/ATSH Për herë të parë në Shqipëri prodhohet një kalendar vetëm me fëmijë dhe adoleshentë me sindromën Daun. Qendra Jonathan, që punon në Shqipëri për komunitetin e personave me Sindromën Daun, sapo ka publikuar këtë kalendar të veçantë në të cilin kanë pozuar 12 fëmijë dhe adoleshentë..

Organizatorët shprehen se nuk promovojnë vetëm talentin e fëmijëve dhe të rinjve me sindromën Daun, por ata duan të tregojnë edhe sa te bukur janë këta fëmijë.
"Pas kartolinave sjellim surprizën e radhës për festat: Një kalendar që nuk e keni parë kurrë më parë! 12 fëmijë e adoleshentë me sindromën Daun që me kalendarin e tyre ju mundësojnë të planifikoni ditët tuaja të 2015-ës me mençuri dhe mirësi".

Për të gjithë ata që janë të interesuar ta kenë këtë Kalendar, qendra Jonathan ka vënë në dispozicion një adresë e cila gjendet lehtësisht në rrjetet sociale të saj. Stafi organizator falenderon të gjithë kontribuesit. "Kauza jonë mund të ec dhe rritet vetëm me miq e mbështetës të veçantë".

Mbi sindromën daun
Sindromi Daun është një kusht gjenetik që shkakton vonesë në zhvillimin motorik dhe intelektual të individit. Sot në botë ai rezulton të ndodhë 1 në 691 lindje që jetojnë. Individët me këtë sindromë kanë 47 kromozome në vend të 46 të tilla që ka një individ me zhvillim tipik. Është sindromi kromozomik më i hasur i ndodhur. Ai nuk lidhet me racën, kombësinë, fenë apo statusin socioekonomik. Fakti më i rëndësishëm që duhet ditur rreth individëve me sindromin Daun, është se, ata janë më shumë të ngjashëm me ne, se të ndryshëm prej nesh.

Është shumë e rëndësishme të dihet se ndërsa fëmijët e të rriturit me sindromin Daun provojnë vonesat zhvillimore të tyre, nga ana tjetër ata kanë shumë talente dhe dhunti dhe duhet të jemi po ne që t'i japim atyre mundësinë t'i zhvillojnë e përdorin ato.

Edhe pse thuhet se, Personat me sindromin Daun nuk mund të arrijnë qëllime normale nëjetë, me mbështetjen e duhur, ata munden. Shumica e individëve me sindromin Daun mësojnë të ecin dhe flasin, dhe shumë prej tyre tashmë janë duke vazhduar shkollën normale, marrë provimet dhe jetuar një jetë si gjithë te tjerët.