Vetëm pak ditë pas arrestimit, 22 persona nga ishulli i Kretës janë vënë zyrtarisht nën akuzë për mashtrim me subvencionet bujqësore të Bashkimit Europian

Të mërkurën prokurorët europianë në Athinë ngritën akuza për pjesëmarrje në organizatë kriminale, mashtrim me subvencione dhe përfitim të paligjshëm fondesh që sipas hetimeve i kanë shkaktuar mbi 120 mijë euro dëm buxhetit të BE-së dhe shtetit grek. Të dyshuarit u dërguan fillimisht në portin e Pireut dhe më pas në zyrën greke të Prokurorisë Publike Europiane për t’u marrë në pyetje.

Sipas hetimeve, skema lidhet me agjencinë tashmë të shpërbërë OPEKEPE, e cila shpërndante fondet bujqësore europiane në Greqi. Autoritetet dyshojnë se qindra persona kanë përfituar subvencione false për aktivitete bujqësore që nuk ekzistonin, në toka që as i zotëronin dhe as i kishin marrë me qira.

Çështja ka marrë edhe ngjyrime politike, pasi Prokuroria Europiane ka kërkuar të hetojë deputetë dhe ish-anëtarë të qeverisë konservatore Demokracia e Re për dyshime se kanë ndihmuar mbështetës politikë dhe njerëz të afërt të përfitonin subvencione. Të gjithë kanë mohuar akuzat.

Hetuesit, sipas medias Ekathimerini, thonë se 22 të akuzuarit janë pjesë e një rrjeti më të madh kriminal me 138 persona, i goditur nga njësia greke kundër krimit të organizuar. Autoritetet kanë bllokuar gjithashtu llogaritë bankare të 18 personave dhe vlerësojnë se dëmi financiar arrin në rreth 3 milionë euro.

Në një tjetër hetim paralel në veri të Greqisë, edhe 17 persona të tjerë pritet të dalin para Prokurorisë Europiane për një skemë të ngjashme mashtrimi me fondet e OPEKEPE. Policia greke thotë se në total rreth 300 persona dyshohet të jenë përfshirë në këtë rrjet, që sipas autoriteteve ka shkaktuar rreth 4.5 milionë euro dëm financiar.

Sipas policisë, drejtuesit e skemës identifikonin toka që nuk ishin regjistruar për subvencione europiane dhe aplikonin në emër të personave që shpesh nuk kishin asnjë lidhje me bujqësinë. Mes të dyshuarve ka pasur pastrues, kamarierë, shoferë kamionësh dhe punëtorë krahu.

Për t’i bërë aplikimet të dukeshin reale, autoritetet thonë se grupi bashkëngjiste dokumente absurde në platformat online, përfshirë faqe bosh, etiketa farash dhe madje fragmente librash mbi të drejtën humanitare ndërkombëtare.