Presidenti i vendit Ilir Meta ka reaguar në mediet sociale, pas problematikave që janë hasur në vend për shkak të motit të keq.
Meta shkruan se ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, jepte show me projekte në 3D, në vend që të merrte masat e nevojshme duke mbledhur drejtuesit e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe administratorët e kompanive private, me detyrime kontraktore.
Po ashtu Meta shton se kompanitë kontraktore, rezultuan të mos kishin as rezerva kripe edhe pse kanë përfituar miliona euro kontrata ku deklarohen dhjetëra automjete motorike moderne për operacione në periudha dimri dhe mirëmbajtje rutinë të akseve rrugore.
'Prej ditësh kam kërkuar të merren masa për përballimin e pasojave nga reshjet e pritshme të dëborës.
Kujtoj se në datat 7-8 shkurt, Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit paralajmëroi përkeqësimin e motit, shoqëruar me stuhi të forta.
Ndërkohë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, jepte shoë me projekte në 3D, në vend që të merrte masat e nevojshme duke mbledhur drejtuesit e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe administratorët e kompanive private, me detyrime kontraktore.
Në datat 12-13 shkurt rezultoi se asnjë kompani private, as ARRSH dhe as Agjencia për Mbrojtjen Civile nuk kishin kapacitetet njerëzore dhe teknike, si borëpastruese, fadroma e traktorë, në segmentet rrugore për të operuar qysh në orët e para të dëborës dhe stuhisë, duke i braktisur njerëzit e bllokuar në automjete, që qarkullonin në rrugë.
Kompanitë kontraktore, rezultuan të mos kishin as rezerva kripe edhe pse kanë përfituar miliona euro kontrata ku deklarohen dhjetëra automjete motorike moderne për operacione në periudha dimri dhe mirëmbajtje rutinë të akseve rrugore.
Duke ju referuar edhe paralajmërimit të bërë sot nga IGJEUM, për ngricat që mund të krijojnë probleme të ndryshme dhe vështirësi në transportin rrugor, përsëris apelin drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Infrastrukturës e Energjisë, Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë e Bujqësisë për të vendosur komunikimin me strukturat vendore dhe për të përmbushur detyrimet ligjore në ndihmë të popullatës në nevojë, duke marrë të gjitha masat efikase për furnizimin me bazën e nevojshme të ushqimeve, evakuimin në rastet kur kërkohet, si dhe për të garantuar funksionimin normal të akseve rrugore. MBROJTJA E SHËNDETIT DHE JETËS TË ÇDO QYTETARI DUHET TË JETË PRIORITET ABSOLUT!'- shkruan Meta.