TIRANE - Skandali i shitjes së armëve investiguar nga emisioni “Urbanika” në televizionin A1Report, ka nxjerrë në pah se vetëm me 12.000 lekë mund të pajisesh me një pistoletë pa asnjë leje, por vetëm me një kartë identiteti.

Institucionet përgjegjëse për sigurinë dhe rendit heshtin, ndërsa eksperti kriminalistik Shkëlzen Rexhepi në një intervistë për A1Report thotë se tregtia e armëve qofshin dhe konvencionale është kategorikisht e ndaluar të bëhet pa kontroll dhe leje.

“Ligji për përdorimin e armëve të zjarrit normon mënyrën sesi duhet të përdoren armët e zjarrit nga aktorët që janë të përcaktuar me ligj, duke filluar këtu nga forcat e armatosura, forcat e policisë, si dhe kompanitë e ruajtjes dhe sigurisë fizike. Gjithashtu ligji përcakton edhe një kategori personash, të cilët janë biznesmenë që mund t’u lindë nevoja që në moment të caktuar të jenë armatosur. Në mënyrë absolute asnjë nuk blen armë nëse nuk është kategori e përcaktuar me ligj”, u shpreh Rexhepi.

Sipas Rexhepit një përgjegjësi në këtë situatë kanë dhe organet tatimore që duhet të kontrollojnë këto pika të tregtimit të armëve.

“Kjo është pjesë e një handikapi të tërë dhe një apatie jo vetëm nga forcat e policisë, por gati nga të gjithë aktorët ligjzbatues. Duke filluar nga drejtoria e tatimeve e cila ka për detyrë të kontrollojë entitetet tregtare, të cilët tregtojnë jo vetëm armët, por edhe të tilla produkte sic janë armët fallto, armë manovër”, tha Rexhepi për A1 Report.

Kohët e fundit pre e grabitjeve nga persona që kanë përdorur qoftë dhe armë konvencionale apo lodër janë të shumta, ndërsa për të ndryshuar situatën aktuale të tregtimit të armëve pritet ndërhyrja e shtetit sa nuk është vonë.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)