Shtetet e Bashkuara dhe Rusia janë duke zhvilluar bisedime të reja sa i përket Sirisë, e mbi të gjitha hapësirës ajrore, pas një incidenti të shtunën ku rrezikuan përplasjen dy avionë, një rus e një amerikanë. 

Ky është raundi i tretë i bisedimeve pasi të dy vendet kërkojnë të shmangin një përplasje të drejtpërdrejtë nga një aksident i mundshëm. 

Pavarësisht bisedimeve, SHBA tha se Rusia po bën veprime të pamatura në Siri. Sekretari amerikan i Mbrojtjes Ashton Carter tha se priste një marrëveshje së shpejti. 

"Bisedimet tona janë shumë profesionale, janë shumë konstruktive dhe unë pres që ata të pranojnë një marrëveshje”, deklaroi Sekretari Amerikan i Mbrojtjes. 

Rusia filloi fushatën e saj të sulmeve ajrore në Siri më 30 shtator, duke thënë se kishte si synim shkatërrimin e objektivave të shtetit islamik. 

Por Uashingtoni dhe BE kanë deklaruar se Moska po godet rebelët sirianë që bëjnë rezistencë kundër presidentit Bashar Al Assad. Në një tjetër zhvillim nga Siria, dy predha goditën ambasadën ruse në kryeqytetin sirian, Rusia e cilësoi si një sulm terrorist.
 

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)