Edhe pse në raportin e emergjencave civile sot ka një rënie të nivelit të ujit, banorët e Obotit sërish janë të detyruar të përdorin varkat e ushtrisë për të shkuar në banesat e tyre. Kjo është dita e dytë që rrufa është tërësisht e bllokuar dhe niveli i ujit arrin në 1 metër.

Situata sot në territorin e Bashkisë Shkodër duket më e qetë dhe me një tkurrje të hartës së përmbytjeve me 800 ha tokë nën ujë ndërkohë që nuk raportohet asnjë banesë nën ujë.

Ana e Malit është zona më e prekur nga përmbytjet së bashku me rrugën e fshatit për shkak të rritjes së nivelit të lumit Buna.

Raporti ditor i Emergjencave Civile

Situata në territorin e Bashkisë Shkodër paraqitet në përmirësim gradual. Gjatë natës është konstatuar ulje e nivelit të ujit në zonat Obot dhe Dajç. Në aksin rrugor Obot – rruga kryesore vazhdon të ketë prezencë uji rreth 100 cm, çka e bën të vështirë qarkullimin e mjeteve, përfshirë edhe mjetet e kalueshmërisë së lartë të Forcave të Armatosura. Megjithatë, ditën është realizuar kalimi i një kamioni për furnizimin e zonës.

Transporti i banorëve është siguruar nëpërmjet varkave të Forcave të Armatosura. Aktualisht, në zonën e Obotit ka prezencë uji në oborre, ndërsa nuk raportohet ujë brenda hapësirave të banimit. Banorët janë furnizuar me ujë të pijshëm dhe koncentrat për gjënë e gjallë.

Në Njësinë Administrative Dajç është evidentuar ulje e nivelit të ujit rreth 10 cm në zonën Urrelat – Shirq, me dalje uji në kanalet kulluese të tokave bujqësore. Nuk raportohet ujë brenda hapësirave të banimit. Monitorimi nga strukturat përgjegjëse vijon pa ndërprerje.

Prefekti i Qarkut Shkodër vijon ndjekjen nga afër të situatës, në koordinim me të gjitha strukturat vendore dhe qendrore, për menaxhimin e emergjencave deri në normalizimin e plotë të situatës.


Lajmi kryesor:

Çahet argjinatura e Semanit, 3500 hektarë tokë e mbi 20 banesa nën ujë! Pamjet me dron nga përmbytjet në Fier! Përmirësohet situata në Durrës, vijon verifikimi i dëmeve