Është bllokuar përsëri puna e bizneseve pasi ka rënë Platforma Qendrore e Lëshimit të Faturave të Fiskalizuara, e njohur si ‘Self-Care’.
Edhe pse sistemi ishte i ngadaltë që pasi u rikthye në punë më 28 janar, bizneset arritën të kryenin veprimet e domosdoshme, ndërsa prej mëngjesit të kësaj të hëne sistemi është bllokuar.
Bizneset ankohen pasi e kanë të pamundur aksesin në faturat e fiskalizuara, si dhe nuk mund të dorëzojnë inventarët e tyre. Për shkak të problemeve me platformën Self Care drejtoria e tatimeve shtyu nga 31 janari në 20 shkurt afatin që kanë bizneset për dorëzimin e inventarëve të 2025-ës.
Problemet me Platformën Qendrore të Lëshimit të Faturave të Fiskalizuara nisën në 20 janar 2026, duke bërë që me mijëra biznese të prekeshin nga bllokimi i sistemit. Edhe pse një biznes mund ta lëshonte një faturë të fiskalizuar, ai nuk e kontrollonte në sistem për gabime.
Gjithashtu të vetepunësuarit që nuk kanë aplikacionin e fiskalizimit, përdorin platformën e Self-Care, nuk kanë patur mundësi të lëshojnë fatura. Po ashtu edhe bizneset e import-eksport preken pasi nuk mund të fiskalizojnë faturat e zhdoganimit të mallrave.
Administrata tatimore njoftoi bizneset në fund të janarit që nëse do të hasnin probleme me sistemin Self-Care të përdornin alternativa të tjera për të mos bllokuar punën.
Rreth 139 mijë tatimpagues që lëshojnë fatura përmes softuare-ve sipas tatimeve duhet të vazhdojnë të lëshohen fatura edhe pse Self-Care nuk punon pasi kur ajo kthehet në punë mund të fiskalizohen fatura.
Për të vetëpunësuarit, kur kanë probleme me platformën duhet të blejnë softuare ose t’i drejtohen me kërkesë Drejtorisë Rajonale Tatimore për t’u pajisur me bllokun e veçantë të faturave.
Kurse në rastin e zhdoganimit të mallrave në njoftim theksohet edhe një herë afati 7- ditor për kryerjen e fiskalizimit.
Komente











