Një skandal i madh po trazon Brazilin vetëm pak ditë para fillimit të Kupës së Botës 2026, ndërsa në qendër të vëmendjes ndodhet superylli brazilian, Neymar.

Kur trajneri i kombëtares së Brazilit, Carlo Ancelotti, publikoi listën e lojtarëve të ftuar për Botërorin, rikthimi i Neymarit u prit me entuziazëm nga tifozët brazilianë. Megjithatë, situata ka marrë një kthesë të papritur pas raportimeve se sulmuesi ishte i dëmtuar që para grumbullimit me kombëtaren.

Sipas medieve braziliane dhe atyre në Amerikën e Jugut, ekzistojnë dyshime serioze se stafi mjekësor i klubit të Santosit ka fshehur gjendjen reale fizike të Neymarit, në mënyrë që ftesa për Kupën e Botës të mos vihej në pikëpyetje.

Mjeku i kombëtares së Brazilit, Rodrigo Lasmar, konfirmoi se Neymar ka pësuar një dëmtim të shkallës së dytë në pulpën e këmbës, i cili u zbulua pas rezonancës magnetike të kryer menjëherë pas mbërritjes së tij në kampin e ekipit.

“Neymar mbërriti pardje në grumbullim dhe iu nënshtrua të gjitha testeve mjekësore. Rezonanca magnetike tregoi një dëmtim të shkallës së dytë në pulpën e këmbës. Pritet që rikuperimi të zgjasë rreth 20 ditë”, deklaroi Lasmar.

Ky dëmtim do ta detyrojë Neymarin të humbasë ndeshjet përgatitore ndaj Panamasë dhe Egjiptit, ndërsa pjesëmarrja e tij në ndeshjen hapëse të Kupës së Botës kundër Marokut mbetet seriozisht në dyshim.

Mediet braziliane raportojnë se më 18 maj, Federata Braziliane kishte marrë një raport zyrtar nga mjekët e Santosit, ku thuhej se Neymar ishte në gjendje të mirë fizike dhe pa probleme serioze. Edhe presidenti i klubit, Marcelo Teixeira, kishte deklaruar publikisht se nuk kishte arsye për shqetësim rreth gjendjes së yllit brazilian.

Pas presionit të madh të opinionit publik dhe tifozëve, Ancelotti vendosi ta përfshinte Neymarin në listën përfundimtare, megjithëse kishte theksuar se ai nuk do ta kishte të garantuar vendin e titullarit.

Tani, me konfirmimin e dëmtimit, në Brazil po shtohen dyshimet se informacioni për gjendjen e Neymarit është fshehur qëllimisht. Situata ka ngritur pikëpyetje të mëdha mbi mënyrën se si është menaxhuar rasti nga klubi i Santosit dhe stafi mjekësor.

Brazili ndodhet në grup me Marokun, Haitin dhe Skocinë në Kupën e Botës 2026 (11 qershor - 19 korrik), ndërsa mungesa e mundshme e Neymarit do të ishte një goditje e rëndë për ambiciet e “Seleçaos”.