Skënderbeu është zyrtarisht kampion dimri. Ekipi i drejtuar nga Mirel Josa ishte përgatitur për një sfidë shumë të vështirë në Lushnje, por në fakt në fushë doli e kundërta, pasi arriti që të shënonte pas 60 sekondash duke hipotekuar fitoren e radhës dhe mbyllur me sukses vitin 2013.

Golin e vetëm të takimit e shënoi mbrojtësi Bici. Tirana nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola me ekipin e Teutës. Kryeqytetasit edhe pse vinin nga vendi i fundit zhvilluan një lojë të kënaqshme duke dhënë sinjale shprese.

Një meritë të vecantë për pikën e marrë ka padyshim edhe trajneri Magani, i cili e njihte mjaft mirë kundërshtarin duke ia bërë më të vështirë sesa e parashikonte punën kolegut të tij, italian Sorrentino.

Ndeshja e fundit e së shtunës u zhvillua në Lezhë, në stadiumin ‘Besëlidhja’ mes ekipit të Kukësit dhe Kastriotit. Verilindorët kanë reaguar pas humbjes në Kavajë duke fituar me rezultatin minimal 1-0 që u jep tre pikë tejet të rëndësishme që e ngjisin në vendin e 3 me 25 pikë, një më pak se Partizani që luan nesër dhe një më shumë se Teuta që akoma nuk po del nga kriza.