TIRANE - Në kopshtin zoologjik të Tiranës prej vitesh ndodhte çudia ku një kalë gjendej brenda të njëjtit kafaz me një dem…”Bashkëjetesa” mes tyre është thyer këtë të dielë duke shënuar një ngjarje tragjike jo vetëm për fëmijët dhe vizitorët e këtij kopshti, por edhe për opinionin publik. Pamjet janë vërtet horror! Kali është sulmuar nga demi në mënyrë makabre, dëshmi e të cilës bëhet një video e shpërndarë në rrjetin social Facebook nga “Animal Rescue Albania”, një grup vullnetarësh që merret me kafshët. Janë vetë fëmijët të cilët kanë filmuar kalin me barkun e çarë dhe organet e brendshme jashtë tij. Pamjet tregojnë edhe demin, i cili ndodhet brenda të njëjtit rrethim me kalin.
 
Përmes një letre publike, ky grup vullnetarësh i bën thirrje kryetarit të Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha dhe drejtorit të Kopshtit Zoologjik, Vehbi Shehu që të mbyllin kopshtin “e torturave dhe të turpit të Tiranës dhe shoqërisë” siç ata e cilësojnë.
 
“Animal Rescue Albania” ngrenë pikëpyetje për bashkëjetesën ndër vite të dy kafshëve për të cilat është e njohur se mund të dëmtojnë njëri-tjetrin.
 
“Ne do kontaktojmë partnerët tanë ndërkombëtar dhe të brendshëm dhe do bëjmë të pamundurën që ky tmerr në zemër të Kryeqytetit të mbyllet”, - lexohet në thirrjen publike të “Animal Rescue Albania”
 
 


Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)