Disa orë qëndroi në drejtorinë e Policisë së Tiranës kompozitori i njohur Adrian Hila, por gjatë gjithë kohës i ka mëshuar të njëjtit argument: Materialet filmike të tij në marrëdhënie seksuale me disa artiste shqiptare, nuk i ka bërë ai publike.
Marrja në pyetje u bë nga ekspertët e Krimit Kibernetik në Policinë e Tiranës, të cilët po përpiqen të kuptojnë se si pamjet e filmuara nga një kamera e vendosur në dhomën e studios muzikore të Hilës, u përhapën fillimisht në disa faqe online pornografike të paktën 2 vite më parë, dhe më pas përfunduan duke u shpërndarë më 29 shtator në rrjetet sociale në llogari të shumta në WhatsApp.
Vetë kompozitori mohon që qëllimi pse kishte vendosur kamera në dhomë të ishte filmimi i momenteve intime me artistet, kryesisht këngëtare, por se këtë e kishte bërë për element sigurie. Kamera, shpjegoi ai i tronditur dhe në një gjendje të rënduar psikologjike, nuk ka as memorie dhe ka ngritur dyshime se sistemi i saj është hakeruar nga persona të jashtëm, të cilët më tej i kanë hedhur në profile të faqeve për të rritur.
Kamera në dhomë është e dukshme vetëm nëse shihet me vëmendje, por një burrë që shfaqet në videot me momente intime, e ka pikasur atë, duke ngritur dyshimin nëse është një kamer. Në këto video, dëgjohet qartë zëri i Adrian Hilës, që i përgjigjet se është një sistem alarmi, dhe jo kamera. Pra në këtë rast, minimalisht ka gënjyer.
Ky element konfirmon për hetuesit se nuk ka më dilema që Adrian Hila ka pasur dijeni për kamerën. I vetmi element që kërkon të faktohet, është qëllimi i këtij objektivi, element sigurie për tu mbrojtur nga vjedhjet, apo filmimi i artisteve të ndryshme në momente intime me të.
E sigurt është, konfirmuar kjo edhe nga dëshmia e një këngëtareje dhënë në polici, se gratë nuk kishin dijeni që në dhomë kishte një kamer, dhe që mund të ishin filmuar teksa kryenin marrëdhënie seksuale me Adrian Hilën. Ato kërkojnë që e vërteta të zbardhet e të zbulohet se kush është personi që i ka shpërndarë.
Kompozitori u la i lirë pas marrjes në pyetje, por nga policia nuk doli pa përgjegjësi. Ndaj tij, blutë referuan në prokurorinë e Tiranës, materialet për kundravajtjen penale “ndërhyrje e padrejtë në jetën private”, dhe tashmë po hetohet në gjendje të lirë. Ekspertët kanë kqyrur kamerën, e cila nuk është sekuestruar pasi hetimi është kompleks për shkak të kohës shumë të gjatë që ka kaluar kur janë filmuar materialet.
Policia e Tiranës ka kërkuar me shkrim edhe një deklaratë të Elton Tozaj, gazetar i showbizzit që foli për herë të parë publikisht për ekzistencën e këtyre materialeve filmike. Ai postoi në rrjetet sociale foto me momente nga këto video, duke ruajtur imazhin e grave, por publikisht i ka identifikuar me emra disa nga personazhet e njohur që kanë pasur raport me Adrian Hilën
Report Tv e ka siguruar këtë deklaratë në të cilën Elton Tozaj thekson se nuk është ai personi që “ka prodhuar, regjistruar, publikuar apo shpërndarë videot intime në fjalë”.
Ai thekson se vetëm ka raportuar publikisht si gazetar për ekzistencën e këtyre materialeve të cilat thotë se ia çuan në WhatsApp. Deri më tani, burime nga policia, thanë se gazetari nuk është pjesë e hetimeve.
“Jam i gatshëm të bashkëpunoj me Policinë dhe çdo organ tjetër kompetent për zbardhjen e plotë të kësaj çështjeje dhe identifikimin e personave që kanë realizuar, publikuar dhe shpërndarë materialet intime”, theksoi ai.
Videot intime të kompozitorit me artiste të njohura u shpërndanë me shpejtësi mbrëmjen e së martës në Whatsapp dhe platforma të tjera. Gjatë ditës, të mërkurën një prej artisteve të përfshira, u shtrua me urgjencë në spital, në kushtet e një traume të fortë psikologjike.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Kompozitori Adi Hila është vënën nën hetim në gjendje të lirë pas skandalit me videot intime me disa artiste të njohura shqiptare. Ai është marrë në pyetje për disa orë nga policia dhe ka mohuar që kamerat t’i ketë vendosur më qëllim që të filmojë momentet intime. AI po hetohet për veprën penale 'ndërhyrje të padrejtë në jetën private'.

Policia e Tiranës ka kërkuar me shkrim edhe një deklaratë të Elton Tozaj, gazetar i showbizit që foli për herë të parë publikisht për ekzistencën e videove intime të kompozitorit Adi Hila me disa artiste të njohura. Ai postoi në rrjetet sociale foto me momente nga këto video, duke ruajtur imazhin e grave, por publikisht i ka identifikuar me emra disa nga personazhët e njohur që kanë pasur raport me Adrian Hilën.
Ai pretendon se nuk është ai autori i shpërndarjes së videove që “vërshuan” kryesisht në WhatsApp, por vetëm ka raportuar.
“Unë, Elton Tozaj, në cilësinë time si gazetar dhe krijues përmbajtjeje mediatike, paraqes këtë deklaratë për të sqaruar në mënyrë të plotë rrethanat në të cilat kam marrë dijeni për disa video intime që qarkullonin në aplikacionin ËhatsApp, si dhe veprimet që kam ndërmarrë pas marrjes së këtij informacioni. Dëshiroj të theksoj që në fillim se në asnjë moment nuk kam qenë personi që ka prodhuar, regjistruar, publikuar apo shpërndarë videot intime në fjalë.
Në një moment të caktuar, nëpërmjet aplikacionit WhatsApp, më janë dërguar nga persona të tjerë disa materiale/video intime, të cilat, sipas asaj që munda të konstatoja, u përkisnin personazheve të ndryshëm. Duke qenë se jam gazetar dhe duke e konsideruar këtë një fenomen serioz që lidhet me shpërndarjen e paautorizuar të materialeve intime, reagova publikisht në rrjetet e mia sociale.
Qëllimi i reagimit tim ishte denoncimi i fenomenit dhe informimi i publikut, jo përhapja apo promovimi i materialeve intime. Në reagimin tim publik kam folur për faktin se materiale të tilla po qarkullonin dhe kam dënuar publikisht atë që e konsiderova një fenomen të rëndë dhe të papranueshëm.
Theksoj në mënyrë kategorike se nuk kam publikuar në profilet e mia sociale video intime të personave të përfshirë. Nuk kam publikuar pamje pornografike dhe nuk kam pasur si qëllim t’i ekspozoj apo t’i dëmtoj personat që shfaqeshin në këto materiale.
Më vonë, nga informacionet që kam marrë dhe nga kërkimet që kam bërë pas publikimit të lajmit, kam mësuar se disa prej këtyre materialeve duket se kishin qenë të publikuara më herët në një faqe pornografike dhe, sipas informacionit që kam parë më vonë, mund të kishin qenë të pranishme në internet prej një periudhe shumë më të gjatë, përfshirë edhe më shumë se një vit.
Kjo është një rrethanë që unë nuk e kam ditur në momentin kur mora materialet në WhatsApp dhe reagova publikisht. Në këtë kontekst, dua të sqaroj se veprimtaria ime ka qenë ajo e një gazetari që ka raportuar mbi ekzistencën dhe qarkullimin e një lajmi/fenomeni, dhe jo e një personi që ka krijuar ose shpërndarë materialet intime. Për mua, detyra e një gazetari është të informojë publikun për një çështje me interes publik, duke respektuar kufijtë ligjorë dhe etikë, dhe jo të publikojë materiale pornografike apo të ekspozojë në mënyrë të panevojshme jetën intime të personave.
Pas marrjes së informacionit në lidhje me materialet intime, kam ndërmarrë gjithashtu një veprim që e konsideroj të rëndësishëm për t’u sqaruar: kam kontaktuar zonjën ..., të cilën e konsiderova si një person të dëmtuar nga qarkullimi i këtyre materialeve.
Në komunikimin tim me të, i kam sugjeruar që, në mënyrë urgjente, t’u drejtohej organeve kompetente të Policisë dhe të bënte kallëzimin përkatës, në mënyrë që autoritetet të mund të hetonin:
• kush i ka realizuar ose regjistruar këto materiale;
• në çfarë rrethanash janë realizuar;
• kush i ka publikuar fillimisht;
• kush i ka hedhur në faqet e internetit;
• kush i ka shpërndarë më pas në WhatsApp dhe platforma të tjera;
• si dhe nëse ka persona të tjerë të përfshirë në shpërndarjen e tyre.
E kam bërë këtë pikërisht sepse mendoj se një person që pretendon se është dëmtuar nga publikimi ose shpërndarja e materialeve intime duhet të ketë mundësinë që çështjen ta ndjekë përmes organeve ligjzbatuese dhe jo të mbetet vetëm në nivelin e rrjeteve sociale apo mediave.
Dua të theksoj gjithashtu se fakti që unë kam qenë ndër personat që e bëri publikisht të njohur ekzistencën e këtij lajmi nuk do të thotë në asnjë mënyrë se unë kam qenë burimi, autori, publikuesi apo shpërndarësi fillestar i videove. Në momentin kur unë reagova publikisht, sipas informacionit që kisha marrë, materialet intime tashmë qarkullonin në WhatsApp dhe në kanale të tjera.
Për këtë arsye, e konsiderova të rëndësishme të flisja publikisht për fenomenin dhe ta denoncoja atë. Është për mua veçanërisht shqetësuese që, në vend që vëmendja të përqendrohet tek personat që kanë prodhuar, publikuar dhe shpërndarë paautorizim materiale intime, është tentuar ose është aluduar që emri im të lidhet me këtë çështje vetëm për faktin se unë pata guximin ta bëja publike ekzistencën e lajmit.
E konsideroj të padrejtë dhe shumë të dëmshme çdo përpjekje për të krijuar përshtypjen se gazetari që raporton mbi një material të paligjshëm është automatikisht personi që e ka publikuar atë material. Unë jam i gatshëm të bashkëpunoj plotësisht me organet kompetente dhe të vë në dispozicion çdo informacion, komunikim, screenshot, mesazh apo të dhënë që mund të kem dhe që mund të ndihmojë në sqarimin e plotë të rrethanave.
Nëse është e nevojshme, jam gjithashtu i gatshëm të shpjegoj në mënyrë të detajuar kur dhe nga kush më janë dërguar materialet, në çfarë forme i kam marrë, çfarë kam publikuar konkretisht në rrjetet e mia sociale dhe çfarë informacioni kam pasur në dispozicion në momentin e publikimit.
Qëllimi im ka qenë dhe mbetet raportimi gazetaresk dhe denoncimi i një fenomeni që prek privatësinë dhe dinjitetin e personave të përfshirë. Në asnjë moment nuk kam pasur qëllim të publikoj, shpërndaj apo të përfitoj nga materialet intime të personave të tjerë.
Për këtë arsye kërkoj që çdo pretendim apo aludim që më lidh me publikimin ose shpërndarjen e këtyre materialeve të verifikohet mbi bazën e provave konkrete dhe të dhënave objektive, dhe jo mbi faktin e thjeshtë se unë kam raportuar publikisht për ekzistencën e tyre. Jam i gatshëm të bashkëpunoj me Policinë dhe çdo organ tjetër kompetent për zbardhjen e plotë të kësaj çështjeje dhe identifikimin e personave që kanë realizuar, publikuar dhe shpërndarë materialet intime.
-
Nuk Ju a kane fajin shperndaresit por ata qe kane kryer veprimin . Tju vije turp per veprimet qe kryeni dhe per degjenerin tuaj Sa mire komentoni ne studio cdo gje qe mesoni dhe sajoni per te tjeret ! Tani si artiste dhe gazetare ju vjen keq qe kini dale lakuriq !
Përgjigju








Komente
Komento