Siva, piramida e Berishës
Avokati: Mos u jepni lekë

Siva, piramida e Berishës<br />Avokati: Mos u jepni lekë
Një mega-projekt, i lançuar në Shqipëri nga vetë kryeministri Sali Berisha, denoncohet nga një kandidat i partisë konservatore amerikane për senator federal si “piramidë”. Pjerin Lumaj, avokat i të drejtave civile në Nju Jork, u bën thirrje shqiptarëve të mos gënjehen e t’u besojnë paratë e tyre mashtruesve që kanë filluar të “gjuajnë” fonde në veri të vendit, gjoja për të financuar një resort gjigand në Pishë Poro të Vlorës. Gjithshka, sipas tij, është një skemë tipike e piramidave financiare, që shqiptarët i kanë përjetuar një herë, me pasoja shumë të rënda për vendin. Por, pas saj, mund të fshihet edhe një skenar me karakter politik.

KRYEMINISTRI
"Mos harroni se herën e fundit që Sali Berisha është implikuar në 'projekte', ai e çoi Shqipërinë në trazirat e 1997-ës. Kësaj here, ai, për shkaqe të panjohura, është përfshirë me kompaninë SIVA, sipas vetë njoftimeve nga kjo kompani". Akuza për përgatitjen e një skenari me fund të panjohur, por që mund të synojë një destabilizim të vendit, si në "vitin e mbrapshtë", hedh dritë mbi qëllimet e vërtetë, që mund të fshihen pas një projekti gjigand për ndërtimin e hoteleve,
porteve të jahteve, e kazinove, me vlerë mbi 2 miliardë dollarë.
"E ndjej për detyrë t'u them shqiptarëve se duhet të kenë kujdes dhe të mos u zenë besë e të mos u japin para përfaqësuesve të kompanisë SIVA Partners. Kini kujdes nga ajo çka duhet tepër e bukur për të qenë e vërtetë. SIVA është një ilustrim i qartë i kësaj", thekson avokat Lumaj.

JOSHJA
"Jam i detyruar që të sqaroj një gënjeshtër të rrezikshme, që po përhapet në Shqipëri nga kompania SIVA Partners", shkruan ai në një artikull, të publikuar në portalin e internetit Examiner.com. Sipas Lumajt, në disa raste, në median shqiptare është përmendur emri i tij si një nga mbështetësit
apo investitorët e një projekti që pretendon të jetë shumë i madh dhe që ka të bëjë me ndërtimin e një kazinoje dhe resorti midis Fierit dhe Vlorës. Asgjë nuk është më larg së vërtetës se një pohim i tillë, thekson avokat Lumaj, duke shtuar se SIVA "pa pikë turpi" ka përdorur emrin, e tij, madje duke theksuar se fjala është për një kandidat për në Senatin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të gjetur përkrahje për një gjoja investim mashtrues në Shqipëri. Është e vërtetë se përfaqësuesi i saj Valentin Gurraj më ka kontaktuar, vijon ai. Ai më premtoi një financim prej 200 mijë dollarësh për fushatën time elektorale, duke thënë se është presidenti i kompanisë. Më pas, një tjetër person, i quajtur Mohamed Ali, më tha se është ai president i SIVA-s, nuk më kërkoi asnjë favor dhe gjithshka mbaroi me kaq.

KOMPANIA
"Pasi u largova, thotë Lumaj, bëra disa kërkime lidhur me këtë kompani dhe konstatova se e gjithë kjo ishte thjesht një skemë tjetër piramidale, e parashikuar të aplikohej mbi shqiptarët, sidomos në veri të vendit. Që prej atij çasti, u shkëputa krejtësisht nga SIVA".
As unë dhe as stafi im, pas një pune shterruese kërkimore në statistikat kombëtare dhe ndërkombëtare, nuk mundëm të gjejmë - qoftë edhe një të vetëm! - një projekt të realizuar në botën mbarë, vijon avokati. Sipas të cilit, informacione të tilla bëhen publike. Në këtë pikë, arsya të thotë se e gjithë kjo është një lojë. Mjafton të shohësh se në ç'vit është themeluar SIVA. Në vitin 2010! Dhe, menjëherë, ata hartojnë projekte në shkallë botërore, në më pak se dy vite!

SKEMA
Sipas avokatit njujorkez, as SIVA dhe as të ashtuquajturit partnerë, presidentë apo themelues të saj nuk kanë para për të investuar. "Askush në këtë kompani nuk mund të jape prova se kanë fonde për këtë projekt apo për ndonjë projekt tjetër, të realizuar prej tyre".
Po si funksionon kjo piramidë e re? Shumica e ortakëve janë imigrantë të ardhur rishtaz në SHBA nga Shqipëria apo Lindja e Mesme, që janë të prirur të joshin njerëz të hedhin paratë në projekte-fantazma, që nuk materializohen kurrë. Kjo skemë nuk ndryshon aspak nga piramidat e vitit 1997 që u zhvilluan në Shqipëri, ve ai në dukje. SIVA po përpiqet të bindë investiture në Shqipërinë veriore se ata kanë aq para sa të fillojnë projektin në Vlorë. Ata janë takuar me njerëz në Bajzë, në Koplik dhe në Shkodër. Sipas Gurrajt, përfaqësues të kompanisë janë takuar me Viktor Popajn, kryetar i komunës së Kastratit në Malësi të Madhe, që do të ngarkohet të mbledhë para për projektet. Popaj i përket parties politike të kryeministrit Berisha. Sipas një burimi nga SIVA, ata janë
përqendruar në veri, pasi shumica e familjeve aty kanë njerëz jashtë vendit, që mund të sjellin para në Shqipëri për t'i investuar. "Shpresoj që të mos bëjnë të njejtin gabim si më 1997-ën", shkruan Lumaj.

PARALAJMËRIMI
Një muaj para këtyre deklaratave, Shqiptarja.com, në artikullin e saj me titull "Na premtojnë prapë parajsë. Do investojmë 2 mld dollarë, Berisha I beson", theksonte se aksioneri i saj ka një kompani me vetëm dy punonjës dhe 403 mijë dollarë shitje, si dhe ka realizuar vetëm një mini-hotel në Brazil. Në këto kushte, investime kaq të mëdha nuk mund të kryheshin. Avokat Lumaj hedh dritë mbi skemën e thithjes së financimeve, por edhe paralajmëron rrezikun e saj për stabilitetin e vendit.



(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Zjarr pranë ish-repartit ushtarak në Fier, dëgjohen shpërthime fishekësh (VIDEO)

Zjarr pranë ish-repartit ushtarak në Fier, dëgjohen shpërthime fishekësh (VIDEO)