VLORE - Një erë e rëndë ka shqetësuar mëngjesin e sotëm banorët e fshatit Zvërrnec të Vlorës, teksa në Pyllin e Sodës shumë pranë rrugës së makinave persona të paidentifikuar kanë hedhur një sasi peshku të prishur.

Sasia e peshkut që shkon deri në një ton është mall importi dhe dyshohet të ketë ardhur nga Argjentina.

Pavarësisht situatës instancat vendore nuk kanë marrë asnjë masë për largimin e sasisë së peshkut, ndërsa drejtuesit e autoritetit kombëtar të ushqimit nuk janë paraqitur ende në zonën e pyllit të sodës.

“Këto arkat sot i kemi parë për herë të parë. Mund të jenë hedhur dje ose pardje sipas shenjës së peshkut. Peshku është i një lloji të panjohur në Shqipëri, dhe sipas atyre arkave që lexohet është importuar nga Argjentina. Mendoj duhet të ketë ardhur me anijë duke parë distancën e largët nga Argjentina. Peshku ose u është prishur rrugës ose u është prishur këtyre në magazinë.” tha Albert Hoxha, një banor i zonës.

Kjo situatë nuk pritet te lërë përshtypje të mirë tek tursitët që duhet të kalojnë në këto anë, të cilët do mendohen dy herë para se të rikthehen.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)