Një skandal ka ndodhur me të dhënat private të shqiptarëve ku janë publikuar pagat e tyre, krahas së cilës tregohet edhe numri i kartës së identiteti dhe vendi ku ata punojnë. Pagat e mbi 637 mijë punonjësve në sektorin publik dhe atë privat kanë rrjedhur në rrjetet sociale duke bërë që çdokush të ketë akses në të dhënat personale të tyre.

Lista e pagave, një dokument në formatin “excel” është duke qarkulluar në “Whats App” duke përbërë një shkelje flagrante të të dhënave personale të qytetarëve shqiptarë. Report Tv siguron listën e këtyre të dhënave, por që ka zgjedhur të mos e publikojë për ruajtjen e të dhënave personale. 

Kjo ka bërë që Prokuroria e Tiranës të nis menjëherë hetimet për Drejtorinë e Tatimeve nga dyshohet se mund të ketë rrjedhur informacioni. Megjithatë nuk përjashtohet as mundësia që të jetë ndërhyrë nga jashtë në serverat e këtyre dy institucioneve, por që pritet që gjithçka të zbardhet nga hetimet. Në rast se verifikohen ndërhyrje në servera, ato do të sekuestrohen.

Rrjedhja e këtyre të dhënave rrezikojnë dhe vjedhjen e identitetit apo abuzimet në rrjetet financiare apo bankare para keqbërësve dhe hakerave.

Lista i përket muajit janar 2021, ku nga të dhënat rreth 40 mijë persona kanë të ardhura nga 100 mijë lekë deri në 2 milionë lekë në muaj, 59 të tjerë kanë rrogë nga 2 milionë deri në 4 milionë lekë, ndërsa 23 persona kanë pagë nga 4 milionë deri në 50 milionë në muaj.

Qeveria mohon që ky informacion të ketë dalë nga Ministria e Ekonomisë dhe se dokumenti që ka rrjedhur nuk ka të njëjtën paraqitje me dokumentin zyrtar që disponon kjo ministri, nuk përmban emrin e plotë dhe se është bashkim i disa copave të ndryshme.

Për skandalin me publikimin e pagave reagoi edhe presidenti Ilir Meta dhe Partia Demokratike. Meta e cilësoi publikimin e këtyre të dhënave personale akt kriminal që rrezikon paqen sociale, ndërsa PD ia faturoi qeverisë duke thënë se është pjesë e skemës së patronazhimit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:23
'Krim që synon destabilizim', Erion Braçe reagon për skandalin me pagat: Një pjesë e rrogave ngjajnë si produkt lavatriçesh, si ka mundësi që Duka merr veç 40 mijë lekë

Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar në lidhje me skandalin e publikimit të pagave të mbi 637 mijë shqiptarëve. Deputeti i PS shprehet se duhet të hetohet dhe përgjegjësit e kësaj situate të ndëshkohen.

 “Po është krim! Madje synon destabilizim! Ndaj duhet te hetohet që ç’ke me të, ligjërisht, plotësisht, në mënyrë gjithëpërfshirëse e deri në fund! Të ketë gjykim e ndëshkim për cilindo të përfshirë, ky duhet të jetë fundi” - shkruan Braçe.

Përmes një postimi në ‘Facebook’, Braçe shkruan se është habitur nga fakti që në listën e pagave nuk rezultojnë disa nga punëmarrësit e famshëm, ku sipas tij këtu kemi të bëjmë me informalitetin me pagat, ku ato ose nuk deklarohen fare, ose deklarohen më të ulëta sesa punonjësit realisht marrin.

“Tani! Kurrë nuk kam patur kuriozitet për rrogën e dikujt, sa paguhej. Më së shumti jam interesuar për të rritur rrogën minimale, zeruar tatimin mbi rrogën dhe ngritjen e dyshemesë së të ardhurave të patatueshme, mbrojtjen e rrogave të shtresës së mesme të ulët. As ky file i sotëm nuk me ndezi kuriozitetin, madje as habinë për ca rroga që kanë shastisur shumëkënd, Po më bën përshtypje që mungojnë në listë emrat e disa punëmarrësve të famshëm, ata si mungojnë? Nuk ka mundësi që sistemi në versionin ligjor të jetë pa ta!

Ka vetëm një rast: Nuk është sistemi, por një material i prodhuar kriminalist që të duket si sistemi dhe pa të famshmit doemos të lidhur me këtë krim! Ndaj duhet hetim gërmë për gërmë! Ndërkohë, më tej, është e qartë se: Ne nuk kemi një treg pune ku çmimi paguan meritën, ekspertizën, përvojën, punën e cilësinë e saj; Tek ajo listë ka shumë emra që dëshmojnë këtë, por mua më bëri përshtypje një, specialist finance i quajtur Armand Duka me rrogë 40 mije lekë!

Informaliteti me rrogat është dramatik, mashtrohet hapur e pa frikë por duke shkaktuar një dem kolosal, jo ne te ardhurat e buxhetit te shtetit por ne te ardhmen; Nëndeklarimet e rrogës reale deformojnë tregun, madje është e dukshme që më shumë para paguhen jashtë sistemit sesa në të! Ndërkohë një pjesë e rrogave duken te pajustifikuara, nuk ngjajnë si produkt i punës, por produkt lavatricesh (edhe në sektor që predikojnë transparencë) të cilat i tradhtojnë bilancet që dorëzojnë në organet fiskale që luajnë symbyllurazi!

E fundit; E kuptoni tani se kujt i shkoi pjesa me e madhe e favorit fiskal mbi rrogat e larta qe u votua ne nëntor e hyn në fuqi ne 1 Janar? Tani jam i bindur që dy propozimet e mia, ai qe llogaria e re të prekte rrogat nga 50 mijë lekë e lart dhe, tjetri, një ligj i ri për tatimin mbi të ardhurat që mbledh çdo të ardhur-fitime, divident, aksione, qira etj dhe i taton në shkallë progresive, ishin të drejta dhe janë beteje që vazhdon!”-shkruan Braçe.

Ora 16:37
Dalja e pagave të mbi 637 mijë shqiptarëve, Komisioneri Publik: Mediat të mos i publikojnë, fshijini të dhënat

1640187858_unnamed.jpg

Pas skandalit të sotëm me të dhënat private të shqiptarëve ku janë publikuar pagat e mbi 637 mijë punonjësve në publik e privat, krahas së cilës tregohet edhe numri i kartës së identiteti dhe vendi ku ata punojnë, ka reaguar edhe Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Këta të fundit i bëjnë thirrje të gjithë individëve apo subjekteve publike/private që disponojnë këtë bazë të dhënash personale, të mos e transmetojnë, qarkullojnë apo publikojnë duke rënduar situatën në kuadër të pasojave që mund të vijnë në lidhje me të drejtën për respektimin e jetës private.

"Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale u njoh nga media me publikimin e lajmit për qarkullimin në platformën e komunikimit “Whatsapp” të një bazë të dhënash të qytetarëve të punësuar në sektorin publik dhe atë privat, shoqëruar me të dhëna të tyre. Zyra e Komisionerit ka nisur punën për sigurimin e kësaj baze të dhënash dhe për identifikimin e shkeljeve të mundshme, në mënyrë që të ushtrojë detyrimin ligjor dhe kryerjen e veprimeve të domosdoshme për një hetim administrativ kryesisht (me iniciativën e saj) për këtë çështje.

Si edhe në raste të tjera të ngjashme, Zyra e Komisionerit vlerëson se ushtrimi i lirisë së shprehjes dhe të shtypit, kur në objekt të saj ka të dhëna personale, para së gjithash, duhet realizuar duke mbajtur parasysh faktin se “interesi i lartë publik”, dallon nga “interesi për publikun”. Në këtë kontekst, Zyra e Komisionerit i bën thirrje të gjithë individëve apo subjekteve publike/private që disponojnë këtë bazë të dhënash personale, të mos e transmetojnë, qarkullojnë apo publikojnë duke rënduar situatën në kuadër të pasojave që mund të vijnë në lidhje me të drejtën për respektimin e jetës private.

Çdo veprim që mund të duket si një “lojë”, në përfundim do të rezultonte si shkelje e ligjit, pasi kemi të bëjmë me një përpunim të paligjshëm të të dhënave personale të shtetasve. Qarkullimi online apo dhe publikimi në media i të dhënave të qytetarëve rezulton se është një veprim i kundërligjshëm, i papërgjegjshëm dhe i bëhet thirrje organeve mediatike dhe publikut të mos bëhen përhapës të paligjshëm të të dhënave personale. I drejtohemi opinionit publik që të mos bëhet pjesë dhe të refuzoj këtë përpunim të jashtëligjshëm dhe ta fshij këtë bazë të dhënash."-thuhet në reagimin e Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Ora 15:03
Skandali me publikimin e pagave, qeveria: Nuk ka dalë nga Ministria e Ekonomisë, dokumenti zyrtar nuk ka të njëjtat paraqitje

Qeveria ka reaguar për skandalin e publikimit të pagave të mbi 630 shqiptarëve që punojnë në sektorin publik e privat. Qeveria mohon që ky informacion të ketë dalë nga Ministria e Ekonomisë dhe se dokumenti që ka rrjedhur nuk ka të njëjtën paraqitje me dokumentin zyrtar që disponon kjo ministri, nuk përmban emrin e plotë dhe se është bashkim i disa copave të ndryshme.

Ministria e Ekonomisë do të denoncojë rastin në prokurori për zbardhjen e kësaj ngjarje që e cilëson kriminale.

"Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka ndjekur me shqetësim daljen e të dhënave mbi pagat e shtetasve shqiptarë. Analizat paraprake tregojnë qartësisht se nuk ka ndodhur asnjë eksport dixhital i databazës së pagave për periudhën janar - prill 2021 në fushat e dokumentit të hedhur në qarkullim. Dokumenti ka një numër të ndryshëm nga personat e deklaruar dhe është bashkim i disa copave të ndryshme. Po ashtu databaza digjitale zyrtare e të dhënave të disponueshme nuk e përmban fushën "Emri i Plotë" siç lexohet në këtë dokument ilegal. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka mbyllur prej rreth një muaji termat e referencës për procedurën e hapur ndërkombëtare të auditimit për efekt të çertifikimit me standartet ISO të sistemit informatik të tatimeve, e cila shpallet zyrtarisht javët e ardhshme. Ndërkohë ministria e Financave dhe Ekonomisë po përgatit denoncimin zyrtar për prokurorinë, në kërkim të zbardhjes së kësaj ndërhyrjeje kriminale në databazën e pagave të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë", thuhet në deklaratën e zëdhënësit të qeverisë.

Ora 13:50
Skandali me publikimin e pagave, Meta: Akt kriminal që rrezikon paqen sociale! Të nisin hetimet dhe të merren masat për mbrojtjen e të dhënave personale

 

'Akt kriminal që rrezikon paqen sociale', kështu e ka konsideruar Presidenti Ilir Meta skandalin me publikimin e pagave dhe të dhënave personale të mbi 630 mijë punonjësve shqiptarë në sektorin publik dhe privat.

Me një postim në Facebook, Meta shkruan se ky akt është në shkelje flagrante të lirive dhe drejtave të dinjitetit njerëzor, teksa bën thirrje që të nisin hetimet. Po ashtu Meta kërkon që të merren masa të menjëhershme për mbrojtjen e të dhënave personale dhe vënien përpara përgjegjësisë të autorëve.

Postimi i Metës:

U njoha nga mediat për daljen në publik, të një liste me të dhënat sensitive personale të 637,138 qytetarëve të punësuar, në shkelje flagrante të lirive, të drejtave dhe dinjitetit njerëzor, të ligjeve dhe të Kushtetutës, një rast paligjshmërie i përsëritur, pas skandalit të patronazhistëve.

Të dhënat personale të çdo shtetasi, që depozitohen në institucionet publike dhe që administrohen në bazat e të dhënave shtetërore, janë personale, mbrohen me ligj dhe kanë për qëllim përdorimin e tyre vetëm për interesin e shtetasve dhe të shtetit.

Çdo lloj përdorimi i ndryshëm i tyre është akt kriminal, që rrezikon paqen sociale duke cenuar sigurinë private të çdo qytetari.

I bëj thirrje agjencive ligjzbatuese dhe të ndjekjes penale, të vihen menjëherë në lëvizje, të nisin verifikimet dhe hetimet, të faktojnë këtë veprimtari të përsëritur të paligjshmërisë, duke marrë pa vonesë masat e nevojshme për të garantuar mbrojtjen e të dhënave personale dhe vënien përpara përgjegjësisë të autorëve.

Ora 13:33
Skandali me publikimin e pagave, PD: Pjesë e skemës së patronazhimit, Rama nxori në pazar rrogat e shqiptarëve, të jap dorëheqjen

Skandali për publikimin e pagave dhe të dhënave personale të mbi 630 mijë punonjësve shqiptarë në sektorin publik dhe privat, PD ia faturon këtë qeverisë duke thënë se "nxori në pazar" taksapaguesit shqiptarë duke i bërë pre të lehtë për keqdashësit dhe hakerat.

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj tha se qeveria ka dështuar të mbrojë të dhënat personale dhe për këtë duhet të jap dorëheqjen, ndërsa këtë skandal e quajti vijimësi të skemës së patronazhistëve. Për Alibeaj përdorimi i informacioneve të tilla po përdoren nga qeveria për qëllime elektorale.  

"Sot, ne të gjithë jemi ndodhur përballë një skandali të përmasave të jashtëzakonshme. Qeveria e Edi Ramës ka nxjerrë në pazar pagat e mbi 630 mijë qytetarëve, shtetas shqiptarë dhe të huaj që punojnë në Shqipëri.  Të dhënat personale dhe sensitive të mbi 630 mijë qytetarëve gjenden sot të publikuara në rrjetet sociale dhe në duart e çdokujt që përdor aplikacionin e whatsapp-it. 

 Qeveria e Edi Ramës ka dështuar plotësisht të mbrojë të dhënat personale dhe sensitive për pagat, numrin personal të identifikimit, vendin e punës të mbi 630 mijë qytetarëve. 

Partia Demokratike beson se publikimi i të dhënave për pagat e mbi 630 mijë qytetarëve  është pjesë e të njëjtës skemë patronazhimit të përdorur nga Partia Socialiste për blerjen e zgjedhjeve.  Të gjithë e dimë, se pak javë para zgjedhjeve, të dhënat personale të më shumë se 900 mijë qytetarëve, të cilat disponohen vetëm nga qeveria, u keqpërdorën nga kreu i qeverisë Edi Rama për të blerë mandatin e tij të tretë.  

Për ne, nuk ka asnjë dyshim se lista e publikuar sot, që i përket pagave të marra të mbi 630 mijë qytetarëve në janar 2021, pak javë para zgjedhjeve, është pjesë e strategjisë së partisë-shtet për përdorimin e informacioneve sensitive për qëllime elektorale. Sot paga dhe të dhënat sensitive të mbi 630 mijë qytetarëve janë në Pazar për shkak të një shteti të rënë në duart e militantëve partiakë, që Edi Rama i përdor për pushtetin e tij personal.  

Sot çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë duhet t’i kërkojë Edi Ramës të japë dorëheqjen. Të dhënat e tyre personale, paga e tyre ka rënë në duart e keqbërësve dhe për këtë përgjegjës është vetëm Edi Rama me etjen e pangopur për pushtet.  

Edi Rama duhet të mbajë përgjegjësi për këtë skandal të përmasave të jashtëzakonshme! Si mbrojtësi dhe frymëzuesi kryesor i skemës së paligjshme të patronazhimit për blerjen e pushtetit, qeveria e tij ka ekspozuar ndaj kujtdo të dhënat e qytetarëve, përfshi pagën dhe vendin e tyre të punës. Edi Rama sot duhet të japë Dorëheqjen! Drejtësia duhet të veprojë sa nuk është vonë! Një pushtet I vjedhur duke keqpërdorur  shtetin nuk duhet dhe nuk mund të mbahet dot gjatë në këmbë', tha Alibeaj.