TIRANE- Kompanitë që kanë lidhur marrëdhënie koncensionare me Albpetrolin rezulton të këne kryer shpenzime në masën 1.5 miliardë dollarë amerikanë, por faturat për të provuar këtë nuk gjenden në tatimet shqiptare, as në Albpetrol
 Një mega-skandal tjetër po troket në fushën e naftës. Burime zyrtare nga 'Albpetrol', kompanisë përmes të cilës shteti mbikëqyr të gjitha koncensionet e naftës, bëjnë të ditur se dy nga kompanitë koncensionare që kanë lidhur marrëveshje me shtetin shqiptar për shfrytëzimin e ”arit të zi”, nëpërmjet kompanisë shtetërore Albpetrol, kanë deklaruar në Tatimet mbi 1.5 miliardë dollarë shpenzime, por nuk rezulton të kenë dorëzuar faturat përkatëse.

Skandali ka një vlerë sa 12 për qind e Prodhimit të Përgjithshëm Bruto dhe tregon, në fakt, që shteti nuk i ka kontrolluar asnjëherë koncensionarët, edhe pse ky është një nga kushtet më të forta ligjore që përfshihet në kontratat. Sipas kontratave koncensionare, të gjitha kompanitë janë të detyruara që të vërtetojnë më dokumentat përkatëse shpenzimet për investime e ato operative përmes faturave, të cilat duhet të dorëzohen në 'Albpetrol'. Kjo, pasi shpenzimet janë janë zëri kyç që përcakton detyrimet, të cilat kompanitë private duhet t'i paguajnë shtetit për shfrytëzimin e pasurive natyrore. Në të gjitha marrëveshjet koncensionare është përcaktuar se kompanitë private fillojnë të paguajnë tatim mbi fitimin në masën 50 për qind vetëm pasi të kenë shlyer investimet. Por, fitimi llogaritet si diferencë e të ardhurave me shpenzimet e kompanisë.

Për shkak të deklarimit të shpenzimeve marramendëse, të cilat, siç po tregojnë faktet, nuk janë verifikuar asnjëherë nga 'Albpetrol'-i, deri më sot ende asnjë prej kompanive koncensionare nuk ka paguar qoftë edhe një lek tatimfitimi në buxhet.   Nga viti 2005, vetëm eksportet e kromit dhe naftës kanë qenë mbi 1.6 miliardë dollarë. Por në buxhet qeveria ka arkëtuar vetëm detyrime minimale nga renta, pasi tatimi mbi fitimin është zhdukur përmes shpenzimeve pa fatura, një skemë që mund t'u ketë marrë padrejtësisht arkës publike dhe qytetarëve qindra milionë dollarë në këto tetë vjet. Problemi ka dalë në dritë pas ndryshimit të strukturave drejtuese në kompaninë e vetme me pronësi shtetërore në sektorin e naftës, që qeveria Berisha tentoi pa sukses ta shiste. 

Shkrimi u publikua sot (1.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)