxhuar Ballkanin në një drejtim pozitiv, edhe pa këtë orientimit evropian është shumë e rëndësishme. Është e rëndësishme se në mungesë të këtij qëllimi Evropian politikanët e Ballkanit të tejkalojnë vetën dhe të tregohen si burrështetasit të cilët mund të mos lejojnë që ky rajon mos ta përsërisë fatin qe e kishte në çerek shekullin e kaluar", tha Simiç.
Duke kujtuar se Johanes Han do të jetë komisioneri për negociatat e zgjerimit dhe se ai paralajmëroi se gjatë mandatit të tij nuk do të ketë zgjerim, Predrag Simiç këtë e ka vlerësuar si lajm shumë të keq për Ballkanin Perëndimor.
"Pa perspektivën evropiane Ballkani do ta kërkojë perspektivën e vet, por do ta gjejë atë në anë të ndryshme. Ne kemi parë tashmë se disa vende të Ballkanit polarizohen drejt Rusisë, Turqisë, botës arabe, por edhe Kinës", tha Simiç, duke theksuar se kjo nuk është mirë as për Ballkanin dhe as për Evropën.
Simiç shtoi se gjëja më e rëndësishme është që Ballkani është ende i qetë, por është i rrethuar nga flaka e cila, siç thotë ai, "shtrihet nga Ukraina përmes Sirisë, Irakut me të cilët Ballkani është i lidhur më shumë se sa ne duam të pranojmë dhe këtë e ndjejmë në tensione, siç ishte incidenti në ndeshjen Serbi-Shqipëri", shpjegoi eksperti për politikën ndërkombëtare nga Beogradi.
Duke komentuar deklaratën e Ministrit të Jashtëm kosovar Enver Hoxhaj gjatë qëndrimit të tij në Beograd se nga njohja e Kosovës më i rëndësishëm duhet të jetë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë i cili do të çonte drejt pajtimit, Simiç tha se këto janë "fjalë të këndshme të cilat përsëriten në ngjarje të tilla, por realiteti ndonjëherë është i ndryshëm".
Ai tha se ndonjëherë politikanët me deklarata të tyre dinë ti rrisin tensionet, duke shtuar se eksperienca të cilën e patëm pas incidentit në stadiumin në Beograd, deklaratat e politikanëve nga të dyja anët kanë thelluar edhe më shumë mosbesimin.
Simiç përshëndeti fjalët e Hoxhajt dhe theksoi se ky është një moment në të cilin do të ishte shumë e rëndësishme që në vend të fjalëve të ketë situata ku tensioni mund të qetësohet. "Frikësohem se kemi hyrë në një cikël ku për një çast situata mund të del jashtë kontrollit", tha profesori Simiç.
Roli i intelektualëve në rajon dhe në botë është shumë i kufizuar. Ata, me dallime të caktuara, e kuptojnë njëri-tjetrin, theksoi profesori Simiç, duke u përgjigjur në pyetjen se çfarë mund të bëjnë akademikët dhe intelektualët, si njerëz të rëndësishëm në fushën e pajtimit, tolerancës, sigurisë dhe prosperitetit në Ballkan.
Simiç në fund të javës së kaluar ka marrë pjesë në Konferencën ndërkombëtare "Ballkani i ri dhe BE: Paqja, zhvillimi, integrimi", mbajtur në Beograd, në të cilën ishin të pranishëm ekspertët e shumtë botëror, profesorët, politikanët, diplomatët dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare. Ai, situatën në Ballkan, e ka krahasuar me skenarin e serialit të njohur turk "Lugina e ujqërve" e cila që një kohë shfaqet në vendet ballkanike.
"Në serialin 'Lugina e ujqërve' ka shumë elemente shumë të njohura të rajonit të gjerë. Ky serial na kujton se jemi një rajon mjaft i rrezikshëm. Në çdo kohë duhet të shfrytëzohet mundësia për të parandaluar një hap të gabuar sepse shumë gjëra, këtu në periferi të Evropës, Azisë dhe Mesdheut na shtyjnë në situatë të cilën metafora e "Luginës së ujqërve" e përshkruan", thotë analisti i Beogradit, duke folur për marrëdhëniet në rajon.
Organizime të shpeshta të konferencave dhe takimeve të tilla, siç theksoi, janë më të rëndësishme për krijimin e përshtypjes në opinionin publik se sa korrupsioni, kriminaliteti, dhuna apo nacionalizmi. "Në fund të fundit, çka është sot nacionalizmi? Cilët janë patriotët më të mëdhenj të cilët janë treguar në çerek shekullin e kaluar në Ballkan? Pas gjithë këtij patriotizmi kanë qëndruar vetëm paratë, droga, krimi, kontrabanda... Prandaj është e rëndësishme që të kemi më shumë dialogje sepse kështu intelektualët bëjnë të vetmen gjë që ata mund të bëjnë. Të ndikojmë në formimin e opinionit publik", përfundon profesori i politikës ndërkombëtare, Predrag Simiç.
Anadolu Agency
Redaksia Online
(g.f/shqiptarja.com)