Një gjykatë në Paris ka refuzuar përpjekjen e qeverisë franceze për të pezulluar faqen e internetit të Shein, si reagim ndaj shitjes së kukullave të seksit me pamje fëminore në platformë, raporton BBC.

Gjykata tha se kërkesa për një pezullim tremujor ishte “jo proporcionale”, por urdhëroi vendosjen e verifikimit të moshës për shitjen e produkteve për të rritur.

Vendimi ndaj Shein u ndërmor pasi mbikëqyrësi francez i mbrojtjes së konsumatorit e raportoi muajin e kaluar kompaninë tek autoritetet për shitjen e “kukullave seksuale me pamje fëminore” dhe armëve.

Shein tha se prioriteti i saj mbetet mbrojtja e konsumatorëve francezë dhe sigurimi i përputhshmërisë me rregullat.

Gjykata pranoi seriozitetin e shitjes së kukullave dhe armëve, por tha se këto kishin qenë raste të izoluara.

Gjithashtu vuri në dukje se kompania kineze kishte ndërmarrë veprime për të hequr artikujt problematikë sapo ishte vënë në dijeni për to dhe se çështjet lidhen me një numër shumë të vogël produktesh nga qindra mijëra që shiten në faqen e saj.

Shein njoftoi se do të ndalonte shitjen e të gjitha kukullave të kësaj kategorie në faqen e saj në nivel ndërkombëtar.

Një kërkesë e qeverisë franceze që Shein të detyrohej të pezullonte shitjen e produkteve nga palë të treta në faqen e saj, nuk u pranua.

Duke urdhëruar vendosjen e masave të verifikimit të moshës për shitjen e artikujve për të rritur, gjykata tha se gjoba për çdo shkelje do të ishte 10,000 euro.

Vendimi për të pezulluar faqen e Shein në fillim të nëntorit përkoi me hapjen nga kompania të dyqanit të saj të parë fizik në kryeqytetin francez.

Hapja tërhoqi si blerës ashtu edhe protestues, me kundërshtime të lidhura me shitjen e kukullave me pamje fëminore, si dhe me profilin e saj si një shitës i modës së shpejtë.